FB

April 23, 2024 | 7:05

Marrëdhëniet mes vëllezërve dhe rritja e fëmijës sipas Frojdit

Mes shkrimeve të shumta të Frojdit gjejmë referime të shpeshta për marrëdhënien mes vëllezërve, mbi dinamikat dhe rritjen e individit brenda mikrokozmosit familjar. Duke folur për raportin vëllazëror, Frojdi shkruan: “Nuk e di pse mendohet që ky raport duhet të jetë i ngrohtë; në të vërtetë shembujt e armiqësisë mes vëllezërve dhe motrave të rritura janë deklaruar nga përvojat e të gjithëve dhe shpesh është e mundur të dallohet se mungesa e harmonisë fillon qysh nga fëmijëria ose ka ekzistuar gjithnjë.

motervella

Sakaq është e vërtetë edhe se shumë të rritur, që kanë marrëdhënie të ngrohta me vëllezërit e motrat, dhe sot janë të gatshëm për t’i mbështetur, kanë kaluar një fëmijëri të rrëmbyer armiqësie”.

Duke iu referuar xhelozisë mes fëmijëve, Frojdi nënvizon se kjo është tek të gjithë, por nuk vihet re për sa kohë nuk është shumë e thellë: “Rrallëherë kemi një perceptim të qartë të forcës së këtyre impulsive të xhelozisë. Vetë Frojdi gjatë vetanalizës risjell në kujtesë dëshirën për vdekje në lidhje me vëllanë e vogël dhe rivalitetin mes vëllezërve.

Lidhja e çdo fëmije më vëllezërit ndryshon edhe sipas radhës së lindjes: fëmija më i madh e keqtrajton gjithnjë më të voglin, inatoset me të dhe i merr lodrat. Më i vogli provon për pasojë ndjenjat e zemërimit dhe urrejtjes dhe i paaftë përballë më të madhit, bëhet ziliqar për të. Qysh në momentin e lindjes së vëllait, një fëmijë mund të ndjejë urrejtje që sipas Frojdit: “duket sikur është me një rregullsi absolute më e hershme. Një fëmijë mund ta vlerësojë me saktësi papërshtatshmërinë që do të presë nga ana e të voglit të panjohur (…). Edhe nëse fëmija do ta njohë situatën vetëm pas disa kohësh, armiqësia fillon qysh në këtë moment”. Ky emocion mund të vihet re lehtësisht në fëmijët mes moshës 2 dhe 5 vjeç, në momentin që mbërrin motra ose vëllai. Shpesh shfaqen qëndrime mospranimi dhe ka shprehje tipike verbale: “Nuk e dua”, “ta largojmë”. Madje mund të ketë tentativa të vërteta fizike për t’i bërë keq të sapolindurit.

Fëmijët janë krejtësisht egoistë: I ndjejnë thellësisht nevojat e tyre dhe luftojnë për t’i përmbushur, kundër rivalëve e sidomos kundër “vëllezërve dhe motrave”. Kjo shprehje antipatie ose edhe urrejtjeje është më e dukshme nëse diferenca mes fëmijëve është e vogël. E sidomos kur diferenca është aq e vogël, sa nëna duhet ta shkëpusë më të madhin nga dhënia e gjirit. Më i madhi ndihet i zhgënjyer, sikur i kanë mohuar të drejtat që i takojnë. Me kalimin e kohës këto ndjenja nuk rishfaqen, por mbeten të fshehura në të pandërgjegjshmen tonë si prototipi i armiqësisë së ardhshme. Gjithnjë sipas Frojdit, nuk duhet të çuditemi nëse në ëndrrat e të rriturve gjejmë ndonjëherë dëshirën për ta eliminuar vëllanë.

Këto s’janë gjë tjetër veçse shprehje të pandërgjegjshme të ndjenjave armiqësore të pranishme në çdo raport vëllazëror: “Shumë njerëz që i duan vëllezërit dhe motrat dhe që do të ndiheshin të mjeruar nga vdekja e tyre, ushqejnë kundrejt tyre ndjesi të këqija në të pandërgjegjshmen e vet e këto dëshira mund të realizohen nëpër ëndrra”. Në vitet e para të jetës është një rregull dhe jo përjashtim, të jesh i shtyrë drejt vëllezërve dhe prindërve nga ndjenja e urrejtjes dhe inatit ashtu si nga dashuria dhe përkujdesja. Kjo ambivalencë lehtësisht mund të shkaktojë frikë dhe ndjesi faji që shpesh janë në origjinë të shumë shqetësimeve psikologjike dhe të shqetësimeve karakteriale, përfshi edhe një lloj sjelljeje kriminale të vazhdueshme.

Sipas mendimit të Frojdit mund edhe të kuptohet që fëmija më i madh, duke perceptuar se është i shpërfillur nga prindërit, kultivon idenë se është një fëmijë i adoptuar, duke justifikuar në këtë mënyrë atë që ai e jeton si një sjellje armiqësore ndaj tij. Në rastin e kundërt, kur ka një diferencë më të madhe moshe mes vëllezërve, është më e lehtë të ketë ndjenja simpatie; i sapombërrituri mund të shihet si një “kukull e gjallë” dhe mundet si në rastet e vajzave të zgjojë impulset mëmësore dhe të përkujdesjes.

Një ndikim i fundit i ushtruar nga lindja, të cilit Frojdi i jep rëndësi të veçantë, është ai i zhvillimit psikoseksual të fëmijës. “Lindja e një vajze kur Hansi ynë ishte tre vjeç pati një rëndësi shumë të madhe për zhvillimin e tij psikoseksual”. Pashmangshëm, kjo risi në jetën e një fëmije shtron pyetjen: si lindin fëmijët? Dhe prindërit janë para nevojës për të dhënë përgjigje. Të rriturit janë gati të tregojnë përrallën e lejlekut që i sjell bebet, kurse fëmijët e besojnë shumë më pak sa ç’mendojnë prindërit.

Në analizën e rastit të Hansit të vogël, lindja e së motrës e ka nxitur shumë më parë tek ai dyshimin për historinë me lejlekun. Frojdi është i bindur se kjo përrallë nuk e bind fëmijën, i cili atëherë ndihet i tradhtuar dhe i zhgënjyer nga prindërit. I shtyrë nga dëshira për të njohur dhe marrë përgjigje, fëmija do të përpiqet ta zgjidhë problemin me mjetet e veta. Kjo do ta shkëpusë nga të rriturit e do ta ndihmojë në zhvillimin e pavarësinë e tij dhe do të jetë edhe një mundësi për rritjen e tij intelektuale.

Zhvillimi intelektual nuk do të jetë vetëm nga nevoja për të gjetur përgjigjen e pyetjes se si lindin fëmijët, por edhe për vlerësimin e kufijve të fëmijës. Shumë shpejt fëmija do të kuptojë se nuk mund të lirohet nga vëllaçkoja e aq më pak mund të këmbëngulë në qëndrimin e vet armiqësor ndaj tij. Duhet t’ia dalë, pra ta pranojë të sapombërriturin dhe të bashkëndajë me të, fizikisht dhe psiqikisht atë që më parë ka qenë ekskluzive e tij. Më shumë se të rrezikoje humbjen e dashurisë prindërore, fëmija preferon ta ndajë atë me të sapombërriturin: dhe ja ku lind edhe koncepti i drejtësisë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top