Mirëqenie

March 13, 2018 | 13:28

Si të mbroheni nga alergjitë

Në vitet e fundit është vënë re një rritje e dukshme e formave të alergjisë që vijnë për shkak të polenës nga lulet që çelin në pranverë. Nëse jemi me fat, shenjat mund të kufizohen tek teshtimat, sytë që lotojnë, rrufë, kruarje e syve apo e hundës; por shpesh, fatkeqësisht, ky fenomen shprehet me astmën, kruarje të lëkurës apo dermatite të bezdisshme që kushtëzojnë shumë jetën aktive dhe sociale të njerëzve.

Ndaj është e nevojshme të dini se ka disa kura natyrale që mund të sjellin përfitime të mëdha ndaj këtyre shqetësimeve, duke qenë se mund të zbusin shenjat apo dhe të evitojnë disa raste krizash alergjike.

Alergjitë dhe stili i jetës

Shumë sjellje të përditshme mund t’i hapin udhë shfaqjes së alergjive. Mundohuni të kufizoni stresin në punë, evitoni duhanin, “shëroni” ushqyerjen, duke mënjanuar konsumin e ushqimeve të rafinuara dhe të pasura me yndyrna, dhe mos nënvlerësoni asnjëherë rëndësinë e higjienës personale! Gjithashtu, një ndër faktorët që shkaktojnë shfaqjen e alergjive është edhe ndotja ambientale. Edhe pse disa forma të rënda të alergjive, kërkojnë një kurë të mirëfilltë me antistaminikë, ka disa përbërës apo ushqime që ndihmojnë në lehtësimin e shenjave të alergjive…

Vitamina C

Vitamina C konsiderohet si një ilaç natyral. Përveç veprimit të saj antistaminik, Vitamina C është e përfshirë edhe në funksione të tjera të organizmit, si për shembull: për të minimizuar radikalet e lira dhe në sintezën e kolagjenit. Ndër ushqimet më të pasura me Vitaminë C janë portokallet, specat, karotat, brokoli, lulelakra, luleshtrydhet, spinaqi, limonat, qitrot, kivi, domatet, sallata jeshile dhe bananet.

Flavonoidet

Flavonoidët, që i referohen veçanërisht kuercetinës, përfaqësojnë antistaminikë natyralë që ndihmojnë organizmin që të parandalojë prodhimin e staminës dhe të përbërësve të tjerë që mund të provokojnë inflamacione dhe alergji. Burim i madh kuercetine janë agrumet, qepët, mollët, majdanozi, domatet, brokoli, fasulet dhe sallata jeshile.

Omega 3

Ndër acidet yndyrore thelbësore, Omega 3 ka aftësinë që të zvogëlojë reagimet alergjike, falë cilësive të tyre anti-inflamatore. Acidet yndyrore të Omega 3 gjenden te salmoni dhe arrat, dy ushqime që shpesh mund të jenë edhe ato vetë shkaktare të alergjive. Nisur nga ky këndvështrim, burime shumë të mira dhe më të sigurta të Omega 3 mund të konsiderohen farat apo vaji i linit. Gjithashtu, edhe peshku përmban sasi të mëdha të Omega 3.

Erëza aromatike

Edhe erëzat aromatike janë mjaft të efektshme kundër alergjive, pasi janë të pasura me përbërës që mund të parandalojnë apo ulin prodhimin e staminës. Xhinxhëri, kamomili, finoku, hudhra janë erëza shumë të mira që ndihmojnë në parandalimin e alergjive.

Çaji jeshil

Çaji jeshil mund të konsiderohet një pije e domosdoshme për t’u konsumuar në rastet e alergjive, duke qenë se përmban kuercetinë dhe katekinë, të cilat ndihmojnë në parandalimin dhe uljen e prodhimit të staminës. Pikërisht për shkak të pranisë së këtyre përbërësve në gjethet e çajit jeshil, kjo pije është një antistaminik i vërtetë natyral.

Uthulla e mollës

Uthulla e mollës përfaqëson një kurë të mirëfilltë antistaminike natyrale dhe është mjaft e lehtë për t’u konsumuar. Dy lugë uthull molle, mund t’i tretni në një gotë ujë për të thjeshtësuar efektin e saj kundër alergjive. Uthulla e mollës konsiderohet veçanërisht e efektshme kundër alergjive të stinës. Është e nevojshme që për katër ditë rresht të pini tri gota në ditë nga tretja e sugjeruar më sipër.

Çaj borziloku

Borziloku konsiderohet si një antistaminik natyral dhe cilësitë e tij mund të shfrytëzohen nëpërmjet përgatitjes së një çaji. Lëngu që marrim nga borziloku mund të vendoset në lëkurën e irrituar për shkak të një alergjie, me qëllimin për ta qetësuar atë. Përdoren gjethet e borzilokut, të cilat vendosen në ujë të nxehtë dhe lihen aty derisa ftohen. Për këtë përgatitje përdoren 30 gramë gjethe borziloku me një litër ujë.

Përgatiti: Manjola Ereqi / Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 120

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com