Komplekset e inferioritetit janë ato të cilat ju ndalojnë të zhvilloheni, të përmbushni qëllimet që i keni vënë vetes. Ja se si mund t’i tejkaloni ato. Shpeshherë, fuqitë që ju nevojiten vijnë nga brendia juaj, dhe nuk duhet të kthehesh te specialistët për të kapërcyer komplekset e inferioritetit. Hapi i parë që ju duhet të bëni në këtë drejtim është që të pranoni se keni një problem dhe më pas duhet të identifikoni strategjitë që do t’ju ndihmojnë të shpëtoni nga frika e pajustifikueshme.
Përmirësoni imazhin për veten
Para se t’ju gjykojnë të tjerët, duhet ta bëni vetë ju. Duhet ta njihni veten me të mira e të këqija dhe të pranoni cilësitë e defektet. Nuk ndihmon aspak të jeni modeste dhe t’i mbani fshehur talentin apo aftësitë, sikurse çdo mbivlerësim për veten nuk do t’ju ndihmojë shumë. Zhvillojini aftësitë tuaja, sepse do t’ju ndihmojnë të zhvilloheni profesionalisht edhe në ndërveprimet e tjera sociale. Do të fitoni më shumë besim te vetja dhe do të ndiheni më e qetë midis të tjerëve. Nëse keni defekte të caktuara apo mangësi për sa i përket përgatitjes profesionale (shkollimit) ose nuk jeni e kënaqur me pamjen e trupit tuaj, ato mund të zgjidhen. Nuk jeni e kënaqur me paraqitjen tuaj? Kujdesuni për veten e merruni me sport dhe lëreni keqardhjen për veten. Ndjeni se nuk jeni mjaft e përgatitur në punë? Merrni kurse trajnimi për të eliminuar komplekset e inferioritetit.
Mos u krahasoni me të tjerët
Gjithkush, pa përjashtim, është i ndryshëm. Për më tepër, askush nuk është i përsosur. Edhe njerëzit që ju admironi dhe i konsideroni si modele për t’u ndjekur, kanë pasiguri të tyret. Në disa aspekte, edhe te më të mirët shfaqen komplekse inferioriteti, megjithëse, ndoshta, është e vështirë për ta besuar. Ndoshta në kolegen e zyrës suaj zotëron deri në perfeksion arti i negocimit. Ajo mund të bindë çdokënd që të bëjë siç ajo dëshiron. Mirëpo jashtë zyrave apo sallës së mbledhjes asnjeri nuk rri pranë saj, sepse ajo është, siç thonë ata, “një kuçedër”. Me sa duket, ajo ka probleme të cilat lidhen me integrimin në kolektiv dhe është kompleksuar, për këtë arsye ajo ka gjithmonë një sjellje imponuese.
Kërkoni ndihmë
Roli i miqve është që t’ju mbështetin dhe të jenë me ju në çaste të vështira. Sado e vështirë të jetë, duhet të pranoni se keni një kompleks inferioriteti. Në qoftë se do t’i mbani këto mbresa vetëm për veten, kurrë nuk do të keni sukses në tejkalimin e tyre. Pra, zgjidhni dikë që ju i besoni, i cili nuk do t’ju gjykojë, as nuk do t’ju bëjë komplimente falas, por do t’ju dëgjojë e këshillojë. Ndonjëherë është e mjaftueshme vetëm të bisedoni me dikë në lidhje me këtë gjë, apo ta ndani me dikë këtë kompleks. Kur të rrëfeheni me zë të lartë, do ta kuptoni se ato janë të pajustifikuara.
Konsolidoni besimin në vetvete
Nëse nuk keni besim te vetja, është më se normale që suksesi të mos jetë në krahun tuaj. Të gjithë kemi të meta, por nuk duhet të lejoni që ato t’ju mbizotërojnë. Zbuloni dhe zhvilloni pikat tuaja të forta dhe vraponi ‘të pushtoni’ botën.
Revista Psikologjia
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.