FB

April 8, 2026 | 17:30

Streha e rreme, gënjeshtra që na mban në këmbë dhe e vërteta që na lë zbuluar

 

Ka një lloj tradhtie që nis që në mëngjes, sapo hap sytë dhe kupton se je ende këtu, e dënuar të jesh vetvetja edhe një ditë tjetër. Ndalem përballë pasqyrës për disa sekonda, me fytyrën ende të papërfunduar nga gjumi, dhe i përsëris vetes të njëjtën gënjeshtër të vogël: se sot do të jetë ndryshe. Por ja ku jam, mbetje e një fëmijërie që nuk e kërkova, duke pritur prej kësaj fytyre një shenjë që nuk vjen.

rezarta-gagani

Miqtë që kam lënë të mbeten pranë meje janë pasqyra të asaj që urrej te vetja. Dashuritë, edhe më keq: një lloj kanibalizmi të heshtur, ku secili ha nga tjetri aq sa të shtyjë edhe pak vetminë e vet. Ngadalë, me edukatë, sepse përtej nesh nuk ka asgjë tjetër veç kësaj urie.

Shfrytëzojmë tjetrin si karburant për të shtyrë edhe disa orë vetminë tonë. E quajmë këtë shkëmbim “nevojë” ose “dashuri”, ndërkohë që shpesh nuk është veçse një mënyrë më e durueshme për të mos mbetur vetëm me veten. Dhe pastaj pretendojmë se jemi të lirë. Po cila liri? Liria për të zgjedhur mes dy gënjeshtrave, mes dy mënyrave për të mos parë të njëjtën zbrazëti? Jetojmë brenda një plage që nuk mbyllet, por kemi mësuar t’i hedhim parfum sipër dhe ta quajmë kulturë. Unë e shoh këtë kalbje te vetja, te mënyra se si i përsëris vetes çdo mëngjes se sot do të jetë ndryshe, megjithëse e di se disa gjëra nuk ndryshojnë. Dhe mbetem prapë aty, para pasqyrës, pa asnjë tregim që ta mbajë fytyrën time në këmbë. Vetëm kjo zhveshje e ngadaltë, ajo që mbetet kur gënjeshtra bie dhe fytyra nuk ka më ku të fshihet. Dhe pikërisht kur mendon se ke mbetur vetëm me fytyrën tënde, hyn diçka nga jashtë dhe ta ndërpret edhe atë pak zbrazëti.

Bllokohem te një njoftim që më shfaqet në ekran, një tjetër tentativë e algoritmit për të më shitur një zgjidhje që nuk më duhet. E mbyll. Del një tjetër. Dokumentari vazhdon, por unë nuk jam më aty. Mjafton kaq pak për të të nxjerrë nga mendimi, për ta këputur në mes, për ta lënë të varur diku pa përfundim. Ndoshta pikërisht kështu funksionon gjithçka përreth nesh: jo duke na bindur, por duke mos na lënë kurrë vetëm aq sa të shkojmë deri në fund të asaj që mendojmë. Shoqëria nuk më duket më plagë. Por zhurmë. Një zhurmë e tillë që nuk të lë të dëgjosh as zbrazëtinë tënde deri në fund. Një përpjekje kolektive për ta mbytur heshtjen para se ajo të thotë diçka. Dhe kur më në fund nuk mbetet më asgjë për të mbuluar, hyn në atë gjendje që e quaj ndershmëri: jo më e mirë, vetëm më e huaj. Unë jam e huaj në këtë dhomë, në këtë trup, në këtë ese që po përpiqem ta nxjerr në dritë. Si një dëshmi se për një çast jam ende zgjuar, ndërsa gjithçka hyn e del prej meje pa lënë asnjë shenjë që të mund ta mbaja si timen.

