Psikofakt

December 28, 2020 | 8:11

Sociologu Gëzim Tushi: Pandemia, gjeometria e lidhjeve hapësinore dhe aritmetika e të menduarit

Gradualisht po mësohemi të “bashkëjetojmë” edhe pse në mënyrë të detyruar, me ekzistencën ndikimeve fizike dhe turbulencat “metafizike” të virusit Covid 19. Shoqëria mbase me ca sforcim, po përpiqet të reflektojë pertej asaj që duket në nivelin e njohur tashmë të efekteve empirike të sëmundjes virusale, dhe në mënyrë sa më adekuate është në betejën ekzistenciale për tu mbrojtur dhe përshtatur me “veset” dhe tekat e saj.

Nga Gëzim Tushi, sociolog, "Mjeshtër i Madh"

Nga Gëzim Tushi, sociolog, “Mjeshtër i Madh”

Ana mjekësore dhe sidomos rreziqet agresive e vdekje prurëse të kësaj patologjie vazhdojnë të jenë në qëndër të vëmëndjes, në fokusin e jetës së përditëshme dhe shqetësimeve evidente sociale dhe individuale. U bë një kohë e gjatë që nën ndikimin degradues dhe corroditës të Covi 19, njerëzit jetojnë në panik, i shoqëruar nga frikra dhe sociale pasiguri individuale. Virusi duke na rrezikuar të tashmen, nuk po na lë të shikojmë qartë horizontin e ndryshimeve esenciale që ai kërkon, dhe me sa duket do të bëhen sjellje determinante në të ardhmen. Qoftë në aspektin e ridimensionimit të sjelljes individuale apo të mënyrave të reja të komportimit social.
Efektet e këtij “virusi mikroskopik” nuk janë vetëm patologji kalimtare. Me siguri, pasi të kalojë rreziku do fillojmë të kuptojmë dhe reflektojmë në aspektin e urgjencës dhe domosdoshmërisë së ndryshimeve të sjelljes sociale, të gjithë formave të vjetra arkaike të llojeve të socializimit dhe tipologjive tradicionale të komunitarizmit. Të cilat jo vetëm do të ndryshojnë dhe nuk do të jenë sikurse kanë qënë më parë. Kjo do të thotë që duhet të përgatitemi për efektet sociale afatmesme dhe afatgjata, të ndryshimeve në të gjithë strukturat makro të jetës sociale, në modulet empirike të formave të ndryshuara të komportimit individual.

Two friends stuck at home wave to each other during Covid-19 pandemic

Pak kohë ka kaluar nga fillimi i përballjes me këtë virus, por sociologjikisht ka qënë “kohë e mjaftueshme” për të bërë analiza e prognoza të ndryshimeve të thella, të përgjithshme, gati me natyrë metafizike që po të ndodhin në jetën tonë. Sinjalet sociale janë të qarta. Ka filluar një proces i gjërë i reflektimit të ndryshimeve të nevojshme e të domosdoshme në piramidën e vjetër të sistemit të njohur të “vlerave tradicionale”. Ato në mënyrë të natyrshme kanë filluar të reflektohen në mënyrë direkte apo të tërthortë në modulet e reja “postcovid” të sjelljes sociale.

Nëse ka një gjë që bie dukshëm në sy, është raporti i ri i ndryshuar i njerëzve në kontaktet e përditshme dhe mënyrat e orientimit me hapësirat sociale. Kujdesi që po bëhet gjithnjë e më shumë dominant, kthimi në modul kulturor dhe etik sigurimi i garantuar i distancës sociale dhe fizike, edhe pse akoma me mangësi e të meta të dukshme në sjelljen urbane, në mënyrë të sigurt flasin për një përmbysje konceptuale, ridimensionim human dhe shëndetësor të “gjeometrisë” së lidhjeve sociale.

Jo vetëm kaq, jo vetëm raportet e vjetra të relacioneve hapësinore individ-shoqëri po ndryshojne, por radikalisht po transformohet edhe “aritmetika” e të menduarit të lidhjeve dhe raporteve sociale, duke i dhënë një spunto të re prirjes dhe natyrës individualiste të sjelljes së njeriut në kornizat e shoqërisë postmoderne.
Nëse më parë lidhjet e zgjeruara sociale, kolektive, komunitariste ishin shprehje të vlerave të mira tradicionale, tashme duket se distancimi, kujdesi, shmangia e socialiteteve të tepërta të panevojshme, është një vlerë që vjen nga dy faktorë të integruar. Njëra është prirja e natyrshme individualiste e jetës postmoderne dhe tjetra është nevoja shëndetësore, që kërkon ka si konditë sine qua non shndërimin në kulturë të jetës së përditshme të modaliteteve, moduleve të distancimit fizik e social.

Ky është një tjetër “revolucion social” që po ndryshon “aritmetikën e të menduarit”. Një gjeometri e re e lidhjeve hapësinore dhe bashkë me të, aritmetika e të menduarit pak më shumë individualist, janë me sa duket “ilacet” komplementare shtesë, për të garantuar shmangien e rrezikut dhe respektimin skrupuloz, pa tolerancë të parimeve të shëndetit.
Rezistenca e sjelljeve sociale arkaike është kundërproduktive, dhe “aleate” e natyrshme” e zgjatjes së rreziqeve të pandemisë.

Pandemia është faktor i “jashtëm”, që na detyron të rishikojmë shumë module të vjetra të sjelljeve me natyrë supersociale, arkaike e populiste. Në këtë kontekst, kanë filluar të duken prirjet e reja të orientimit social të individit, të cilat tregojnë se do kemi ndryshime të rëndësishme, që do prekin bazat e vjetra, format arkaike të bashkëjetesës. Arti i “bashkëjetesës sociale” gjatë dhe pas pandemisë do pësojë ndryshime thelbësore. Qoftë të detyruara nga rreziku.

Në këtë kontekst, duhet të përgatitemi, të marrim masa dhe të përvehtësojmë rregullat e reja, kërkesat e ndryshuara të “artit të bashkëjetesës” në epokën post covidiane. Ndryshime të cilat janë sanitarisht obligative dhe shoqërisht të dobishme. Në fund të fundit, shoqëria shqiptare do të bëjë ato modifikime në sistemin e vjetër të vlerave, mënyrat tradicionale e metafizike të sjelljes sociale, duke qënë e bindur se është në rrugën e duhur të adoptimit të reagimit social të shëndetshëm.
Askush nuk ka të drejtë të pengojë këto ndryshime, që janë konform me parimet e mbrojtjes së shëndetit individual dhe garantimit të shëndetit publik. Shpërbërja e paradigmave të vjetra, tradicionale e klasike, formave se si jemi socializuar në të kaluarën, është një lëvizje socio-sanitare e “re” dhe e detyruar. Por është kusht thelbësor në mbrojtje të jetës.
Covid 19 na dha mësimin e madh. Mbi parimet shëndetit, asgjë nuk ka vlerë. Kjo është arsyeja pse themi që shoqëria jonë ka nevojë për një kulturë sociale të ndryshuar, ndoshta të “përmbysur”, thelbi i të cilës është: Cdo gjë që është kundër shëndetit duhet shmangur dhe neglizhuar! Në jetë arsyeja është e para. Kjo do të thotë që të bëjmë mirë llogaritë me sjelljet sociale. Sidomos kur ato janë kundërproduktive…

Publikuar në gazetën Koha Jonë

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top