Është verë, po përse njerëzit janë kaq të shqetësuar? Teksa shijon faqet e gazetës, ndeshesh me lajme të pakëndshme që të trazojnë ditën. Janë nga ato që janë shndërruar në kryetituj gazetash e nuk të lejojnë ta shijosh pushimin me dëshirën për të kaluar një verë të bukur.
Kur bëhet fjalë për stresin, ka një listë shumë të gjatë që argumenton faktorët pse ai ndodh. Por është akoma verë. Jeta nuk është e rrezikshme, fati dhe shansi do ta drejtojnë akoma jetën tonë, pemët po shpërthejnë lulet dhe në plazhe po vërshojnë turistët. Këtu janë disa këshilla të shkurtra për të mbijetuar verën sipas Institutit të Shëndetit Publik:
- Ruani përparësitë
Për shumë njerëz, në verë ka më shumë angazhime, kryesisht të natyrës sociale (festa, takime pas kohësh, udhëtime, pushime). Ekspertët rekomandojnë se është e rëndësishme të mësosh të thuash “Jo” ndaj kërkesave që shkaktojnë më tepër stres.
- Qëndroni aktivë
Muajt e verës janë periudha më e mirë për të qenë aktivë dhe për të shpenzuar kohë në natyrë. Të qenit aktiv ndikon si në gjendjen fizike ashtu edhe në atë psikologjike.
- Kujdesuni për trupin
Kujdesi për trupin është shumë i rëndësishëm. Ushqimi i duhur, gjumi, hidratimi, etj., ndikojnë në nivelin e përjetimit të stresit.
- Qëndroni të fokusuar tek e tashmja
Nëse ju merreni se sa është e nevojshme me atë që ka ndodhur në të shkuarën apo do të ndodhë në të ardhmen, ka shumë të ngjarë të krijohet stres dhe ankth, i cili do të reflektohet dhe do të pengojë aktivitetin e së tashmes.
- Fikni pajisjet elektronike dhe fokusohuni te personat e dashur
Kur jeni me pushime, fikni pajisjet elektronike dhe shkëputuni nga mediat sociale. Kjo do t’ju ndihmojë të fokusoheni dhe të kaloni kohë cilësore me personat tuaj të dashur.
- Bëni aktivitetet që ju pëlqejnë
Nëse kuptoni se po shpenzoni kohën tuaj të lirë duke u kujdesur për nevojat e personave të tjerë, kthehuni te vetja dhe bëni gjërat që ju pëlqejnë.
Burimi Instituti i Shëndetit Publik
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.