Këshilla & Arsye

May 11, 2018 | 10:26

Spondiliartroza, sëmundja e kohës që jetojmë: shkaqet dhe mënyrat e trajtimit

Ankesat për shkak të spondiliatrozës, pa dyshim janë nga ato që hasen më shpesh në masën e gjerë të njerëzve. Kjo ka bërë që kjo patologji të cilësohet edhe si “sëmundja e kohës që jetojmë”. Jeta sedentare, mosha e shpeshherë edhe puna, janë shkaqe për ndryshime të pakthyeshme në shtyllën kurrizore, e cila manifestohet me dhimbje qafe, shpine ose mesi.

Mjeke reumatologe, Rovena Liço

Mjeke reumatologe, Rovena Liço

Edhe pse këto të fundit nuk janë fatale për jetën, e vështirësojnë shumë atë. Por, lajmi i mirë është se ajo është e menaxhueshme në rast se kapet dhe trajtohet në kohë. Mjekja reumatologe, Rovena Liço, tregon faktorët e riskut që çojnë në lindjen e spondiliartrozës dhe mënyrën e trajtimit. Qetësimi i dhimbjeve të pacientit është sfida e profesionit të saj, i cili shpesh kërkon edhe bashkëpunimin me profesionistë të tjerë të shëndetësisë si: neurologu, ortopedi apo neurokirurgu, për t’i dhënë pacientit zgjidhje përfundimtare.

SPONDILIARTROZA

Spondiliartroza bën pjesë në grupin e sëmundjeve degjenerative të aparatit osteoartikular që prek shtyllën kurrizore. Shtylla kurrizore është e përbërë prej 33 rruazash, që lidhen me njëra-tjetrën e nëpërmjet saj ne jemi në gjendje të ruajmë drejt qëndrimin e lëvizshmërinë. Është pothuajse e paevitueshme që pas njëfarë moshë, kryesisht pas të 50-ve, sistemi ynë osteo-artikular të mos pësojë ndryshime strukturore. Kur këto ndryshime prekin shtyllën kurrizore, mund të manifestohen me dhimbje, e në varësi të zonës së prekur, me dhimbje qafe, dhimbje shpine ose dhimbje mesi.

spondiliartroza

SIMPTOMAT E SËMUNDJES

Spondiliartroza mund të variojë nga asimptomatike deri në shfaqjen e shenjave të tilla si dhimbje të forta mesi, qafe apo shpine, shoqëruar me vështirë në lëvizje apo vështirësi për të filluar lëvizjen pas një periudhe qetësie. Siç u tha edhe më lart, spondiliartroza përfshin një grup ndryshimesh strukturore që mund të prekin elementë të ndryshëm anatomikë të saj. Për shembull, në qoftë se ndryshimet prekin diskun vertebral, që është si një jastëk amortizues ndërmjet trupit të dy rruazave, shfaqet ajo që e kemi dëgjuar shpesh të flitet e që njerëzit i tremben shumë, hernia diskale, me dhimbje që përhapet në anësitë e sipërme apo të poshtme e që shoqërohet me fenomene mpirjeje ose mizamiza, në varësi të radixit nervor që disku i herniuar ngacmon. Në këto raste kërkohet domosdoshmërisht konsulta me neurologun ose neurokirurgun.

SHKAQET

Faktorët që ndikojnë në shfaqjen e saj janë të lidhur me moshën, obezitetin, predispozicionin gjenetik, histori të mëparshme traume dhe gjinia. Mosha është faktori kryesor, i cili është i lidhur me spondiliartrozën, megjithatë jo gjithmonë këto ndryshime korrelojnë me shfaqjen e shenjave klinike, çka do të thotë, që persona me ndryshime shumë të shprehura radiologjike mund të mos kenë ankesa të shprehura dhe anasjelltas. Obeziteti është një faktor tjetër predispozuar, duke qenë se kolona është strukturë peshëmbajtëse, obeziteti bëhet sidomos shkak për shfaqjen e spondiliartrozës lumbare, që është e lidhur me dhimbjet e mesit. Gjinia është një faktor tjetër predispozues, gratë vuajnë nga spondiliartroza dhe shqetësimet e lidhura me të janë dy herë më shumë se meshkujt. Në shoqëritë e industrializuara, osteoartriti është një nga shkaqet kryesorë të paaftësisë fizike dhe kosto e lartë për siguracionet shëndetësore. Në studimet e fundit është treguar që deri tashmë osteoartriti është një sëmundje që është neglizhuar, është konsideruar si pjesë e paevitueshme e procesit të plakjes, por në të vërtetë është një sëmundje e mirëfilltë që, përveç komponentit degjenerativ, përmban edhe komponent inflamator me çlirim citokinash e përfshirje të kërcit, kockës subkondrale, membranës sinoviale, ligamenteve.

FAKTORËT E RISKUT

Përveç shkaqeve madhore të njohura, tashmë ka dhe një sërë treguesish të tjerë që shërbejnë si faktorë risku për shfaqjen e spondiliartrozës. Më konkretisht, persona në profesione të caktuara janë më të rriskuar për të zhvilluar spondiliartrozë, persona që duhet të qëndrojnë në pozicion të detyruar për një kohë të gjatë, puna ne zyrë, dentistët, personat me punë të rënda fizike etj. Për persona të tillë të rriskuar, këshillohen ushtrime të herëpashershme në vendin e punës, pozicionimi sa më korrekt i trupit, evitimi i shtimit në peshë e të tjera. Pavarësisht që ndikimi i ndryshimit të temperaturës në dhimbjet e kyçeve ngelet një mit, shumica e pacientëve që vijnë ankohen se dhimbjet e tyre shtohen në kohë të vranët e mot të keq. Pavarësisht se kjo ngelet e pashpjegueshme shkencërisht, mund të lidhet me ndryshimin e presionit atmosferik që lidhet e me biomekanikën e funksionimit të sistemit osteo-artikular.

TRAJTIMI

Trajtimi ka të bëjë me qetësimin e simptomave që pacienti paraqet, ku më kryesorja është qetësimi i dhimbjeve. Shpeshherë, trajtimi është multidisiplinar dhe kërkon bashkëpunimin e mjekut reumatolog, neurolog, ortoped, neurokirurg, në varësi të situatës klinike që pacienti paraqet. Trajtimi konservativ konsiston në përdorimin e ilaçeve si antiinflamtorët josteroid, analgjezik, pomadave,miorelaxantëve. Trajtimi konservativ kombinohet me atë me fizioterapi, me përdorim të modaliteteve të ndryshme në varësi të simptomatikës. Spondiliartroza është sëmundje degjenerative që manifestohet me dhimbje të tipit mekanik, që shtohen nga lëvizja dhe aktiviteti fizik. Trajtimi i saj është multidisiplinar në varë- si të gjendjes klinike të pacientit. Ai konsiston në trajtim medikamentoz, lokal dhe sistemik, fizioterapi, ndryshim të stilit të jetesës, duke shtuar ushtrimet fizike për forcim të muskujve të shtyllës kurrizore, noti, ecja, rënia në peshë, postura sa më korrekte.

Burimi Gazeta Panorama Print

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top