Lifestyle

August 28, 2018 | 12:48

Si të pastroni organizmin me oligoterapi?

Pastrimi i trupit është thelbësor për të parandaluar shumë shqetësime shëndetësore. Magnezi, squfuri, seleni dhe, në disa raste edhe kromi: këto oligoelementë të çmuar për rizgjimin pranveror të mendjes e trupit, ndihmojnë edhe ndaj alergjive dhe për t’u dobësuar…

Pranvera është një stinë e rëndësishme për organizmin, shenjon rizgjimin pas dimrit të zymtë. Jo rastësisht, është periudha e rigjallërimit, të cilin e ndjejnë shumë njerëz, me nevojën për të përmirësuar stilin e jetës, nëpërmjet ndryshimeve rrënjësore. Oligoterapia mund të bëhet një aleate e çmuar për mirëqenien e organizmit, dhe sidomos në stinën e bukur.

Në pranverë shtohen shumë kërkesat për kujdesin nga alergjitë, për shqetësimet me gjumin, për kontrollin e peshës dhe pastrimin e trupit, një nevojë kjo shumë e madhe pas stinës së dimrit. Pastrimi i trupit, për të cilin dëgjojmë gjithnjë e më shpesh, nuk është një nevojë vetëm e femrave, por një domosdoshmëri që e ndjejnë edhe meshkujt, thelbësore si për parandalimin e shumë shqetësimeve, ashtu dhe për të fituar dhe për të ruajtur një mirëqenie të përgjithshme.

Çfarë na helmon?

Faktorët që përcaktojnë nivelin e papastërtisë në trup janë të shumtë: nga ushqyerja te vendi i punës, nga aktiviteti që bëjmë, deri tek të ashtuquajturat “tensione emocionale”. Edhe trajtimi dietik, kur ndryshojmë regjimin ushqimor, është burim toksinash dhe stresi. Nuk duhet përjashtuar as gjendja mendore, e cila mund të ketë një efekt pak a shumë përfitues në nivelin e toksinave të pranishme në organizëm. 

Të gjithë ata që gjenden në situata të sikletshme në punë (situata gjithnjë e më të shpeshta në kohën tonë) përjetojnë stres të madh emocional. Këta faktorë ndihmojnë në prodhimin e toksinave dhe kjo ndodh natyrisht gjatë gjithë vitit, por sidomos në pranverë ndihet nevoja për t’u ‘ripastruar’ dhe për të nisur një cikël të ri, njësoj siç ndodh me natyrën.

Magnez, squfur e selen për të pastruar organizmin

Përveç se këshillohet një regjim i duhur ushqimor, këshillohet edhe ndihma e oligoelementëve: magnez, squfur, selen dhe në disa raste edhe krom. 

Magnezi, një antioksidant i fuqishëm këshillohet për kurimin e gjendjeve alergjike, për metabolizmin normal energjetik dhe për ruajtjen e indeve lidhëse. Duhet marrë dy herë (ose edhe tri herë, në varësi të rasteve) në javë, në mëngjes, esëll.

Squfuri, i nevojshëm për sëmundjet e lëkurës dhe në sindromat alergjike në përgjithësi, duke fuqizuar katalizatorët e tjerë, rekomandohet dy apo tri herë në javë, gjithmonë në mëngjes, duke e alternuar me magnezin.

Ndërsa seleni duhet marrë dy ose tri herë në javë, mundësisht pas darkës. Kryen një veprim antioksidues dhe mbrojtës, ndaj është ideale të përfitoni nga veprimi i tij në orët e pasdites dhe të mbrëmjes. Doza varion sipas nivelit të papastërtisë së njerëzve: vlerësohet gjithmonë nga rasti në rast për të pasur një rezultat më të mirë.

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 129

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top