Pika referimi

April 4, 2020 | 16:24

Silvana Gjoni: Kur autizmi mposhtet… Albi, një dëshmi suksesi 

Është muaji i ndërgjegjësimit të çrregullimit të spektrit autik. Vërtet një ngjarje me përmasat e një rëndësie të veçantë, por më shumë se kurrë, pjesë e trumbetimit të rasteve të suksesit, të atyre dëshmive që thonë se autizmi trajtohet. Në redaksinë e revistës “Psikologjia” komunikimi i vazhdueshëm me profesionistë të fushës, na bën të ndajmë emocione të kësaj natyre, e të sjellim histori që e kanë mposhtur me shumë punë e përkushtim këtë çrregullim.

Silvana Gjoni, logopede dhe terapiste ABA, punon me fëmijë të këtij spektri në kryeqytet, ndërsa ndan përvojën e saj në fundjavë edhe në qytetin e lindjes, në Shkodër. Sot ajo sjell një shënim-dëshmi të veçantë të punës së saj për lexuesit e revistës “Psikologjia”, historinë e Albit. Arritjet janë të befasueshme!

Silvana Gjoni, Logopediste dhe Terapiste ABA

Silvana Gjoni, Logopediste dhe Terapiste ABA

Albi erdhi në klinikën tonë para një viti e gjysmë me diagnozën çrregullim i spektrit autik. Një djalë sybukur dhe i qetë në pamje të parë, por që e ëma referonte se kishte pasur shumë tantrume, shpesh i zgjasnin pafund, saqë ajo dëshpërohej së tepërmi. 

Albi qëndronte ulur përballë meje, në krahun e nënës së tij, dhe tregonte më së miri moshën e tij 3-vjeçare, dëshirën për t’u mbrojtur nga një person si unë, i panjohur dhe i pakuptueshëm. Nga biseda me të ëmën dhe nga vizitat që kishte kryer, Albi nuk kishte folur kurrë, madje as nuk kishte belbëzuar. Nxirrte vetëm disa tinguj të shkëputur, pa ndonjë kuptim në dukje. 

E ëma e kuptonte vetëm nga e qara, dhe kështu hamendësonte se çfarë dëshironte djali i saj. Biseda me të ëmën ishte e gjatë atë ditë të parë që erdhën në klinikë, më pas, me djalin qëndruam vetëm pak bashkë. Ai qante dhe grindej. E qara e tij me deënese, na detyronte të lejonim të ëmën të hynte në sallën e terapisë. 

Ishte e qartë për ne gjithsesi, fëmija do merrte shërbim nga ne, bazuar në parimet e metodës ABA. U vendos që terapia të realizohej çdo ditë, nga një orë e gjysmë kohëzgjatje. 

Nëna e tij ishte e vendosur për ta ndihmuar të birin, saqë që ditën e parë na kërkoi materiale dhe këshilla se si të punonte me djalin e saj me autizëm. Uroj gjithmonë të kemi të tillë prindër, që kërkojnë me ngulm dhe persistencë të ndihmojnë aktivisht fëmijët e tyre. 

Foto ilustruese

Foto ilustruese

Shpesh, ajo fajësonte veten për gjendjen e djalit, por justifikohej duke na thënë që nuk kishte kaluar asnjë sëmundje gjatë shtatzënisë, ishte ushqyer shumë mirë, nuk kishte pasur infeksione, pra kujdesin maksimal për fëmijën e saj. E shihnim nga sytë e saj, që ajo e vuante në vetvete. E vinte fajin shpesh te vaksina, ajo ia kishte fajin… 

Sado mundoheshim ta bindnim, ishte e kotë. Dikur, rreshtëm së provuari. 

Filloi terapia me fëmijën. Nuk ishte bashkëpunues, qëllonte çdokënd që i pengonte synimin e tij, stereotipet ishin të shumta dhe të shpeshta. Godiste kokën në tokë ose kafshonte dorën me dhëmë, aq sa e bënte plagë, qante me ulërima sepse donte të largohej nga unë (po i pengoja lirinë e tij), nuk ulej në karrige asnjë minutë, madje e matur, koha e qëndrimit të tij në karrige ishte 20 sekonda (nëse e kishe nxitur shumë). 

Albi, buçkoja ynë, prape ishte një dashuri më vete. Kishte ndonjë moment kur të shikonte në sy dhe më dukej sikur po më falte botën. Por këto raste ishin të rralla, sepse nuk dëshironte të na shikonte dhe të vendoste komunikim me ne. Ishte e vështirë të kuptoje se çfarë donte dhe si e donte. 

Na u desh që terapinë ta bënim në një dyshek, në fakt, dyshemeja jonë ishte dysheku. Shpesh i mbanim duart për ta bllokuar, kur tentonte të kafshonte dorën, kur donte të përplaste kokën, kur donte të thyente derën për të dalë jashtë apo të më shkulte flokët. Sfidat ishin të shumta, por kur tek-tuk më dhuronte ndonjë buzëqeshje, më mjaftonte si stimul për gjithë muajin. 

