Këto janë nga ato histori që thua me vete, si ka mundësi? Një soprano e njohur, një grua e fortë dhe me karrierë të pasur artistike, të ketë mbajtur më vete një barrë emocionale, e cila u konsiderua në krye të emisionit të Rudina Magjistarit, si e jashtëzakonshme.
Edith Mihali, kjo grua e bukur si në rininë e asaj ashtu dhe në vitet e sotme të moshës së tretë, ka rrëfyer në ndjesi të papërshkrueshme përgjatë 60 minutave, jetën e saj familjare, njohjen me bashkëshortin, Prokopin, martesën, ardhjen në jetë të djalit të vetëm si dhe për karrierën, të cilën vazhdon ta ndjekë me ritëm pak më të ulët.
“Kisha kohë që e dëshiroja një rrëfim të tillë”, iu drejtua në fillim të emisionit sopranoja, ndërsa tha se kjo dëshirë iu realizua brenda 24-orëve kur mori telefonatën e shumëpritur nga drejtuesja e emisionit.
Në bashkëbisedimin me nota ndjesore, të gërshetuara midis familjes, karrierës, bashkëshortit dhe jetës, zonja Edith rrëfeu pikënisjen e saj me artin, mbarimin e liceut dhe regjistrimin me vështirësi në ish-Institutin e Lartë të Arteve, aty ku u njoh dhe me bashkëshortin e saj Prokopin, lidhje që i rezistoi 17-vite shtëpi më vete, nga e cila sollën në jetë djalin e tyre.
“Ishte një mos pranim drastik nga ana e nënës”, tregoi Edithi, e cila nuk e kishte dashur dhe miratuar asnjëherë lidhjen e së bijës me djalin 15 vite e gjysmë më të madh.
Vështirësitë e kësaj jete me pengesa të forta, Mihali i rrëfeu përgjatë bisedës së udhëhequr ngrohtë nga ana e drejtueses së emisionit, Rudina, e cila i dha ngjyresa duke e zbutur me ndërhyrjet e inserteve të ndryshme, ku njëra prej tyre ishte video-mesazhi surprizë nga nipi i saj Mateo, 26-vjeçar.
Përgatiti Orjona TRESA / Burimi https://www.youtube.com/watch?time_continue=2&v=Zna2Iz020A8
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.