Këshilla & Arsye

March 4, 2020 | 8:15

Silvana Canaj: Jemi, por nuk ekzistojmë! Është detyrë e jona të vendosim kulturën e psikologut

 

Nisur nga historia ime personale ndala “vrapin” e ditës dhe vura re diçka. Një mangësi të madhe që ka sistemi ynë shëndetësor. I kalova ato korridore, dyer dhomash, recepsionin disa herë. Me shqetësimin tim, me indiferencën time të pandërgjegjshme rreth asaj që na rrethon, me hallin që më “kish zënë”. 

Silvana Canaj, Psikologe Këshillimi

Silvana Canaj, Psikologe Këshillimi

Kalonin ditët… Fokusi te “sëmundja” e të afërmit. Shpresa te përmirësimi. Kontakti i përditshëm me mjekët, inferierët, sanitarët, etj. Por, nuk pashë në asnjë çast dikë shumë thelbësorë në rrugëtimin e kurimit, shërimit. Nuk pashë një herë të vetme një psikolog të trokiste në derën e dhomës së pacientit. Pacienti, më shumë se kushdo, duhet të ketë  asistencë psikologjike. Edhe të pakërkuar nga vetë ai. 

 

Brezi 50-60 vjeç e lart, të cilët janë edhe mosha mesatare e pacientëve, nuk e kanë në kulturën e tyre psikologun, andaj edhe nuk e kërkon një mbështetje të tillë. Psikologu duhet të hyjë “tinëz” në rutinën e tij. 

1

Në këtë Shqipërinë tonë me halle, stresi është “nëna” e gjithë patologjive. Po nuk “shëruam” stresin fillimisht, nuk do kemi pacientë të shëruar, por statistika. I mëshojmë më tepër pilulave, injektimeve, madje edhe ndërhyrjeve kirurgjikale. Por, nuk kujdesemi për shëndoshjen e trurit. Kur trupi sëmuret, të gjitha organet “vuajnë” njësoj. Ndaj të gjithë duhen trajtuar. 

E fillojmë me një “Mirëdita, si je?”

Është detyrë e jona të vendosim kulturën e psikologut. Kjo fushë është ende në hapat e para të saj në vendin tonë. Nuk mund të rrimë qetë brenda zyrës e të presim të trokasë pacienti tek ne. Duhet të trokasim ne tek dera e tij. “Hapi i parë i çrregullimit është mohimi” kemi mësuar në fakultet. Pra, si mund të presim të vijë ai/ajo tek ne që ende nuk e ka pranuar me veten e tij ashtu si është? Sigurisht që nuk mund të imponohemi, nuk mund të abuzojmë me pushtetin e dhënë nga profesioni. Krijimi i marrëdhënies me pacientin na bën profesionistë të humanizmit.

Mos i mbani për vete ose mos “i shisni” ato dije që morët në fakultet (e më tej) kolegë të dashur! Vërini në funksion për të ndihmuar, edhe kur nuk jua kërkojnë. 

Ofrohuni, por mos u impononi! Të fillojme sot të ndërtojmë botën ideale për fëmijët tanë nesër!

Nuk mund të jemi indiferentë! Nuk na falet!

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top