Sipas një studimi të ri, meshkujt e martuar kanë mesatarisht testosteron më të ulët se ata që mbeten beqarë dhe është e mundur që stresi i të pasurit familje të jetë përgjegjës.
Analiza e 11 studimeve shkencore që përfshinin më shumë se 25,000 burra zbuloi se ata që janë të martuar ose në një lidhje kanë nivele mesatare më të ulëta të testosteronit.
Është interesante se ky ishte veçanërisht rasti në studimet që shqyrtonin burrat e moshës së mesme, dhe më pak tek burrat e moshuar. Studiuesit që bënë analizën thonë se “kjo mund të pasqyrojë streset e jetës familjare, duke përfshirë fëmijët në familje”.
Ka prova nga hulumtimet e mëparshme se përjetimi i stresit mund të zvogëlojë sasinë e testosteronit të prodhuar nga meshkujt. Por ky është vetëm një shpjegim i mundshëm pasi analiza nuk ishte krijuar për të përcaktuar nëse baballarët mund të fajësojnë fëmijët e tyre për më pak testosterone.
Është e paqartë se sa mund të ndikojë tek ata rënia modeste e testosteronit e parë tek burrat e martuar, të cilët kanë ende një sasi normale të hormonit. Megjithatë, meshkujt me testosteron anormalisht të ulët janë gjetur më parë se kanë një epsh më të ulët dhe luftojnë më shumë me lodhjen.
Dr Bu Yeap nga Universiteti i Australisë Perëndimore, i cili udhëhoqi analizën, tha se:
“Një zbulim interesant ishte se burrat e martuar, ose burrat në një marrëdhënie de facto, kishin nivele pak më të ulëta të testosteronit sesa burrat beqarë. Një shpjegim i mundshëm mund të jetë se burrat e martuar me familje mund të jenë më të stresuar, dhe për këtë arsye kanë nivele më të ulëta të testosteronit, por studimi ynë nuk ishte krijuar për të parë më tej këtë rezultat.”
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.