FB

July 6, 2021 | 8:16

“Sjelljet problem” te fëmijët”, çfarë fshihet pas tyre?

Nga Adela Mezini, psikologe këshillimi, terapiste për fëmijët me nevoja të veçanta

 

“Sjelljet problem”, shpërthimet ose tantrumet, janë më të zakonshme te fëmijët e vegjël dhe mosha parashkollore. Pasi rreth moshës 1-3 vjeç fillojnë dhe zhvillohen aftësitë social-emocionale. Tantrumet shfaqen në forma nga më të ndryshmet dhe janë mënyra se si fëmija reagon dhe përballet me një situatë stresuese dhe të vështirë. Tantrumet janë mënyra se si fëmija shpreh, komunikon emocionet sipas situatës. Janë komunikim për një nevojë që nuk duhet injoruar. Ato mund të përfshijnë sjellje të ndryshme si shpërthime të zemërimit, përplasje të objekteve në tokë, të zvarritura në dysheme, të bërtitura dhe sjellje të çorganizuar.

0

“Sjelljet problem” janë ato sjellje që janë të vazhdueshme në kohë dhe me intensitet dhe kanë frekuencë. Shpeshherë nga figurat autoritare fëmijët me këto sjellje etiketohen si fëmijë të “prapë”, të padëgjuar, “kokëfortë”, problematikë etj. Përpara se të arrijmë në një përfundim duhet të dimë dhe njohim se: Kur ndodh sjellja?, Çfarë bën konkretisht fëmija? Si dhe sa shpesh e bën sjelljen?, Çfarë ndodh pasi sjellja ndodh? Dhe më e rëndësishmja të kuptojmë funksionin e sjelljes? Çfarë do fëmija të na thotë, të na komunikojë?, Kush është nevoja e fëmijës?

Një sjellje ka për funksion:

Të marrë ose të mbahet aktiviteti i preferuar

Të kërkuarit e vëmendjes

Arratisja ose shmangia nga një situatë

Komunikimi

Dëshira për të kontrolluar

Shpeshherë sjellja problem mund të jetë një simptomë ose tregues për problematika të ndryshme, prandaj e rëndësishme është që për t’u përballur me problemin, të kuptohet çfarë fshihet pas kësaj sjelljeje.

Pas një “sjellje problem” mund të fshihen një sërë vështirësish të fëmijës.

Situatat ankthioze.

Në situata të pafamiljarizuara, të reja, fëmijët përjetojnë ankth. Niveli i ankthit është më i lartë kryesisht te fëmijët që janë të ndrojtur, të tërhequr, me vetëvlerësim më të ulët. Ankthi i bën fëmijët të shpërthejnë në sjellje jashtë kontrollit, këtu mund të kemi tantrume si një mënyrë për t’u larguar nga situate.

Fëmijët që mund të kenë vështirësi të ndryshme zhvillimi, veçanërisht fëmijët me vonesa gjuhësore, për shkak se nuk arrijnë dot të shprehen me fjalë, të shprehen rreth ndjenjave të tyre, bëhen nervozë dhe sjellja mund të agravojë deri në agresivitet. Shpërthime të sjelljes mund të jenë të pranishme.

Vështirësitë sensoriale janë ato që i bëjnë fëmijët të dalin jashtë kontrollit. Kryesisht fëmijët që kanë vështirësi në proçesimin e informacionit sensorial mund të kenë sjellje konfuze, ekstreme, pasi mënyra se si procesohet informacioni i marrë dhe perceptimi është i ndryshëm, dhe shqisat e tyre janë të mbipërfshira.

Natyra e fëmijëve që kërkojnë gjithmonë të jenë lideri i grupit, udhëheqës. Këto janë situata në të cilën fëmija e ka të vështirë të pranojë rregullat e grupit, të bashkëveprojë dhe për këtë arsye shpesh gjendet në situata konfliktuale dhe antisociale me bashkëmoshatarët. Këtu mbizotëron dëshira për të treguar kontroll dhe fuqi nga ana e fëmijës.

2

Vështirësitë në të nxënë, fëmijët që ndeshen me sfida të tilla, shpeshherë ndihen të frustruar, të demotivuar, kanë vetëvlerësim të ulët, pasi perceptimi për veten e tyre është se janë më pak të zgjuar se shokët. Të gjitha këto ndjenja mund të bëhen shkak për humbjen e kontrollit ndaj sjelljes.

Në fëmijët me çrregullim të vëmendjes me hiperaktivitet, sjellja problem është shpesh rezultat i simptomave të vështirësisë së vëmendjes dhe hiperaktivitetit. Impulsiviteti, hiperaktiviteti, ndërlikon më shumë sjelljen e tyre. Ata e kanë të vështirë t’ju binden rregullave nga figurat autoritare dhe kur iu kërkohen me insistim, kanë tendencën të kundërshtojnë dhe të reagojnë me impulsivitet.

Fëmijët që kanë vështirësi në menaxhimin e emocioneve. Rreth moshës parashkollore fëmijët ndihen konfuzë rreth ndjenjave që përjetojnë në një situatë të caktuar. Për shkak të këtij çekuilibrimi emocional fëmijët shpërthejnë në sjellje të ndryshme. Ndihen të mbipërfshirë dhe reagojnë me shpërthime, të qara, të bërtitura. Për këtë arsye puna me kontrollin e emocioneve dhe rivendosja e kontaktit me të rriturit është gjëja e duhur për t’u bërë.

Traumat

Fëmijët me eksperienca traumatike, fëmijët e neglizhuar, kanë një hiperndjeshmëri ndaj situatave të cilat i shqetësojnë apo i mërzitin. Shpeshherë përdoret si një mekanizëm mbrojtës, reagimi me aresivitet, pasi të tjerët shihen më pak të besueshëm.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top