Kaluan 6 muaj pa u ndalur në punën tonë, por asnjë fjalë nuk doli nga ai. Gjithsesi, ishte bërë më i qetë, frekuenca e përplasjes së kokës ishte më e ulët, e qara ishte reduktuar, madje ndonjëherë më dukej sikur kishte një dëshirë të vakët (shpresëdhënëse gjithsesi) për të ardhur në terapi. Flokët e mi u rritën gjithashtu, ai nuk po i shkulte më… Stimujt ndaj së cilëve e ekspozuam ishin të shumtë, punuam për pjesën verbale dhe atë joverbale, përdorëm DTT, PECS, PRT dhe një mori tjetër terapish, vetëm që ai të na shqiptonte një rrokje, nuk e bëri derisa…

Foto ilustruese

Foto ilustruese

Një ditë, teksa po e sillte e ëma në terapi, pasi kishin ecur shumë në këmbë, autobusi kishte ikur apo kushedi çfarë kishte ndodhur. Nuk patëm kohë të flisnim më shumë, sepse erdhi e shumëpritura, fjala e parë: UJË. Nuk kisha menduar ndonëherë se një fëmijë do të kishte fjalën e parë UJË, por ja që ndodhi. Isha mësuar me fëmijë të cilët shqiptonin ‘mama’, ‘baba’ për t’i ndjerë më afër dhe për të kërkuar mbështetjen e tyre. Albi jo. Ai donte ujë. Dhe jua them me sigurinë më të madhe, ishte uji më i dëshiruar që kam shërbyer, kurrë me aq kënaqësi nuk e kisha bërë. E ëma u shtang dhe nuk i vija dot faj. Albi i saj kishte mposhtur averbalitetin, kishte folur tashmë. Ishim të lumtur saqë dëshironim t’i tregonim krejt botës, edhe përtej saj, se Albi jonë, kishte mposhtur vështirësinë dhe kishte thënë fjalën e parë. 

U përmbajta, as vetë nuk e di se si. Aty unë, pavarësisht asaj që trumbetohet me të madhe për ABA, ndaj së cilës kisha qenë deri diku skeptike, vërtetova se shkenca dhe puna e palodhur arrijnë të pamundurat. Ja, Albi po fliste. 

Panorama para meje ishte e qartë, puna do vazhdonte. Tanimë  kishim edhe më shumë të dhëna dhe vullnet për të punuar. 

Vazhduam me muaj, deri në momentin që unë po shkruaj këtë artikull për ju.

Tashmë, Albi, në moshën 4.5 vjeçare flet 250 fjalë, kryesoret për të vendosur një komunikim, është më i qetë, pa tantrume, bashkëpunues, punojmë në tavolinë apo në natyrë, ndryshe nga fillimi, kur dyshemeja jonë ishte një dyshek i trashë, bën shkarravina dhe mundohet të ngjyrosë brenda vijave, kërkon atë që i duhet dhe kupton 1000 fjalë. Merr komanda njëshe në mënyre perfekte, ndërkohë po punohet me komandat dyshe. Tualeti dhe higjiena personale janë zhvilluar. Ai nuk mban më pampers, ushqehet pjesërisht vetë, por në rruge të mbare drejt pavarësisë. Nxitja që duhet t’i japim tashmë është më e vogël, ka më shumë dëshirë të mësojë diçka të re, pëlqen të kërcejë me ne dhe vjen me dëshirë në terapi. 

Kjo ishte e gjitha? JO. Puna do vazhdojë, sepse ne duam që Albi të jetë një individ i pavarur,tërësisht funksional, të veprojë dhe të mendojë në mënyrë të pavarur. Jam e bindur se Albi jonë, Albi juaj, është një pasuri për ne dhe ju, për shoqërinë. Ai është ndryshe, por ai nuk është më pak. Është ndryshe, por mrekullisht i veçantë, të dhuron dashuri me gjeste të vogla, pa qenë nevoja për shumë fjalë apo përqafime. Jemi me fat që e kemi. Është dashuri dhe pasuri. 

Metoda e përdorur ishte metoda ABA (analiza e aplikuar e sjelljes). Pyetje që prindër dhe jo vetëm më kanë drejtuar janë:

Sa shanse ka që rehabilitimi i këtyre fëmijëve me autizëm, t’i ndihmojë ata?

Duke u bazuar në faktin se ABA është një metodë shkencore, rezultatet janë të matshme. Pra, në varësi të skedave të vlerësimit funksional, ne masim në çdo seancë arritjet e fëmijës dhe i krahasojmë ato me të muajit apo muajve pasardhës, bazuar në programin që po ndjekim. Eksperienca ka treguar se për trajtimin e autizmit dhe problemeve të neurozhvillimit në përgjithësi, kjo është metoda më efektive e zgjedhur. Përqasja bihejviorale konjitive e kësaj metode lejon që fëmija të mësojë dhe të strukturojë sjelljen në të njëjtën kohë. 

Sa kanë ndryshuar sjelljet e fëmijëve, duke aplikuar këtë metodë?

Në varësi se kur fëmija ka filluar marrjen e terapive, të bazuara në këtë metodë, janë vënë re rezultate të shumta. Patjetër që pika e fokusit tonë ka qenë gjithmonë sjellja, sepse ABA në vetvete është analiza e aplikuar e sjelljes dhe ne e dimë se një sjellje kurrë nuk ndodh në vakuum, pra gjejmë arsyet pse ndodh një sjellje, e modifikojmë në varësi të nxitjeve dhe përforcuesve që japim, dhe arrijmë në pikën kur kemi të bëjmë me një individ me funksionalitet të lartë në të gjitha sferat, të gatshëm për të hyrë në marrëdhënie me të tjerët.

Sa ndihmon familja, shoqëria?

Ndihmesa apo mungesa e ndihmës së tyre është determinuese. Nëse një prind nuk bashkëpunon, puna është e destinuar të dështojë që pa filluar. Zakonisht, kemi pasur fatin të bëjmë me prindër që përkushtohen dhe duan të punojnë edhe në shtëpi programet që u japim, madje ndihemi sikur po komunikojmë me kolegë dhe jo vetëm me prindër. Ne u japim detyra shtëpie fëmijëve që në bashkëpunim me prindin, arrijnë të maksimizojnë arritjet e tyre dhe kështu puna jonë e përbashkët konkludohet me rezultate të mrekullueshme. 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top