Është një ilaç që përdoret shpesh për të trajtuar çrregullimin obsesiv-kompulsiv dhe depresionin, por mund të zvogëlojë edhe rrezikun e shtrimit në spital të pacientëve pozitivë me Covid-19. Këto janë rezultatet e një studimi brazilian mbi Fluvoxamine – i disponueshëm për vetëm 4 dollarë – botuar në revistën mjekësore The Lancet. Krahasuar me antitrupat monoklonalë më të shtrenjtë, ilaçi ofron një alternativë të lirë për të mbajtur larg simptomat e koronavirusit.
Studimi shqyrtoi mbi një mijë pacientë brazilianë me koronavirus, shumica e të cilëve nuk ishin të vaksinuar. Pacientët në fjalë ishin në rrezik më të madh, për shkak të moshës apo problemeve të tjera shëndetësore që ekzistonin më parë. 11% e atyre që kishin marrë ilaçin kundër depresionit mbaheshin nën vëzhgim në një qendër trajtimi për Covid, përqindja u rrit në 16% tek ata që nuk kishin marrë ilaçin: që do të thotë se fluvoxamina uli me 32% rrezikun.
Rreziku i shtrimit në spital ishte edhe më i ulët për pacientët që merrnin të paktën 80% të dozave të përshkruara të fluvoxamine. Vetëm një pacient që kaloi pjesën më të madhe të kursit të trajtimit vdiq. Mes atyre që nuk kishin marrë ilaçin, vdekjet ishin 12. Deri më tani studime të vogla kishin identifikuar në ilaç një kurë të mundshme kundër Covid-it.
Studiuesi brazilian Otavio Berëanger tha se studimi “sugjeron fuqishëm se fluvoxamine është një opsion efektiv, i sigurt, i lirë dhe relativisht i toleruar mirë” për trajtimin e pacientëve me Covid-19. Megjithatë, ai theksoi se ka disa pyetje pa përgjigje: Nevojiten më shumë kërkime mbi kursin e duhur të trajtimit dhe se si pacientët me rrezik të ulët dhe njerëzit e vaksinuar reagojnë ndaj ilaçit. Është gjithashtu e paqartë pse fluvoxamine duket të jetë efektive kundër Covid-19: studiuesit zgjodhën ta studionin atë për vetitë e saj anti-inflamatore.
Burimi / HuffPostItalia
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.