Këshilla & Arsye

June 27, 2019 | 8:13

Simptomat që tregojnë se vuani nga problemet me tiroiden dhe si t’i trajtoni ato…

Tiroidja është një gjëndër në formë fluture në pjesën e përparme të qafës. Ajo prodhon hormone që kontrollojnë shpejtësinë e metabolizmit – sistemi që ndihmon trupin të përdorë energjinë. Problemet me tiroiden mund të ngadalësojnë ose përshpejtojnë metabolizmin duke ndërhyrë te prodhimi i hormoneve të tiroideve. Kur nivelet e hormoneve janë shumë të ulëta ose të larta, mund të përjetoni një sërë simptomash.

Simptomë: Shtim ose rënie në peshë

Një ndryshim i pashpjegueshëm në peshë është një nga shenjat më të zakonshme të çrregullimit të tiroides. Shtimi në peshë mund të sinjalizojë për nivele të ulëta të hormoneve të tiroides, një gjendje e quajtur hipotiroidizëm. E anasjella, nëse tiroidja prodhon më shumë hormone se sa trupi ka nevojë, mund të humbni peshë në mënyrë të papritur. Kjo gjendje njihet ndryshe si hipertiroidizmi. Hipotiroidizmi është më i përhapur te njerëzit.

Simptomë: Ënjtje në qafë

Ënjtja ose një gungë në qafë është një shenjë e dukshme që diçka nuk shkon mirë me tiroiden. Gunga mund të shfaqet si në rastin e hipertiroidizmit ashtu edhe hipotiroidizmit. Ndonjëherë ënjtja në qafë mund të shfaqet edhe për shkak të kancerit të tiroides ose nodujve, gjëndra që rriten brenda tiroides. Mund të jetë edhe për ndonjë shkak që nuk lidhet me tiroiden.

Simptomë: Ndryshime në rrahjet e zemrës

Hormonet e tiroides ndikojnë në pothuajse çdo organ të trupit dhe në shpejtësinë e rrahjeve të zemrës. Personat që vuajnë nga hipotiroidizmi kanë rrahje më të ngadalta zemre se zakonisht. Ndërsa hipotiroidizmi mund të shkaktojë përshpejtim të rrahjeve të zemrës. Mund të shkaktojë gjithashtu rritje të tensionit të gjakut dhe një ndjesi sikur zemra po del nga vendi.

Simptomë: Ndryshime në humor

Çrregullimet e tiroides mund të kenë një impakt të dukshëm në gjendjen emocionale, humorin dhe sa energjikë jeni. Hipotiroidizmi i bën njerëzit të ndihen më të plogësht, më të lodhur dhe të stresuar. Ndërsa hipertiroidizmi mund të shkaktojë ankth, probleme me gjumin dhe nervozizëm.

Simptomë: Rënie të flokëve

Rënia e flokëve është një tjetër shenjë e mosbalancimit të hormoneve të tiroides. Si hipertiroidizmi ashtu edhe hipotiroidizmi mund të shkaktojnë rënie të flokëve. Në shumë raste flokët fillojnë të rriten sapo trajtohet sëmundja.

Simptomë: Ndjeni shumë ftohtë ose ngrohtë

Problemet me tiroiden mund të shkaktojnë çrregullime në temperaturën e  trupit. Njerëzit me hipotiroidizëm mund të kenë më shumë të ftohtë se zakonisht. Ndërsa hipertiroidizmi ka shpesh efekt të kundërt, duke shkaktuar djersitje të shumtë dhe afshe të nxehta.

Simptoma të tjera të hipotiroidizmit

Hipotiroidizmi mund të shkaktojë disa simptoma, si:

  • Lëkurë të thatë dhe thonj të brishtë
  • Mpirje ose ndjesia e shpimit si me gjilpërë të duarve
  • Kapsllëk
  • Probleme me ciklin menstrual

Simptoma të tjera të hipertiroidizmit

Hipertiroidizmi mund të shkaktojë edhe simptoma të tjera, si:

  • Dobësi të muskujve ose dridhje të duarve
  • Probleme me shikimin
  • Diarre
  • Çrregullime të ciklit menstrual

Çrregullim i gjëndrës tiroide apo menopauzë?

Duke qenë se çrregullimet e gjëndrës tiroide mund të shkaktojnë ndryshime në ciklin menstrual ose në gjendjen emocionale, simptomat ngatërrohen shpesh me menopauzën. Nëse dyshoni për një problem me tiroiden, një test i thjeshtë gjaku mund të përcaktojë nëse shkaku është menopauza apo çrregullimi tiroidal – ose një kombinim i të dyve.

Kur duhet të bëni një kontroll?

Nëse ju shfaqën simptomat e sipërpërmendura, konsultohuni me mjekun e familjes nëse duhet të bëni ndonjë analizë. Personat që shfaqin këto simptoma ose kanë faktorë rreziku duhet të kontrollohen më shpesh. Hipotiroidizmi prek më së shumti gratë mbi moshën 60 vjeç. Hipertiroidizmi është gjithashtu më e përhapur te gratë. Historia familjare rrit rrezikun e kësaj sëmundjeje.

Kontroll të qafës

Një kontroll i qafës nga pasqyra mund t’ju ndihmojë të vëreni tiroiden e  zmadhuar. Pini pak ujë dhe ndërkohë që e gëlltitni, shikoni me kujdes qafën nga pasqyra. Bëni një vizitë te mjeku nëse vëreni një gungë ose gjëndër.

