Për dy persona që frekuentojnë prej pak kohësh pushimet e para në çift, mund të jetë një urë dyshimesh dhe shqetësimesh. Por si t’i përballoni ato e të kaloni një kohë të bukur në çift? Psikologia jep një mendim të shtruar për t’i bërë të paharrueshme këto pushime.
“Në fund të gushtit do të nisem me partnerin me pushime nëpër Europë. Takohemi prej tre muajsh dhe nuk e kemi kaluar asnjëherë më shumë se një ditë të gjithë kohën bashkë. Shkojmë mirë dhe kjo është arsyeja përse ditët që do të ndajmë bashkë në plazh dhe në mal, duhet të jenë perfekte. Mendimi se do të jem gjatë të gjithë kohës bashkë me të për kaq shumë ditë, ai dhe unë ai vetëm, më shqetëson. Mendoj se qëndrimi bashkë, mund të ndikojë edhe në problemet apo mosmarrëveshjet dhe nuk duhet të rrezikoj ta humb. Do të dëshiroja që këto pushime të ishin të paharrueshme, që të shënonin nisjen e diçkaje tepër të rëndësishme”.
Për një çift të ri, pushimet e para janë një provë e vërtetë për të testuar afrimitetin apo bashkërendimin e të përbashkëtave. Lidhja mund të rritet dhe të bëhet solide, por ndodh që raporte të tilla mund të marrin tjetër drejtim. “Në një çift të sapo krijuar, meshkujt apo femrat kërkojnë të japin më të mirën nga vetja, duke i rrëfyer partnerit të ri vetëm anët pozitive të karakterit”, thekson Monica Zentellini, psikologe e specializuar në psikoterapinë individuale dhe në çift. “Një eksperiencë e bashkëjetesës, edhe në një periudhë të shkurtër, e bën të paevitueshme sjelljen në përditshmëri apo afrimitetin intim ose të rezervuar. Të kesh dyshime është natyrale. Ideja se nuk je i vlerësuar dhe se paragjykohesh nga tjetri, për shembull, është një luhatje tipike femërore”. Përballja me qetësi në një çast delikat siç janë dhe pushimet e para në çift, ndoshta mund të jetë e mundur. Mjaft të japësh mbështetje.
Pushimet e para në çift janë prova e lakmusit për të parë nëse është i duhuri.
Ja ku jemi: pas disa muajsh lidhje jeni gati për pushimet e para në çift. Përveç të shijuarit të relaksit dhe argëtimit, do të keni mundësinë ta njihni më mirë partnerin, duke i shënuar të gjitha ato detaje të vogla që, në një histori afatgjatë, bëjnë ndryshimin. Të kaloni 24 orë në ditë me të, në fakt, do t’ju japë të ashtuquajturën provë lakmusi: është i duhuri apo jo? Gjithmonë duke pasur parasysh se detajet dhe çdo sinjal negativ do të merren si paralajmërime dhe jo si prova absolute të papajtueshmërisë.
Para nisjes
Pushimet fillojnë edhe para nisjes: në fakt, përgatitjet janë një fazë themelore e pushimeve. Studioni sjelljen e tij në fazën para nisjes; nëse ai përpiqet të organizojë atë që ju mund të dëshironi të bëni ose të mos bëni me pushime, lëreni veten të befasuar dhe jepini atij lirinë për të bërë dhe menduar për ju të dy. Mënyra se si e paketoni valixhen tregon gjithashtu shumë për të, prandaj shikojeni me kujdes. Nëse ai ndan gjithçka sipas ngjyrës dhe paketon rrobat, atëherë ai është një tip preciz, por ndoshta edhe pak i bezdisshëm dhe me siguri do ta ketë të vështirë ta lësh. Nëse, nga ana tjetër, ai i hedh rrobat e tij me shumicë, ndoshta nuk ka paranojë apo ankth për t’u larguar me ju, por mund të jetë pak kaotik.
Kompromis për pushimet e para së bashku
Për ta shijuar më mirë këtë aventurë, këshilla e parë për të ndjekur është gjithashtu më e dukshmja: gjeni kompromise. Secili prej nesh ka mënyrën e tij për të shijuar pushimet dhe për t’u çlodhur, kështu që vështirë se do të keni të njëjtat nevoja gjatë gjithë kohëzgjatjes së udhëtimit. Megjithëse jeni të dashuruar dhe të lumtur që e jetoni këtë përvojë të parë së bashku, nuk do ta gjeni gjithmonë veten në një mendje në çdo aspekt: e rëndësishme, pra, është të jesh në gjendje të gjesh të përbashkëtat, kompromise të vogla që të ndihmojnë të zgjidhësh tensionet.
Mësoni të njihni veten
Pushimet e para në çift do të jenë si prova e parë e bashkëjetesës: do të shihni njëri-tjetrin të sapozgjuar, do të duhet të gjeni disa kompromise, duhet të vendosni bashkë së çfarë duhet të bëni gjatë ditës dhe të zgjidhni domosdoshmëritë që udhëtim sjell. Por jo vetëm: Do të ndodhë që do t’ju duhet të përballeni me disa krisje dhe ndonjë grindje. Por, mos u shqetësoni! Të gjitha këto prova do t’ju shërbejnë që ta njihni më mirë partnerin; të jeni bashkë gjithë ditën do t’ju zhveshë, do t’ju bëjë të zbuloni pikat e dobëta e të forta, zakonet e mira dhe të këqija. Në fund, e gjithë ajo kohë e kaluar së bashku do të shkundë zonën e rehatisë dhe do të vërë në provë besimin mes njëri-tjetrit.
Përgatiti Orjona Tresa / Burimi unadonna.it
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.