Amerikanët punojnë më gjatë krahasuar me qytetarët e çdo vendi tjetër të industrializuar. Bëjnë më pak pushime. Shumë prej tyre marrin me vete punën në shtëpi, duke kontrolluar email-in pas orarit të punës, madje edhe në fundjavë.
Ju do të mendoni se gjithë kjo punë i bën ata vendin më produktiv në botë, por të dhënat thonë të kundërtën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës renditen të pestët në vitin 2015 sa i përket produktivitetit sipas Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD), në bazë të PBB sipas orëve të punës. Në fakt, studimet tregojnë se të punuarit me orar të zgjatur ju bën më pak produktivë.
Punonjësit që punojnë 70 orë në javë nuk kanë më shumë rendiment se ata që punojnë 55 orë në javë. Në fakt, ata shpërdorojnë 15 orë të kohës së lirë. Për më tepër, puna me orar të zgjatur sjell rritjen e problemeve në shëndet, ndër to iktus dhe probleme kardiake. Por ka disa gjëra që mund të bëni për të rifituar pak kohë – dhe të rrisni produktivitetin.
1.Niseni me hapa të vegjël (dhe jini realistë)
“Shumë njerëz kanë qenë më produktivë falë leximit të librave apo aplikacioneve të ndryshme, duke pritur në fakt që vetëm informacionet apo teknologjia t’i bënin ata më produktivë. Në fillim këto gjëra i ndihmojnë, por më pas, zakonisht ata dështojnë”, – shkruan Matt Plummer në Harvard Business Review.
“Problemi qëndron se të qenët më tepër produktivë është më shumë si të humbësh në peshë se sa të memorizosh emrat e presidentëve – është produkti, sjellja, stili i jetës që ndryshon, jo (vetëm) njohuritë. Si rezultat, çelësi i të qenët më produktivë është të ndryshoni sjellje të vogla (për shembull duke krijuar zakone të reja) dhe t’u qëndroni atyre besnikë për një kohë të gjatë. Me fjalë të tjera mos i premtoni vetes se do të çoheni dy orë më përpara në mëngjes për të shkuar më herët në punë kur e dini shumë mirë se ju jeni si bufi dhe punoni gjatë natës që kur keni marrë diplomën. Niseni me hapa të vegjël dhe përqendrohuni në ndryshimin e zakoneve me kalimin e kohës.
2.Mos shikoni telefonin të parin sapo hapni sytë
Ky është ndryshimi i parë i vogël: mos shihni të parin telefonin sapo zgjoheni në mëngjes. Mos e kontrolloni email-in, mos lexoni lajmet, mos kontrolloni rrjetet sociale. Lëreni telefonin “të parkuar” në karikim deri sa të zgjoheni plotësisht në mëngjes dhe të jeni gati të përballeni me ditën. Mos e merrni telefonin në dhomën e fjetjes. Pajisjet elektronike si smartphone-t prodhojnë dritë blu e cila interferon në prodhimin e melatoninës dhe më pas ndikon te gjumi.
3.Shikoni mundësi për të punuar me orar fleksibël
93 për qind e punonjësve pohojnë se janë më shumë produktivë jashtë zyrës. Punoni një ose dy ditë në javë në shtëpi – do të shihni se kjo do të rrisë produktivitetin tuaj dhe po ashtu do të reduktonte kostot.
Nëse drejtuesi juaj nuk do ta pranonte këtë gjë, kërkoni që të punoni me orë fleksibël. Shkoni një orë më parë në punë (dhe largohuni prej saj një orë përpara), në këtë mënyrë ju do të kursenit kohën për shkak të trafikut. Është më e thjeshtë të punoni rehat në një ambient të qetë.
4.Ndalni së bëri shumë punë njëherësh
Ju mund të mendoni që jeni një ekspert në të bërit e shumë punëve njëherësh, por studimet tregojnë se me shumë gjasa e keni gabim. Është e këshillueshme që ju të përqendroheni vetëm në një projekt të caktuar.
5.Bëjeni shëndetin prioritetin tuaj
Kur jeni të ngarkuar, shumë prej jush lënë pas dore veten, duke mos pushuar gjatë orarit të drekës, duke e shtyrë orarin e pushimit apo duke ngrënë ushqime të pashëndetshme. Mjaft më me zakonin e vënies së vetes në fund. Përfshini objektiva të realizueshëm në programin tuaj, duke u përqendruar në aktivitete të vogla. Ju ndoshta nuk mund të bëni çdo ditë një orë palestër, por një gjysmë orë ecje në drekë është e realizueshme. Meditimi dhe të qenët i vetëdijshëm janë një hap i vogël i rëndësishëm.
Ju duhet të kuptoni se nuk mund të jeni produktivë nëse jeni i lodhur apo i sëmurë në pjesën më të madhe të kohës. Ka ardhur koha të mendoni më shumë për veten.
*Jen Hubley Luckwaldt
Burimi: CNBC/Monior
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.