Nga Evisa Meka, psikologe
Në Shqipëri, ëndrrat për disa ditë pushimi dhe qetësie mbeten të largëta për shumicën e vendasve. Në mesin e tyre, një përqindje e konsiderueshme nuk arrijnë të bëjnë pushime për shkak të pamundësisë financiare dhe çmimeve të larta. Kjo tregon një realitet ku disa ditë pushimi kthehen në një burim stresi dhe frustimi për individët. Ndërsa shumica dëshiron të largohen nga rutina dhe të rikthehen me energji në rrjedhën e jetës, mungesa e burimeve financiare e bën këtë “luks” të paarritshëm.
Privimi material dhe social i individëve është alarmant, aq sa shihet një dëshirë për t’u larguar jashtë vendit. Një faktor i rëndësishëm, i cili ndikon në dëshirën e individëve për t’u larguar, janë burimet e kufizuara të cilat nuk janë të mjaftueshme për të jetuar dhe njëkohësisht për t’u relaksuar.
Stresit financiar – Studimet raportojnë se stresi financiar është një ndër faktorët më riskues për shëndetin, duke sjellë pasoja në mirëqenien e përgjithshme të individëve.
Stresi dhe pushimet
a.Tensioni para pushimeve
Individët që përballen me një buxhet të kufizuar shpesh përjetojnë një tension që fillon edhe para nisjes së pushimeve. Kur burimet financiare janë të pamjaftueshme, lind një ndjenjë pasigurie dhe ankthi. Dëshira për të kaluar një ditë të bukur me familjen, sidomos për fëmijët, mund të bëhet një ditë e rëndë për prindërit. Ndërsa fëmijët dëshirojnë të kalojnë një ditë plot argëtim, prindërit përjetojnë stres nga frika se nuk do të arrijnë të përballojnë kostot. Këtu krijohet një konflikt i brendshëm: nga njëra anë është dëshira për t’u argëtuar dhe nga ana tjetër është pamundësia financiare për ta realizuar atë.
b)Ndjenja e inferioritetit dhe turpit
Shpesh individët krahasohen me të tjerët dhe si pasojë krijohet një ndjenjë inferioriteti dhe trupi nga mungesa e burimeve. Kjo mund të ndikojë në vetëvlerësimin e individëve dhe mund të pësohet me një gjendje të rënduar emocionale. Kur individët e perceptojnë veten e tyre negativisht, priren të ulin ambiciet personale dhe përpjekjet për t’u rritur. Ndjesia e inferioritetit bën që ato të shmangin përpjekjet nga frika e dështimit.
c)Izolimi
Disa individë zgjedhin në mënyrë të vetëdijshme të shmangin rrjetin social, në mënyrë që të mos shpenzojnë. Nga mungesa e burimeve financiare, individët zgjedhin të ndërpresin lidhjet me rrethin e tyre social në mënyrë që të kontrollojnë shpenzimet e tyre. Ato mund të ndjejnë se çdo takim apo dalje me të tjerët mund të sjell shpenzime të tepërta për to. Duke reduktuar kontaktet, ato mund të shmangin situatat në të cilat mund të përjetojnë stres financiar.
d)Manifestime fiziologjike të stresit
Tek individët që cilët kalojnë stres për shkak të burimeve të kufizuara, simptomat mund të përfshijnë si: pagjumësi, dhimbje koke, tension muskulor dhe lodhje.
Strategji
Hartimi i një plani financiar (i realizueshëm): Hartoni një plan që përfshin të ardhurat, shpenzimet minimale dhe një fond emergjence për situata të papritura financiare.
Përdorimi i teknikave të relaksimit: Aktivitetet relaksuese si, frymëmarrje e thellë, meditimi ose një shëtitje në natyrë mund të ndihmojnë në reduktimin e ankthit dhe stresit.
Mbështetja sociale: Të kërkoni mbështetje, duke e ndarë shqetësimin financiar me miqtë, familjen apo me profesionistë të shëndetit mendor.
Disa këshilla për të hartuar një plan shpenzimesh
-Përcakto qëllime të qarta, afatgjatë ose afatshkurtër, të realizueshëm dhe të matshëm.
-Llogarit të ardhurat e tua neto.
-Krijo një listë shpenzimesh mujore të ndara në kategori.
-Krijo një fond emergjence.
-Rishiko dhe përshtat buxhetin rregullisht.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.