Provoni të shkëputni telefonin tuaj celular, të njihni njerëz të rinj, të bëni një shëtitje në lindje të diellit ose në perëndim, të shijoni vetëm një akullore, të jetoni! Mbani mend se jeni me pushime dhe nuk ka vlerë të zemërohesh. Për t’u çlodhur dhe për t’u rigjeneruar me pushime, është gjithashtu e nevojshme të jesh më pak kokëfortë dhe i rreptë me veten dhe me të tjerët.
Njerëzit kanë gjithnjë e më shumë pritshmëri ndaj pushimeve dhe periudhës së verës
Fatkeqësisht, ata nuk janë në gjendje të përfitojnë plotësisht nga pushimet e merituara, sepse janë të zënë me planifikime, duke dashur të bëjnë gjithçka brenda një kohe të shkurtër, zemërohen me kamerierin sepse nuk i shërben për 5 minuta, ose me fqinjin e çadrës që nuk e mbyll gojën për asnjë moment. Janë të paktë ata që nisen duke menduar thjesht për të shijuar verën, për t’u çlodhur, për ta jetuar ditë pas dite duke u kënaqur me vese të vogla, por mbi të gjitha duke kuptuar se nuk është duke planifikuar dhe kontrolluar takimin me miqtë, të dashurit dhe fëmijët që të argëtohen. Termi pushim vjen nga latinishtja “vacantia”, nga “vacans” paskajor i “vacare” që do të thotë të jesh i zbrazët, i lirë, i papërmbajtur dhe pa shqetësime! Nuk është e nevojshme të jesh në anën tjetër të botës, në një plazh parajsë ose në një hotel ëndrrash për të qenë i lumtur dhe për t’u ndjerë mirë. Ndonjëherë janë gjërat e vogla dhe një mendim tjetër që ju ndihmojnë të shijoni pushimet tuaja të merituara në paqe!
Ulni pritshmëritë
Ka nga ata që nisen për pushime duke shpresuar të takojnë dashurinë e madhe, nga ata që takojnë shumë miq të mirë, nga ata që për 10 ditë do të dëshironin të shihnin, të shijonin dhe të bënin gjithçka sikur të qëndronin për një vit. Ose ka nga ata që mendojnë se në një javë pushimesh do të zgjidhin çdo problem ekzistencial. Padyshim, ata që nisen me këto pritshmëri, mund të rrezikojnë të kthehen në shtëpi të zhgënjyer. Gjëja më e mirë për të shijuar plotësisht verën është ulja e pritshmërive, kështu gjithçka do të jetë më e bukur. Edhe nëse asgjë nuk ndodh, përsëri do të jeni të relaksuar, të rimbushur me energji dhe siguri, dhe do të keni diçka më shumë në bagazhet tuaja ekzistenciale!
Shkëputuni nga interneti dhe rrjetet sociale
Të gjithë jemi të teknologjizuar dhe nuk e humbasim mundësinë për të postuar imazhe dhe fraza në çdo kohë. Për fat të keq, rreziku është të jetojmë më shumë në botën virtuale sesa në atë reale dhe kështu humbasim momente me miqtë, të qeshura dhe qetësinë. Idealja do të ishte të shkëputeshim nga interneti dhe nga rrjetet sociale për pushime, por nëse vërtet nuk mundemi, një sekret për të shijuar verën është gjithashtu, të përpiqesh të kufizosh përdorimin e tyre. Është e vërtetë që në disa raste tabletët dhe telefonat ndihmojnë për të kërkuar vende dhe për të marrë informacion, por një mënyrë për të njohur njerëzit është të ndalosh dhe të kërkosh për atë që të duhet vërtetë: të shijosh bisedat me njerëzit. Kur të kthehemi nga pushimet do të jemi në gjendje të vendosim imazhet më të bukura dhe personalisht t’u tregojmë miqve, ndoshta me një aperitiv, se si i kaluam pushimet.
