Këshilla & Arsye

April 23, 2020 | 8:10

Silvana Gjoni: Si të rrisim përqendrimin e fëmijëve?

 

Silvana Gjoni, Logopediste dhe Terapiste ABA

Silvana Gjoni, Logopediste dhe Terapiste ABA

Pjesa më e madhe e prindërve më bëjnë pyetje se si mund të rrisin përqendrimin e fëmijëve të tyre në detyrë, se si të mbajnë rradhën, të respektojnë të tjerët përgjatë të folurit, të mos përplasin dhe hedhin gjërat sa herë që nuk u pëlqen diçka dhe të mos pengohen gjatë kohës që po mësojnë një aftësi të re. Më poshtë do të gjeni disa këshilla praktike, se si mund të rrisni përqendrimin e fëmijëve tuaj, me anë të disa aktiviteteve dhe qasjeve pozitive:

1-Lojërat me fokus përqendrimin. Mbani larg ekranet dhe laptopët, lejojeni fëmijën të luajë me lodrat e tij. Studimet kanë treguar se memoria dhe përqendrimi i fëmijës që ekspozohet ndaj ekraneve, janë shumë të reduktuara. Madje, fëmija nuk ka as durimin t’ju kthejë përgjigje për atë që e pyesni. 

1Lojrat e të menduarit, si psh: puzzles dhe fjalëkryqet, e ndihmojnë fëmijën të përqendrohet në detyra më lehtë. Vendosni disa gjëra rresht dhe kërkojini t’i memorizojë. Ndryshojuani vendet dhe kërkojini të tregojë se çfarë ka ndryshuar. 

Sekuencimi. Është një lidhje e qartë mes sekuencimit dhe përqendrimit. Për këtë ju ndihmon aktiviteti i shtrimit të tavolinës apo vendosjes së gjërave në rend alfabetik. 

Thjesht uluni. Sfidoni fëmijën që të rrijë thjesht ulur për një kohë të caktuar, ai që fiton merr çmim në fund. Mos vendosni një afat kohor shumë të gjatë, mos e mbingarkoni, bëjeni ngadalë rritjen e kohës. 

2-Ambienti i përshtatshëm. Krijoni një ambient që është i lirë nga shpërqendrimet. Në fakt, ka fëmijë të cilët reagojnë në mënyrë të ndryshme ndaj ambientit pa stimuj. Hapi kryesor këtu është të kuptoni se cili lloj ambienti e qetëson fëmijën tuaj. Sigurojani atë. 

Muzika. Zakonisht fëmijët që ekspozohen ndaj një muzike të qetë dhe monotone, qetësohen.

2Pajisjet elektronike. Fikni pajisjet elektronike, shmangni shpërqëndrimin që vjen prej tyre. 

Të arritshme. Mbani gjithçka që i duhet fëmijës afër, që të mos ketë arsye për t’u ngritur të kërkojë diçka për detyrën që i keni caktuar, si psh: lapsa, penela, lodra, fletore etj.

3-Ushqyerja. Sigurohuni të ushqeni shëndetshëm fëmijën tuaj, sidomos nëse ai ka mungesë përqëndrimi. 

Kafeina. Shmangeni atë totalisht tek fëmijët. Rrit aftësinë e tyre për të shpërthyer energjinë. 

Perime. Studimet në SHBA kanë treguar se fëmijët që ushqehen me perime dhe jeshillëqe janë më të prirur të kenë përqendrim të lartë dhe memorie aktive.

4-Rutina. Bëni një rutinë ditore për të voglin tuaj dhe sigurohuni që ai e di këtë. Parashtrojani mënyrën se si do të zhvillohen gjërat përgjatë ditës. Mund të përdorni dhe fletë A4 për të vizatuar aktivitetet kryesore që do kryhen gjatë ditës. 

5-Gjumi. Është provuar se gjumi në drekë për fëmijët, qoftë edhe një orë, është i vlefshëm për t’i shplodhur ata dhe kur të zgjohen, do kenë më shumë energji pozitive. 

6-Objektivat. Ndani objektivat më të mëdha në më të vogla, që fëmija të arrijë t’i bëjë. Ndihmojeni gjatë këtij procesi. Të dy do motivoheni për arritje reale.

7-Kuptoni. Përpiquni të kuptoni sesi e ka fëmija më të lehtë të mësojë dhe paraqitjani materialet në atë mënyrë. P.sh: auditive, vizive ,taktile. Bëni flash cards, pra fleta të vogla që paraqesin me imazh proceset dhe gjërat që duhet të mësojë fëmija. Vizatimi gjithashtu mund ta ndihmojë fëmijën të arrijë një përqendrim më të madh, nëse e keni evidentuar se ky është aktivitet që e pëlqen fëmija. 

3

Nëse fëmija juaj mëson më mirë, duke dëgjuar paraqitjani informacionin në të tillë mënyrë. Regjistroni vjershën dhe fëmija do e dëgjojë para se ta memorizojë. Sidomos nëse fëmija nuk arrin të lexojë. 

Ka fëmijë që përqendrohen më mirë nëse vendoset muzikë, kështu që bëjeni këtë. Muzika të jetë e lehtë sidoqoftë. 

Një pjesë shumë e madhe e fëmijëve dhe jo vetëm, përqendrohen më mirë dhe mësojnë më lehtë nëse e lexojnë informacionin me zë të lartë. Mos i pengoni ta bëjnë këtë gjë. 

Patjetër, që duke i pasur gjërat praktike, i ndihmon të gjithë të mësojnë më shpejt. Kështu që mundohuni, aq sa është e mundur, të ofroni një mjedis eksplorues për fëmijën dhe aftësinë e re që duhet të mësojë.

8-Parapërgatit. Përgatiteni fëmijën tuaj për hapin e rradhës. P.sh: Tani ne mbaruam mbledhjet dhe do bëjmë pushim. Pastaj do mësojmë një vjershë së bashku.

9-Kohë e shkurtër. Vendosni objektiva që mund të realizohen për një kohë të shkurtër. Psh, mos i thoni:Nëse bën detyrat gjatë kësaj jave, do shkojmë në park, por nëse ti i bën detyrat mirë tani, do të bëjmë bashkë një ëmbëlsirë. 

10-Shpërble. Kini parasysh se fëmija po mundohet të arrijë diçka dhe madje po sforcohet, kështu që tregojini se jeni i/e gëzuar gjatë kësaj kohe. Për këtë, jepini shpërblime për atë që bën. 

11-Jepuni kohë. Edhe ata kanë nevojë të kenë kohën për t’u shpërqëndruar. Lejojuani këtë dhe mos i pengoni, nëse fëmija i ka kryer detyrat, është momenti i tij të bëjë pushim. 

12-Ora biologjike. Disa fëmijë kanë aftësi më të mirë të përqendrohen më mirë në mëngjes dhe të tjerë në darkë. Gjeni se kur përqendrohet më mirë dhe atëherë filloni të bëni detyrat. 

Shumë fëmijë arrijnë që me anë të këtyre këshillave të rrisin përqendrimin e tyre. Nëse jo, me shumë mundësi duhet të këshilloheni më një profesionist. 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top