Shkalla e banalitetit ka arritur në ato nivele që nuk arrijmë më ta dallojmë dhe kuptojmë që është bërë mënyrë të jetuari dhe të qeni. Kudo dëgjon sharje dhe fyerje në adresë të njëri-tjetrit. Të gjithë pretendojnë që janë elitarë, por banaliteti nuk u ndahet as nga fjalët dhe as nga sjelljet.
Nga Lira Gjika, mjeke pediatre
Të gjithë pa përjashtim, shtetarë, fetarë, të shkolluar e të pashkolluar, janë në një nivel gjuhësor. Të gjithë flasin të nxitur nga ndjesitë dhe jo pasi kanë menduar mirë e mirë dhe kanë gjetur e zgjedhur fjalët. Gjithçka përdoret: patriotizmi, feja, historia, shkenca dhe shteti. Madje edhe vdekja. Asnjë nuk mendon se çfarë flet. Asnjë nuk përpiqet të dëgjojë veten dhe të lexojë atë që shkruan e poston.
Asnjë i rritur nuk kujtohet se përqark tij janë fëmijë që shikojnë e dëgjojnë se si sillen e flasin të rriturit. Asnjë nuk kujtohet për detyrën dhe misionin e vet si i rritur përballë fëmijëve. Të gjithë lakmojnë fëmijët e huaj dhe çuditen me fëmijët e tyre që janë pa edukatë. Këta të rritur harrojnë që sjellja është pasojë e modeleve dhe edukimin që u imponojmë fëmijëve nëpërmjet mënyrës së tyre të të sjellurit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.