Ka shumë kohë në fakt që dua të bëj një shkrim, veçanërisht për prindërit e fëmijëve të cilët janë në moshën e pubertetit, fillimin e adoleshencës, djem dhe vajza. Bashkohem me konsumimin e durimit dhe sfidat e tyre, por gjithashtu marrë mundimin të jap edhe disa sugjerime, si pjesë e rëndësishme e edukimit.
Djemtë dhe vajzat e pubertetit janë në fakt në “luftë të brendshme” çdo ditë të jetës së tyre. Ata menaxhojnë njëkohësisht shumë veprime dhe ndjesi që ndodhin në mendjen dhe trupin e tyre. Ajo çka duket jashtë është shumë sfiduese për prindërit por edhe për personat e tjerë që marrin pjesë në edukimin e tyre. Sfidë, pasi shumë sjellje në dukje janë të papranueshme, janë arrogante dhe janë të llastuara, por ajo çka po bëjmë jo mirë NE si të rritur, si busulla që duhet të orientojmë dhe mirë edukojmë ata është: “frenimi i verbalizimit – mos shprehja e mendimeve, ndjesive dhe ideve që ata kanë” dhe si po “dështojmë” ne në këtë?!
Duke mos u angazhuar me ta, duke ia besuar krijimin e këtij identiteti teknologjisë, celularit, rrjeteve sociale dhe shoqërisë. Shoqërisë, duke parë e imituar shembuj që ekspozohen çdo ditë në media, që shfaqen si “thyerje e tabuve” por në fakt në perceptimin tim janë “thyerje të sinjaleve të shëndetshme”… dhe adoleshenti si një imitues i mirë, se imitimi është një aftësi bazë e kësaj grupmoshe për përkatësi sociale por edhe si aftësi “mbijetese”, zhytet në këto thyerje tabush pa më të voglën ndërgjegje.
Por çfarë është ndërgjegjja për një adoleshent?
Në fakt unë do doja të kaloja pak më tej, çfarë është ndërgjegjja për një të rritur? Sipas një përcaktimi të thjeshtë, ndërgjegjja është vetëdije, çka do të thotë të qenët në kontakt me vlerat, parimet, virtytet e tua mbështetur dhe në disa norma dhe vlera sociale. Të kesh njohuri për identitetin tënd dhe të veprosh në përputhje me këto njohuri. Ndërgjegjja kërkon kohë, përkushtim, angazhim, eksperiencë, që të formohet, të brendësohet si dhe të vetëperceptohet, ndaj për një adoleshent ndërgjegjja është në hapat e parë të krijimit.
Si busulla e tyre, NE të rriturit përreth tij/saj duhet të kujdesen në tejçimin e sinjaleve orientuese që ndërgjegjja e një adoleshenti të jetë në hapa të sigurtë dhe të shëndetshme. Por pyetjet më të shpeshta janë:
Si?
Si i bëhet kjo?
Si ndërtohen apo përcillen këto sinjale?
Sipas Kohlberg, një fëmijë i moshës 13 vjeç i përket stadit të një zhvillimi moral konvencional ku arsyetimi bazohet në konformizmin dhe standardet sociale, dhe adoleshenti sillet me të tjerët sipas disa standardeve në mënyrë që të marrë miratimin dhe pëlqimin e të tjerëve. Por gjithashtu adoleshenti në zhvillimin e këtij stadi, ka gjithashtu edhe konformizmin ndaj autoritetit në mënyrë që të shmanget ndjenja e fajit. Ndaj në këtë stad përpos marrjes së miratimit nga grupet shoqërore ka fuqi gjithashtu edhe autoriteti (që janë të rriturit, me parapërcaktimin e rregullave, limitive, kufizimeve dhe standardeve të shëndetshme) në mënyrë që të formojmë tek adoleshenti një individ të ndërgjegjshëm, me vetëdije të lartë.
Kthehemi në pyetjen si?
Prindër dhe të rritur që ndodheni afër adoleshentëve, dijeni që fjala juaj ka peshë por ka dhe përgjegjësi, ndaj të jemi të përgjegjshëm në orientimin e tyre. Sugjerimi i parë dhe shumë i rëndësishëm është të kaluarit kohë më ta, t’i njihni dhe të kuptoni (pa gjykuar) dëshirat, idetë, aspiratat, mendimet, pëlqimet që ata kanë.
Ndihmoni në formimin e besimit reciprok, kini besim tek ata, por njëkohësisht jepni besim!
Inkurajojini të flasin, të shprehin idetë e tyre, por njëkohësisht dhe të dëgjojnë, ndihmojnë, mbështetin bashkëmoshatarët dhe personat e tjerë që kanë nevojë për ndihmë! Kështu ndihmoni që adoleshentët të jenë më empatikë dhe më socialë. Kjo e fundit është një cilësi apo aftësi për të cilën adoleshentët e ditëve të sotme e kanë shumë të nevojshme dhe të domosdoshme.
Faleminderit për leximin!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.