Marrëdhënie

May 13, 2016 | 10:29

Sotir Dhamo: Paralel me babanë

Të ndjekësh rrugën e babait apo zërin e ndërgjegjes! Kjo është çështja (sidomos kur nuk përkojnë). Dhe një çështje themelore, pasi bëhet fjalë për të ardhmen. Sakaq, sa e vështirë është të bëhet zgjedhja, aq është e vështirë të ndërgjegjësohet njeriu për saktësinë e saj, pikërisht në moshën në të cilën ndodhet kur i duhet ta bëjë. Zgjedhjen pra. Nuk është një moshë edhe aq e ndërgjegjshme tek e fundit, njohja e vetvetes sapo ka filluar. Ndaj bëhet shpesh e pashmangshme ndërhyrja e prindërve. Sugjerimi e ndonjëherë imponimi, pavarësisht rezultatit final që do të fillojë të duket më vonë. Nganjëherë sugjerimi s’është i nevojshëm, aq më pak imponimi: fëmijët ecin vetë në gjurmët e prindit, për një kërkesë të brendshme. E sakaq të gjitha përparësitë janë aty, të rreshtuara njëra pas tjetrës: fëmija ka të njëjtat pasione si prindi, mund të udhëzohet nga ai, të marrë leksione, të përdorë bibliotekën, njohjet e miqtë gjithashtu, për të arritur në fund fare në një rezultat të kënaqshëm, pse jo ideal. Raste të tilla s’mungojnë… Po rasti i Sotir Dhamos, cili është? I ati, Thoma Thomai, kishte mundësinë që të rriste një bir me mendimin se po krijonte një artist të ardhshëm. Një skulptor si edhe ai? Mund të ishte përpjekur së paku, por nuk mendonte kështu. Dhe nuk e bëri. E megjithatë nuk jemi larg ecjes së birit në gjurmët e atit…

***

Skica e fëmijërisë është lehtësisht e vizatueshme për Sotir Dhamon: Sigurisht vizatonte, pastelat që lëshonin gjurmë të forta në letër i pëlqenin më shumë. Librat me figura të babait gjithashtu. Herë-herës kalonte nga studioja e madhe, merrte pak prej baltës që sapo kish mbërritur, të butë e të përpunueshme, apo bënte bashkë ca copëza nga ato që kishin rënë përtokë gjatë modelimit të shtatores në proces dhe përpunonte aty për aty diçka të vetën, të vogël, të përmasave të tij fëminore. “Ah, ky djalë do të bëhet skulptor”. Zëri që e artikulonte ishte i një mysafiri të rastësishëm apo i një miku të babait, gjithashtu artist. Djali ishte mësuar ta dëgjonte, por gjithnjë të pasuar nga e njëjta përgjigje e babait: “Skulptor! Eh jo…”. Dhe kundërshtimi dukej kategorik. Ku ta dish ç’i shkonte ndërmend Sotirit të vogël. Por një gjë ishte e sigurt. S’i dukej ndonjë humbje e madhe, përndryshe do të kish kundërshtuar. Kurse i ati, ndoshta pikërisht këtë kish vënë re: djali i tij i vetëm nuk është se zgjohej në mëngjes i kapluar nga padurimi për të shkuar në studion e babait. Dinte të vizatonte, po. Por, mesa duket Thoma Thomait kaq nuk i mjaftonte për ta menduar të birin në profesionin e vet. Mundet që ka menduar edhe vështirësitë e karakterit fizik të profesionit… monumente, skela të mëdha, shkallë… piedestale…

***

Nga ana tjetër, ajo që Sotir Dhamo ndjente dhe që sot di ta shpjegojë fare qartë, është një lloj adhurimi që krijonte distancë. Të gjithë fëmijëve u ndodh, sidomos kur babai është një figurë publike. Edhe për Sotirin i ati ishte hijerëndë, gati-gati frikësues me zotërimin… Ishte një lloj miti. Dhe i rrinte larg (artistit jo babait) e trembej ta shihte veten në pozicionin e tij. E kështu, njëri me “frikën” për t’iu afruar atit dhe tjetri me mendimin për t’i lënë ujërat të rrjedhin në shtratin e vet, babë e birë Dhamo nuk i kaluan vitet e para të jetës së tyre të përbashkët duke dhënë e marrë me njëri-tjetrin në studio a mbi fletë vizatimi.

*** Por mbërriti një moment i rëndësishëm. Djali e mori diplomën e gjimnazit. Ç’shkollë do të vazhdojë? Vizatimet (për shkak të reagimit aspak miqësor të një mësueseje të hershme, që nuk i kish pëlqyer molla e vizatuar nga Sotiri) pothuaj i kish lënë mënjanë. Përpjekjet e nënës pianiste që ta përfshinte në rrugën e muzikës rezultuan të dështuara. Vërtet me kënaqësi, Sotiri harrohej mbi ca eksperimente të çuditshme: mbillte fara të ndryshme duke u rrekur të realizojë pasuksesshëm hibride. Natyra e joshte, botanika, biologjia… Por edhe një ide e vagullt për t’iu kushtuar këtij profesioni u rrëzua sa hap e mbyll sytë, sapo dikush i tha gjimnazistit: “… e çdo të bëhesh?! Mësues biologjie…” S’ia vlente. E atëherë? Në ç’rrugë profesionale duhej këshilluar të fillonte ecjen? Djali ishte pak konfuz, por në këtë ndërkohë babai paskësh vëzhguar së largu, pa rënë në sy. Lidhja me artin pamor nuk mund të shpërfillej: “Do të zgjedhësh arkitekturën”. Pothuaj qe një vendim atëror, por asnjëherë nuk u shpreh si i tillë. Thoma Thomai u tregua i kujdesshëm. Djali duhej të zgjidhte vetë. Ndoshta kishte nevojë për një orientim, por duhej të hynte në rrugën e propozuar me vullnet. Nga ana tjetër u tregua racional: diti mirë (siç rezulton sot) ta lidhë logjikën me pasionin e të birit. Por duhet ta ketë ditur mirë, se kësisoj po i jepte fëmijës një “zanat”, e aq më tepër po e ndihmonte atë të hidhte hapa drejt pavarësimit. Po: arkitektura ishte për Sotirin. Nëse flitej për aspektin artistik të profesionit, ai e kishte: mjedisi në të cilin qe rritur kishte ndikimin e vet, veprat e artit, librat. Gjeni nuk mund të mos ngrinte krye, ndaj edhe pse Sotiri s’merrej intensivisht me vizatim, dihej tashmë që ai e zotëronte këtë aftësi. Dhe përfundimisht u vendos: do të ecte deri diku në gjurmët e të atit. Do të ishte herë përkitazi e herë paralel, por asnjëherë në skajin e kundërt me babanë. Qëndroi në një prej degëve të të njëjtit trung, të cilit edhe babai vetë i përkiste. Ama në një degë të sigurt, ku edhe vetë ndihej mirë… Nuk ishte e as është e pazakontë që djali i një piktori të bëhet arkitekt.

Psikologji Tetor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top