Marsi vjen gjithnjë me një lloj dualiteti të çuditshëm: ndërsa natyra shpërthen në ngjyra dhe dritë, shumë gra ndiejnë mbi supe peshën e një prangosjeje të padukshme. Në këtë muaj që kremton gruan, shpesh harrojmë të flasim për hijen që shoqëron suksesin tonë modern, Sindromën e Supergruas.

Ky fenomen, i pagëzuar fillimisht nga autorja Marjorie Hansen Shaevitz, nuk është thjesht një dëshirë për të bërë shumë gjëra, por një presion psikologjik dërrmues për të qenë e pagabueshme në të gjitha frontet: një profesioniste e pamëshirshme në karrierë, një shtyllë emocionale e palëkundur në familje dhe një imazh estetik që sfidon kohën dhe lodhjen.
Nëse vëzhgojmë përditshmërinë tonë, kjo sindromë shfaqet në detaje që duken si virtyte, por që fshehin një kosto të lartë emocionale. Është ajo gruaja që përfundon prezantimin e rëndësishëm në mesnatë, ndërkohë që organizon festën e ditëlindjes së fëmijës deri në detaje, duke u siguruar që asnjë thërrime pluhuri të mos njollosë imazhin e saj si “ajo që i bën të gjitha”. Psikologjia sociale na mëson se ky nxitim drejt perfeksionit nuk lindi në vakum, ai është produkt i një shoqërie që u dha grave lirinë për të dalë në botë, por pa i çliruar ato nga pritshmëritë arkaike të shtëpisë. Sipas kërkuesve si Michele K. Lewis, ky “standard i dyfishtë” krijon një gjendje ankthi të vazhdueshëm, ku çdo dështim i vogël në njërin rol përjetohet si një dështim total i identitetit. Në këtë vorbull, gruaja fillon të vuajë nga ajo që psikanalistja Sharon Brennan e quan “shkëputje nga vetja”. Ne bëhemi aq të afta në menaxhimin e botës së jashtme, saqë humbasim kontaktin me nevojat tona bazike. Trupi fillon të flasë përmes lodhjes kronike ose pagjumësisë, por mendja e Supergruas e ka të vështirë të dorëzohet, sepse për të, të kërkosh ndihmë barazohet me dobësinë. Ky është momenti kur perfeksioni shndërrohet në një mekanizëm mbrojtës: nëse jam perfekte, askush nuk mund të më kritikojë; nëse jam perfekte, jam e vlefshme. Por, siç argumenton shkenca e mirëqenies mendore, ky lloj perfeksionizmi është thjesht një formë e rafinuar e vetë-ndëshkimit.
Për të thyer këtë mit, duhet të guxojmë të përqafojmë konceptin e “mjaftueshmërisë”, të cilin psikanalisti Donald Winnicott e çmonte aq shumë. Të jesh një grua “mjaftueshëm e mirë” në punë, në shtëpi dhe me veten, nuk do të thotë mediokritet, por humanizëm. Fuqia e vërtetë nuk qëndron tek aio tipar i padukshëm që na bën të fluturojmë mbi detyrat, te guximi për të qëndruar me këmbë në tokë dhe për të thënë: “Sot nuk mundem”. Ky Mars, le të jetë një ftesë për të zbritur nga podiumi i lodhshëm i perfeksionit. Le të jetë muaji ku zëvendësojmë kritikun tonë të brendshëm me vetë-mëshirën, duke kuptuar se vlerat tona nuk maten me numrin e punëve të kryera, por me paqen që ndiejmë kur dritat fiken dhe ne nuk kemi më asgjë për t’i provuar botës.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

