Si të thoni “kjo nuk është puna ime”… dhe të mos e nevrikosni shefin tuaj. Po, ka disa mënyra se si mund të thoni “jo”.
Imagjinoni këtë skenar…
Kolegia juaj është mjaft e ngarkuar dhe ndër të tjera, duhet t’i dërgojë një raport një prej klientëve të saj. Por për shkak të shumë punëve që duhet të kryejë njëherësh, ajo nuk ka kohë ta përfundojë atë. Në një moment, ajo kthehet nga ju dhe ju pyet nëse mund t’i bëni një nder dhe ta përfundoni raportin në vend të saj.
Çfarë bëni, gjeni një mënyrë për ta ndihmuar apo tundni kokën dhe thoni “Nuk është puna ime të përfundoj një raport për klientët e tu”?
“Nuk është puna ime” është bërë një shprehje që përdoret shpesh në vendin e punës. Por kjo s’do të thotë se duhet të jetë. Ky qëndrim mund t’ju ndihmojë të shmangni punë shtesë, por gjithashtu mund t’ju pengojë që ju të ecni përpara në karrierën tuaj. Për të mos thënë se do t’ju etiketonin si njeri dembel dhe të pagjindshëm. Por, ndaluni pak, edhe pse po them se ju nuk duhet t’i përdorni shpesh këto katër fjalë, kjo nuk do të thotë që ju duhet të thoni gjithnjë ‘po’ dhe të bëni punët e të tjerëve.
Çfarë po përpiqem t’ju them është se ju duhet të mësoni se si të thoni ‘po’ apo ‘jo’ në një mënyrë që të jetë e vlefshme për të dyja palët.
Në vend të “Jo, kjo nuk është puna ime”, thoni “Do të doja t’ju ndihmoja, por për momentin nuk mundem”
Me siguri, edhe ju jeni mjaft i ngarkuar në punë. Kështu, duke u marrë edhe me punën e dikujt tjetër pa e menduar dy herë, mund të ndikojë negativisht si në përfundimin e punës suaj si atë të kolegëve tuaj. Në fakt, ju nuk do t’i vinit aspak në ndihmë nëse bëni një punë jocilësore.
Por çfarë ndodh nëse nuk jeni i sigurt?
Ju duhet të tregoheni i sinqertë me veten rreth përgjegjësive në punë, në mënyrë që të shmangni mbingarkesën. Ia vlen të merrni dy-tre minuta kohë për të bërë një hap pas dhe për të parë se çfarë duhet t’i jepet prioritet përpara se të përgjigjeni (po ju mund të kërkoni pak kohë për të parë se çfarë punësh duhet të kryeni). Ju me siguri keni shumë për të bërë, por disa nga punët mund të shtyhen për disa ditë. Nëse e keni të vështirë, pyesni drejtuesin tuaj nëse ka diçka që mund të shtyhet, në mënyrë që të ndihmoni kolegun tuaj.
Ju duhet të kuptoni se: nuk duhet të gënjeni kurrë nëse keni kohë të lirë. Të tjerët do ta merrnin këtë gjë në konsideratë dhe do t’ju shihnin në një prizëm negativ. Për të mos përmendur pastaj se ju vështirë se do të merrnit një “po” kur të kërkoni për një nder të ngjashëm pas disa kohësh.
Më mirë thoni këtë: “Po e lë gjithçka përgjysmë, si mund t’ju ndihmoj [gjatë kësaj kohe]?
Ky është një lajm i mirë për bashkëpunëtorin tuaj – ju vërtet keni pak kohë për ta ndihmuar. Dhe ju duhet ta bëni këtë. Suksesi i bashkëpunëtorit tuaj në fund të fundit ndikon në suksesin tuaj dhe në suksesin e kompanisë për të cilën punoni.
Kleiman, bashkëpunëtore për Muse, shkruan se: “Nëse doni të bini në sy si një lojtar skuadre (dhe si dikush që është i interesuar në ngjitjen e shkallëve në karrierë), ju duhet të merrni përgjegjësi të reja. Ju mund të mësoni gjëra të reja dhe madje të kuptoni se ju pëlqeu diçka që nuk e kishit menduar kurrë se do t’ju pëlqente”.
Përfundimi: Nëse e kapni veten duke thënë “Nuk është puna ime” apo “Nuk është përgjegjësia ime”, mos e thoni më, është e shëmtuar. Kjo dërgon mesazhin tek tjetri se ju nuk dëshironi të ecni më tej.
*Abby Wolfe
Burimi: Business Insider/Monitor
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.