Cilat janë ekzaminimet që kryhen për vlerësimin e tiroides?

Bazuar në të dhënat klinike, mjeku endokrinolog përcakton edhe ekzaminimet që duhet të kryhen për vlerësimin e tiroides. Këshillohen të kryhen disa ekzaminime mjekësore të tilla si:

  • Analiza për matjen e nivelit të hormoneve në gjak: TSH, FT4; FT3, si edhe hormone të tjera të cilat përcaktohen nga mjeku rast pas rasti
  • Ekografia e tiroideve
  • Shintigrafia e tiroides, ekzaminim i cili përdoret për të vlerësuar nodujt e tiroides

Sëmundja Hashimoto

Shkaku më i zakonshëm i hipotiroidizmit është sëmundja Hashimoto. Është një çrregullim autoimunitar ku trupi sulmon gjëndrën tiroide, duke penguar prodhimin mjaftueshëm të hormoneve. Sëmundja Hashimoto zakonisht trashëgohet në familje.

Shkaqe të tjera të hipotiroidizmit

Në disa raste, hipotiroidizmi vjen si pasojë e një problemi me gjëndrën hipofizë, që është e vendosur në bazën e trurit. Kjo gjëndër prodhon hormonin stimulues të tiroides (TSH), që ndihmon në funksionimin e tiroides. Nëse gjëndra hipofizë nuk prodhon mjaftueshëm TSH, fillojnë të bien nivelet e hormoneve të tiroides. Shkaqe të tjera të hipotiroidizmit janë edhe inflamimi i përkohshëm i tiroides ose mjekime që ndikojnë në funksionin e gjëndrës tiroide.

Shkaqe të tjera të hipertiroidizmit

Hipertiroidizmi mund të shkaktohet edhe nga nodujt e gjëndrës tiroide. Janë masa që zhvillohen brenda tiroides dhe ndonjëherë fillojnë të prodhojnë hormone të tiroides.

Komplikacionet

Nëse lihet pa trajtuar, hipotiroidizmi mund të rrisë nivelet e kolesterolit dhe të shkaktojë goditje në tru ose atak në zemër. Në disa raste, nivelet shumë të ulëta të hormoneve mund të shkaktojnë humbje të ndjenjave dhe rënie të temperaturës së trupit duke rrezikuar jetën. Ndërsa nëse lihet pa trajtuar hipertiroidizmit, mund të shkaktojë probleme serioze me zemrën dhe thonj të brishtë.

Trajtimi i hipotiroidizmit

Nëse jeni diagnostikuar me hipotirodizëm, mjeku mund t’ju rekomandojë hormone në formën e pilulave. Kjo formë mjekimi zakonisht çon në përmirësime të dukshme brenda pak javësh, megjithatë disa persona mund të kenë nevojë që të marrin hormone të tiroides për gjatë gjithë jetës. Trajtimi afatgjatë ndihmon në përmirësimin e gjendjes shëndetësore, shtim të energjive, rënie të niveleve të kolesterorlit dhe rënie graduale nga pesha.

Trajtimi i hipertiroidizmit

Nëse simptomat ju shqetësojnë, mjeku mund t’ju japë disa medikamente të quajtura beta-bllokues dhe anxiolitike. Këto mund t’ju ndihmojnë të ndiheni më mirë, derisa mjeku juaj të marrë përgjigjen e testeve hormonale dhe të vendoset diagnoza. Medikamentet antitiroide funksionojnë duke bllokuar sintezën e hormonit në nivel të tiroides dhe rezultati i tyre është i kënaqshëm.

Gjatë trajtimit, do të keni nevojë për analiza të rregullta të gjakut. Këto analiza bëhen për të parë nëse hipertiroidizmi është normalizuar. Ndonjëherë trajtimi shëron hipertiroidizmin, por shkakton problemin e kundërt: prodhimin e paktë të këtij hormoni. Nëse kjo ndodh, ju mund të keni nevojë për të marrë medikamente të hormonit tiroid për të kthyer situatën në normalitet. Në shumicën e rasteve marrja e medikamenteve mund të jetë e përkohshme dhe zgjidhja përfundimtare të jetë interventi kirurgjikal ose marrja e jodit radioaktiv.

Sigurisht edhe rregullimi i stilit të jetesës është i rëndësishëm dhe nënkupton lënien e duhanit dhe alkoolit, moskonsumimin e çokollatave apo pijeve me përmbajtje kafeine.

Ndërhyrje kirurgjikale për çrregullimet e gjëndrës tiroide

Heqja e gjëndrës tiroide mund të kurojë hipertiroidizmin, megjithatë kjo procedurë rekomandohet vetëm nëse ilaçet antitiroide nuk funksionojnë ose masa është shumë e madhe. Operacioni mund të rekomandohet gjithashtu për pacientët me noduj të tiroides. Me heqjen e tiroides, pacientët duhet të marrin suplemente të hormoneve të tiroides për të shmangur zhvillimin e hipotiroidizmit.

Po kanceri i tiroides?

Kanceri i tiroide është më pak i përhapuri dhe ndër më pak vdekjeprurësit. Simptoma më e zakonshme është një gjëndër ose ënjtje në qafë, dhe vetëm 5% e nodujve të tiroides mund të kthehen në kancerogjene. Kanceri i tiroides zakonisht trajtohet me intervent kirurgjikalë, ndjekur me terapinë e jodit radioaktiv.

 

 

Burimi / shendeti.com.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top