Në fokus

July 26, 2016 | 8:31

Si të rrisim vetëbesimin

“Vetëbesimi është si një lule që duhet ujitur çdo ditë, që të lulëzojë dhe të jetë e shëndetshme. Fuqia gjendet brenda nesh, në kujdesin që tregojmë për veten dhe në aftësinë që kemi për të dashur vetveten!”, – nënvizon Willy Pasini, autori i “L’Autostima”, në hyrje të librit të tij. “Vetëvlerësimi” është një libër i drejtpërdrejtë. Historitë trajtohen ashtu siç janë, pa ndryshime dhe ndërhyrje të autorit. Pasini shton detajet teknike të nevojshme për të kuptuar rrugën e drejtë, me anë të së cilës arrijmë në zgjidhjen e problemeve të ndryshme. Protagonistët e historive të trajtuara janë të grupmoshave të ndryshme: Adoleshenti konfuz për ndarjen e prindërve, gruaja që ka zbuluar tradhtinë e të shoqit, femra në kulmin e karrierës etj. Natyrisht, tema kryesore është vetëvlerësimi dhe akoma më shumë forca jonë e brendshme në kërkimin e vazhdueshëm të saj. Vetëbesimi, si një ilaç çudibërës për të gjitha të këqijat: Djali i turpshëm që kërkon të justifikojë seksualitetin e tij, gruaja e dhunuar nga bashkëshorti, e ngacmuar nga vjehrra etj. Në përmbyllje mund të themi: “Vetëvlerësimi” është një libër që duhet lexuar! Për disa do të jetë konfirmimi përfundimtar për domosdoshmërinë e një ndihme, për të tjerë një verifikim shpërblyes të faktit se sa jemi në gjendje t’i kapërcejmë pengesat vetjake edhe pa ndonjë ndihmesë mjekësore. Të dyja rastet do të na shërbenin mjaft mirë për vetëbesimin. Psikiatri dhe autori mjaft i njohur italian i një game të gjerë librash, gjithnjë i vëmendshëm ndaj tematikave të zhvillimit personal, na e përcjell librin mbi vetëvlerësimin si një guidë praktike (në të cilën ka edhe dy teste) duke shërbyer si një ndihmë për të kuptuar karakterin dhe për të kapërcyer pengesat e brendshme e të pavetëdijshme në përmirësimin e cilësisë së jetës. Në një vëzhgim të përgjithshëm mbi brendinë e librit do të nënvizonim trajtimin e gjerë mbi konceptin e vetëbesimit, duke e analizuar atë në të gjitha fushat e jetës së përditshme. Vetëbesimi, duke qenë se është një tematikë shumë e gjerë dhe që prek gjithsecilin nga ne, është një çështje e trajtuar gjerësisht nga autori Willy Pasini, duke e shndërruar këtë botim në një “best seller”. Libri i tij “L’Autostima” ka shërbyer si një impuls mjaft i fortë që ta duam më shumë vetveten dhe si një guidë praktike që të mësojmë të ndryshojmë. Me këtë libër, autori na ndihmon të kuptojmë më mirë se çfarë është vetëbesimi apo vetëvlerësimi, që në thelb janë e njëjta gjë. Si lind vetëbesimi, nga kush ndikohet, kush janë njerëzit (prindërit, miqtë, dashuritë e para) dhe situatat (shkolla, puna) që mund të ndikojnë në forcimin apo zbehjen e tij. Autori është ndalur gjerësisht në librin e tij në disa pika kyçe:

• Rëndësia e vetëbesimit në jetën e një individi

• Përse besimi dhe respekti për veten janë baza esenciale mbi të cilat ndërtohet lumturia vetjake

• Si të rrisim vetëbesimin dhe ta përmirësojmë atë

• Si ndikojnë dështimet e vogla apo të mëdha në jetë për vetë imazhin, si dhe perceptimi për pamjen e jashtme Një libër me shembuj konkretë të trajtuar nga studimi i personalitetit dhe i jetës së përditshme te njerëzit, si dhe një thirrje e veçantë për femrat që shpesh janë viktima të mungesës së besimit në burimet vetjake. Për autorin e librit rëndësia e vetëbesimit është jetike, pasi besimi në aftësitë e tua personale lidhet drejtpërdrejt me projektet për të ardhmen, suksesin, qetësinë dhe dashurinë. Për rrjedhojë, kush nuk është i sigurt në vetvete, rrezikon të bjerë pre e depresionit dhe frustrimit, një pikë kyçe e karakterit që fatkeqësisht i ka mbërthyer njerëzit sot. Ajo që e bën të veçan të tematikën dhe analizën e Pasini-t është edhe analiza e disa rasteve të vërteta me një vëmendje të fokusuar në botën femërore. Autori shërben si një guidë me disa udhëzues praktikë se si mund të kultivojmë vetëbesimin dhe ta përmirësojmë atë në shoqërinë moderne në të cilën jetojmë, duke i dhënë peshën e duhur “Vetvetes”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top