Filloni me më të lehtat
Çdo vit është gjithmonë e njëjta gjë: kthehesh nga pushimet me një valixhe plot dhe më shumë se gjysma e gjërave nuk janë përdorur kurrë! Gjithmonë i themi vetes se herën tjetër do të jetë ndryshe: vetëm një bagazh thelbësor! Është koha të shijoni verën dhe pushimet duke menduar për ato që ju duhen vërtet. Pra, disa ngjyra veshjesh, një palë këpucë të larta, sandale të sheshta dhe një palë pantofla për në det janë të mjaftueshme. Në këtë mënyrë, valixhja do të jetë shumë më e lehtë. Dhe atëherë, kur të ktheheni nga pushimet do t ’ju duhet të vini në punë më pak lavatriçe dhe për rrjedhojë, më pak tesha për t’u hekurosur!
Vlerësoni gjërat e vogla
Pse të mos përfitoni nga pushimet për t’u kthyer e për të vlerësuar gjërat e vogla? Shihni lindjen e diellit në agimin e një dite të re dhe pastaj kthehuni për të fjetur, shijoni një perëndim dielli ndërsa pini një birrë të ftohtë akull, ecni dorë për dore me partnerin tuaj për një kohë të gjatë sikur të ishit të fejuar, shkoni të vallëzoni me miqtë deri në mëngjes, ndërtoni një kështjellë rëre me fëmijët tuaj ose bëni një lojë letrash me babanë. Duken gjeste të parëndësishme, por sa më shpesh kohë të lirë, aq më shumë të lumtur. Prandaj luaj, qesh dhe mos e fajëso veten për marrëzitë!
Hapni mendjen
Nëse është një udhëtim në anën tjetër të botës, me një kulturë dhe gjuhë tjetër, apo pushime në një vend të zakonshëm, nuk ka rëndësi. Sidoqoftë, kur lëvizni nga shtëpia është e lehtë të takosh njerëz të rinj dhe të merresh me njerëz të ndryshëm nga ne: me dikë mund të bashkohesh menjëherë, me dikë tjetër jo. Prandaj, ata që duan të shijojnë verën duhet të hapin mendjen dhe të jenë të prirur për mirë ndaj të tjerëve, sepse takimi me njerëz të rinj, madje edhe me ata shumë të ndryshëm, është gjithmonë një pasurim. Mbyllja e dyerve vetëm sepse dikush na duket shumë “i çuditshëm ” është gabim. Ndonjëherë përvoja të caktuara shërbejnë për të na bërë më të pjekur dhe për të na mësuar të shohim disa gjëra në një mënyrë më pak kritike.
Mos planifiko çdo gjë
Fatkeqësisht, jeta plot tension e çon shumicën e njerëzve drejt organizimit të jetës së tyre dhe planifikimit të gjithçkaje që përshtatet me angazhimet personale, me punën dhe familjen. Por me pushime duhet të përpiqemi të braktisim zakonet që na shoqërojnë gjatë pjesës tjetër të vitit dhe të ndalojmë së menduari se gjithçka ka një orar! Ata që duan të shijojnë verën dhe të kthehen në shtëpi të freskuar, duhet të përpiqen të ndryshojnë mënyrën e të menduarit. E bukura e këtij momenti është gjithashtu të jesh në gjendje të përballosh mëngjesin kur zgjohesh, të shkosh të flesh kur je i përgjumur dhe të bësh çfarë të duash në atë moment. Mbi të gjitha, ata që e kanë të vështirë të mos planifikojnë jetën e tyre, është mirë ta provojnë të paktën me atë të të tjerëve: miqtë, fëmijët dhe shokët do të jenë mirënjohës!
Mos u zemëro
A i shërbeu kamerieri në fillim tryezës fqinje, e cila erdhi shumë më vonë? Në plazh shkoni vonë dhe nuk gjeni një vend në rreshtin e parë? A është vonë miku me të cilin shkoni për aperitiv? Fqinjët e çadrës janë të padurueshëm? Të gjitha këto janë situata që në jetën e përditshme dhe me nxitim mund të bezdisin, por për të shijuar verën, përkundrazi, duhet të mbani mend se jeni me pushime dhe nuk ka vlerë të zemërohesh. Për t’u çlodhur dhe për t’u rigjeneruar me pushime, është gjithashtu e nevojshme të jesh më pak kokëfortë dhe i rreptë me veten dhe me të tjerët. Veçanërisht ndaj operatorëve turistikë që janë duke punuar.
Përgatiti: Orjona TRESA | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 170
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.