FB

July 31, 2025 | 9:30

Si t’i përgatisni fëmijët për ditën e parë të shkollës: gjashtë këshilla për këtë verë

 

Duke përfituar nga pushimet verore, një mësuese e shkollës fillore ka ndarë së fundmi disa këshilla praktike për t’i ndihmuar prindërit të përgatisin fëmijët për ditën e parë të shkollës fillore: nga autonomia e përditshme deri te njohja e emrit, përmes përballimit të zhurmave të forta dhe krijimit të një rutine të qetë.

ne-prag-te-shkolles

Fillimi i shkollës është një hap i madh për çdo fëmijë, por edhe për prindërit. Mes emocioneve të përziera, çantave të reja dhe emrave që duhen shkruar në etiketa, kalimi në shkollën fillore mund të bëhet më i lehtë nëse prindërit ndjekin disa hapa të thjeshtë gjatë verës që çon drejt ziles së parë të shkollës. Këto këshilla vijnë nga një mësuese britanike që jep mësim në një klasë Reception (që i ngjan klasës përgatitore në Shqipëri) dhe që përmes rrjeteve sociale ka shpërndarë disa “detyra verore” për prindërit që duan të përgatisin më mirë fëmijët për aventurën e tyre të re shkollore.

Videoja me këto këshilla, e publikuar në TikTok nga kjo mësuese, u bë menjëherë virale, dhe shumë prindër e falënderuan për qartësinë dhe dobishmërinë e sugjerimeve: “Të gjithë fëmijët rriten me ritme të ndryshme – shkroi një nënë – por këto janë hapa të vegjël dhe vërtet të vlefshëm”.

 

1.Të njohin emrin e tyre

Sipas mësueses që poston në TikTok me emrin @eyfsreceptionteacher, nuk është e domosdoshme që fëmijët të dinë të shkruajnë emrin e tyre para se të nisin shkollën, por është shumë e rëndësishme që ta njohin atë. “Është shumë e dobishme për ne dhe për ta që të jenë në gjendje të dallojnë emrin e tyre mes të tjerëve”, shpjegon ajo. Një mënyrë e thjeshtë për ta ndihmuar është përmes lojërave ku fëmija duhet të zgjedhë emrin e tij nga një grup me dy ose tre emra. Gradualisht, duke e rritur vështirësinë, fëmija do të fitojë njohje në mënyrë natyrale.

 

2.Të zhvillojnë autonominë

Një tjetër aspekt kyç është pavarësia. Përgatitja për shkollë do të thotë edhe të mësohen të përballojnë vetë disa veprime të përditshme si: të veshin xhupin, të rregullojnë çantën, të përdorin lugë dhe pirun plastike, të shkojnë vetëm në tualet dhe të lajnë duart siç duhet. Këto aftësi të vogla u japin fëmijëve më shumë vetëbesim dhe ndihmojnë që ndarja nga prindërit në ditën e parë të jetë më e lehtë emocionalisht.

 

3.Të mësohen me zhurmat e forta

Një këshillë ndoshta e pazakontë, por shumë e dobishme, ka të bëjë me ekspozimin ndaj zhurmave të forta. “Çdo vit ka të paktën një fëmijë që trembet nga tharëset e duarve në tualetet e shkollës”, rrëfen mësuesja. Prandaj ajo sugjeron që prindërit t’i mësojnë fëmijët me zëra të papritur dhe të fuqishëm, si ata që dëgjohen në rrugë apo në vende publike, në mënyrë që të shmangen situatat e papritura të qarjes.

 

4.Të mësojnë të shkruajnë emrin saktë

Për ata që dëshirojnë t’i mësojnë fëmijët të shkruajnë emrin e tyre, këshilla është e qartë: është më mirë të fillohet menjëherë me formën e saktë – shkronja e parë me të madhe, dhe të tjerat me të vogla. Shkrimi vetëm me shkronja të mëdha është një zakon i zakonshëm, por më vonë shumë i vështirë për t’u korrigjuar. “Është një zakon i keq që duhet shmangur”, komenton me humor mësuesja.

 

5.Të krijojnë një rutinë

Fjetja vonë dhe zgjimi kur të duan nuk përputhen me oraret shkollore. Prandaj është e rëndësishme që, në javët e fundit para nisjes së shkollës, të fillohet krijimi i një rutine të rregullt. Vendosja e orareve fikse për gjumin dhe zgjimin ndihmon fëmijët të përshtaten më lehtë me ritmin e ri dhe të nisin ditën me më shumë energji.

 

6.Të marrin vendime vetë

Së fundi, për të nxitur aftësinë për të marrë vendime, është e dobishme që fëmijët të përfshihen në zgjedhje të vogla ditore. Të vendosin çfarë të hanë për darkë apo cilën bluzë të veshin janë mundësi të thjeshta, por të rëndësishme, që i bëjnë të ndihen të sigurt dhe të aftë. Aftësia për të zgjedhur – edhe mes dy alternativave – forcon vetëvlerësimin dhe i përgatit fëmijët për më shumë pavarësi në klasë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top