E di çfarë është më e rëndë? Që pasi i pranoj të gjitha këto, fëmijërinë që më ka vrarë, dashuritë që më kanë lënë skelet, prapë më duhet të bëj gjëra. Të mbyll një derë, të paguaj një faturë, të përshëndes një fqinj që të sheh si “njeri normal”. Kjo është ajo gënjeshtra që na mban gjallë. Sillemi sikur kemi një të ardhme, ndërsa mezi mbajmë në këmbë atë që kemi sjellë deri këtu. Nëse për një sekondë do të binte çdo iluzion se diçka na sheh, do të shihnim se jemi tmerrësisht vetëm. Dhe në atë vetmi, ndershmëria është një lloj çmendurie. Është ai momenti kur kupton se edhe hija jote mbi mur nuk të përket ty, por dritës që të bie sipër. Ti nuk ke asgjë të sigurt, as veten. Edhe ky “unë” që mbron me kaq dëshpërim fillon të të vdesë në duar.

Në dhomë nuk lëviz asgjë, por unë e ndiej lodhjen e të gjitha atyre miqësive që i kam mbajtur gjallë me zor, si diçka që vazhdoi të marrë frymë edhe pasi kishte mbaruar me kohë. Autoshkatërrimi nuk është një shpërthim. Është ky pluhur i imët mbi gjithçka që kam prekur dhe nuk fshihet më.

Të thuash “asgjë nuk ka rëndësi” ndërsa mban ende në dorë atë që ke prishur, të bën të rrezikshëm. Unë jam e rrezikshme për veten, sepse e kam demaskuar çdo iluzion që më mbante ngrohtë. Dhe tani? Tani mbetet vetëm ky shkrim, kjo përpjekje e fundit për të parë nëse e vërteta mund të jetë diçka që nuk të lë më të fshihesh. Mbase e vërteta është thjesht ky moment: të jesh e thyer dhe të mos kesh më turp ta tregosh.

Në fund, kur drita e ditës fillon të zbehet dhe hija e dollapit zgjatet mbi dysheme si një gisht që më akuzon, kuptoj se edhe kjo përpjekje për të nxjerrë diçka në dritë nuk është veçse një mënyrë tjetër për të mos parë drejt. Unë shkruaj për t’i ikur kujtimit të asaj dore që nuk më mbrojti kur isha fëmijë, ose asaj që lashë të më ikte sepse nuk dija si të mbaja diçka që nuk vinte me dhimbje. Dashuritë e mia të sëmura kanë qenë mënyra më e durueshme përmes së cilës kam dëmtuar veten.

grua-vizatim

Dhe shoqëria? Ajo vazhdon të kalojë jashtë dritares me atë zhurmë të zakonshme që i ngjan jetës, por nuk mban asgjë prej saj. Ne jemi të gjithë bashkëfajtorë në këtë rend që vazhdon edhe pa ne. Unë, sepse po sillem sikur po e demaskoj botën; ata, sepse vazhdojnë të sillen sikur po e ndërtojnë atë.

Mbase rreziku i vërtetë nuk është të vdesësh, por të jetosh me sytë hapur ndërsa gjithçka rreth teje vazhdon të shkërmoqet. Të jesh e ndershme me faktin se asgjë nuk ka rëndësi, por prapë të të dhimbset mishi. Po e lë këtë shkrim këtu, siç lihet një gotë e zbrazët mbi tavolinë. Nuk ka mësim. Vetëm kjo lodhje e rëndë pas një dite ku u përpoqa të mos e zbukuroj mashtrimin.

Nesër do të zgjohem sërish, do të ulem para kësaj tryeze dhe do të shpik një tjetër rrëfim për të mbuluar kockën. Sepse gënjeshtra është e ngrohtë. Të mban në këmbë. Të jep një fytyrë me të cilën mund të dalësh para botës pa u shpërbërë. Por edhe e vërteta ka rrezikun e vet: nuk të shpëton, nuk të pastron, nuk të bën më të mirë. Vetëm të zhvesh deri në atë pikë ku nuk e di më nëse je bërë më i lirë, apo thjesht më i pambrojtur. Dhe ndoshta kjo është pyetja që mbetet, jo nëse duhet ta zgjedhim njërën apo tjetrën, por cila na shkatërron më ngadalë: gënjeshtra që na mban gjallë, apo e vërteta që nuk na lë më ku të fshihemi?

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top