Gratë kanë më pak të ngjarë të promovohen në punë, sesa burrat, kjo sepse ndihen më të stresuara, të frustruara dhe të dekurajuara në punë, ka pohuar një studim i ri.
Ekspertët e udhëhequr nga Universiteti Yale zbuluan se, krahasuar me burrat, gratë raportuan se ndiheshin më të mbingarkuara, të stresuara, të frustruara, të tensionuara, të dekurajuara dhe më pak të respektuara në punë.
Emocionet ndikojnë në performancën e punës, vendimmarrjen, kreativitetin, mungesën, zgjidhjen e konflikteve dhe efektivitetin e lidershipit, thanë studiuesit. “Do të ishte e vështirë për këdo që të thyente një tavan xhami kur ndihet i dërrmuar, i stresuar, më pak i respektuar dhe më pak i sigurt”, tha bashkëautori Jochen Menges. “Kjo barrë emocionale jo vetëm që mund të pengojë mundësitë e promovimit për gratë, por edhe t’i pengojë ato që të kontribuojnë në një organizatë me aftësitë e tyre.” Ai shtoi: “Duhet bërë më shumë për të barazuar fushën e lojës kur bëhet fjalë për ngarkesat emocionale në punë”.
Studimi, i cili bazohet në afro 15,000 punëtorë në SHBA, zbuloi se gjinia bën një ndryshim kur bëhet fjalë për emocionet që punonjësit përjetojnë në punë. Në nivelet më të ulëta të punësimit, gratë raportuan se ndiheshin dukshëm më të respektuara se burrat, megjithatë kjo ndryshon kur njerëzit ngjiten brenda një organizate, duke rezultuar që burrat të ndjehen dukshëm më të respektuar se gratë në nivele më të larta.
Përgatiti K.I / Burimi www.dailymail.co.uk
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.