Këshilla & Arsye

March 5, 2016 | 6:00

Si të ushqejmë Ambicien profesionale …pavarësisht nga gjendja e mirë financiare

Një situatë e kënaqshme financiare mund të pengojë në mënyrë paradoksale ambicien profesionale. Në fakt, kur ke arritur sigurinë financiare, përse duhet të vazhdosh të marrësh risqe, përse të mos shohësh kënaqësitë e tjera që të ofron jeta? Nga ana tjetër, të realizosh ambiciet e tua, të plotësohesh profesionalisht është një burim i madh kënaqësie dhe një instrument i rëndësishëm i vlerësimit të vetes.

1.Të dish të bësh pyetjet e duhura

Kë kërkoni të kënaqni? Kujt kërkoni t’i bëni qejfin duke mbajtur gjallë ambiciet tuaja? Vetes, prindërve, të afërmve, bashkëshortit… Ambicia, e lidhur fort me personalitetin tuaj, ju bën të ndiheni mirë, pasi mbush jetën tuaj me forcë e kuptim. Çfarë përgjegjësish do të dëshironit të merrnit? Çfarë kërkoni të arrini në jetën tuaj profesionale? Diçka që përputhet me cilësitë tuaja, pasionet tuaja, diçka që ka një ndjeshmëri sociale apo diçka që do t’iu jepte më shumë pushtet? Të dini të përcaktoni qartë ambiciet tuaja, do të thotë të dini se çfarë është e mirë për ju.

2.Vlerësoni çdo hap

Përpiquni ta ndani qëllimin final në disa etapa, e ky do të jetë një mjet i mirë për të vlerësuar çdo hap e rezultat. Kjo do t’ju lejojë të ndjeni kënaqësinë e arritjeve tuaja dhe do të jetë edhe një stimul për të vazhduar më tej. Flisni për ato çfarë keni bërë me miqtë, të afërmit tuaj. Mbështetja dhe eksperienca e tyre do të ketë shumë vlerë për ju e rrugën tuaj! Përpiquni të analizoni edhe ankthet e frikën tuaj në rast të një dështimi. A do të jenë kaq të tmerrshme pasojat… siç ju i imagjinoni? Por, mos harroni të mendoni për kënaqësinë që ndjeni tani që jeni hedhur në veprim, tani që jeni duke provuar fatin tuaj! E mos harroni të kujtoni një thënie të bukur që e gjen fatin te “guximi, vendosmëria, për të arritur atë që duam”.

3.Mos u dekurajoni

Në shoqërinë tonë, ku gjithçka duket se nxiton, durimi është vlera që ngjan se po humbet përditë e më tepër. Mos u dekurajoni nëse ambiciet tuaja do të duan kohë të realizohen, ju nuk mund të kontrolloni të gjithë faktorët e rrethanat nga varen sukseset tuaja! Përpiquni të përfitoni nga çdo eksperiencë. Çdo hap përpara është edhe një mundësi për të mësuar më shumë. Dështim nuk do të thotë që për momentin diçka nuk shkon, është bllokuar. Në çdo hap që hedhim, ka edhe diçka pozitive. Në çdo hap që hedhim, ne e njohim më mirë botën e veten, dhe kjo do të jetë një shtysë e mirë për t’i çuar ambiciet tona më përpara pa u ndalur para asgjëje, edhe kur mundësitë financiare nuk do të na detyronin të ndërmerrnim një sakrificë të tillë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top