Këshilla & Arsye

April 27, 2018 | 11:59

Si të veproni për të patur një fëmijë jo-paragjykues?

Në ditët e sotme, fëmijët ekspozohen ndaj shumë ndryshimeve në lidhje me gjininë, racën, ushqimet, zakonet, kulturën e shumë elemente të tjera të jetës së përditshme. Kur janë në moshë të vogël, ata nuk janë në gjendje të pranojnë diçka me të cilën nuk janë mësuar, por prindërit duhet t’i mësojnë të sillen e të marrin vendime bazuar në respekt dhe tolerancë, pa paragjykuar të tjerët.

Ekspertja e edukimit të fëmijëve, Patricia Koh, shpjegon se toleranca është të dish aftësitë dhe cilësitë e ndryshme të dikujt, pa shprehur hapur preferencën apo pakënaqësinë tuaj. Kjo është mënyra për të rritur fëmijë mendjehapur.

Jepni shembullin tuaj

Fëmijët vëzhgojnë atë që të rriturit bëjnë dhe do të imitojnë sjelljen e tyre. Kur të rriturit tregojnë respekt për të tjerët, fëmijët e tyre do të ndjekin këtë shembull. Nëse një i rritur përdor fjalë të ashpra për t’i hedhur poshtë të tjerët, fëmija i tyre do të mendojë se ky është modeli më i mirë i sjelljes.

Respektoni diversitetin

Ekspozoni fëmijët ndaj kulturave të ndryshme. Merrni pjesë në festa të ndryshme fetare, provoni ushqime të ndryshme etj në mënyrë që fëmijët të mësohen me idenë e gjërave ndryshe.

Përgjigjuni pyetjeve me ndershmëri

Fëmija juaj do të bëjë pyetje të sikletshme në lidhje me dallimet që vëren mes vetes dhe të tjerëve duke përfshirë gjininë, ngjyrën e lëkurës dhe aftësitë e kufizuara. Përgjigjuni me ndershmëri dhe shpjegoni se të gjithë janë të ndryshëm dhe kjo është ajo që e bën jetën më interesante. Mos u turpëroni ose shmangni pyetjet e tyre, sepse është e rëndësishme që fëmijët të kuptojnë ndryshimet, jo të pretendojnë se ato nuk ekzistojnë.

Mësojini mirësjelljen

Fëmijët e vegjël nuk janë të vetëdijshëm sesi duhet të sillen në ambiente sociale, prandaj është detyra juaj si prind t’i mësoni fjalët të lutem, faleminderit, të mos ndërpresin të tjerët, të mos imponojnë mendimet e tyre etj.

Evidentoni paragjykimet

Shfaqjet televizive janë plot me stereotipe raciste. Kur dëgjoni fjalë diskriminuese, ndaluni gjatë aty dhe shpjegojini fëmijës me detaje.

Shfrytëzoni disa momente për t’i dhënë mësime

Është e pashmangshme që fëmijët të bëjnë reagime diskriminuese ndaj personave që janë ndryshe prej tyre. Kështu që në këto momente, ju duhet të ndaloni e t’i jepni mesazhe të qarta të vegjëlve tuaj mbi diversitetin e kësaj bote. Shfrytëzoni këto momente për të dhënë mësime të rëndësishme që t’i mbajnë mend.

Nxitini fëmijët tuaj të kenë miq të cilët nuk janë si ata

Fëmija juaj duhet të kuptojë se nuk ka një standard sesi duhet të jenë njerëzit. Kërkojuni atyre të shoqërohen me fëmijë me prejardhje të ndryshme. Luajtja dhe komunikimi me fëmijët e tjerë do t’i ndihmojë ata të kuptojnë se pavarësisht ngjyrës, fesë apo prejardhjes së tyre kulturore, fëmijët e tjerë janë ashtu si ata.

Ekspozoni fëmijën tuaj ndaj kulturave të ndryshme

Udhëtoni si familje dhe vizitoni vende të ndryshme dhe lejoni fëmijën tuaj të shohë dhe të përjetojë mjedise të ndryshme, kultura dhe mënyra jetese të tjera. Udhëtimi do të zgjerojë mendjet dhe mirëkuptimin e tyre.

Mësojuni sesi të dëgjojnë

Duhet të jeni në gjendje t’i dëgjoni të tjerët para se të kuptoni një këndvështrim tjetër. Dëgjimi i shqetësimeve, dëshirave, frikës dhe përpjekjeve të dikujt tjetër do t’ju kujtojë se ka një version tjetër përtej asaj që shihni ju. Nëse nuk bëni përpjekje për t’u përshtatur me të tjerët, do të kufizoheni në kutinë që përmban versionin tuaj të ngushtë të botës. Mësojani këto parime fëmijës.

Burimi / www.pernenat.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top