Injektimi i hormoneve seksuale femërore tek meshkujt me Covid mund të shpëtojë jetë. Në këtë përfundim ka mbërritur një studim i kryer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjetjet janë të një grupi mjekësh dhe shkencëtarësh në shtetin e Kalifornisë, që kanë studiuar ndikimin e hormoneve femërore tek meshkujt me Covid pas raportimeve të shumta dhe statistikave që tregonin e vazhdojnë të tregojnë se femrat janë më imune ndaj këtij virusi.
Shkencëtarët morën në studim 40 meshkuj me simptoma mesatare dhe relativisht të rënda të Covid. Gjysmës së tyre iu injektua hormoni femëror progesteron, gjysmës tjetër jo. Rezultati? Gjysma që mori doza hormonesh seksuale femërore e kaloi më lehtë sëmundjen dhe ndjeu përmirësime të ndjeshme më shpejt se gjysma tjetër.
Progesteroni ka disa veti anti-inflamatore dhe pikërisht këto veti, sipas grupit të shkencëtarëve, mund të ndikojnë në atë që njihet si “stuhia e citokinave”, pra përgjigja e sistemit imunitar, që në rastin e Covid është provuar se shpesh është e pakontrollueshme dhe shkakton dëme të mëdha në organizëm. E thënë më thjeshtë, sistemi mbrojtës i organizmit bëhet vrasësi i tij. Studiuesit thonë se progesteroni e kufizon këtë përgjigje të sistemit imunitar.
Studimi u udhëhoq nga polmunologia Sara Ghandehari e spitalit Cedars-Sinai në Los Anxheles.
“Si një mjeke më bënte habi pabarazia gjinore e rasteve me Covid që shtroheshin në spital dhe që kishin nevojë për terapi intensive”, thotë ajo. Progesteroni është një hormon që prodhohet gjatë periudhës së riprodhimit si te meshkujt, ashtu edhe te femrat, por tek këto të fundit sasia e këtij hormoni është konsiderueshëm shumë herë më e lartë se te meshkujt.
Ekspertët vunë re gjithashtu se femrat në moshë para menopauzës e kalojnë me simptoma më të lehta Covid-19 se femrat post kësaj periudhe. Studimi klinik është kryer në muajt prill-gusht të vitit të kaluar dhe veç rezultatit pozitiv tek grupi i 20 meshkujve që iu injektuan dy doza 100 miligramëshe progesteron dy herë në ditë nuk u shënua asnjë efekt anësor.
Pavarësisht se sa optimist mund të duket ky rezultat, udhëheqësja e studimit, Ghandehari është e përmbajtur dhe thotë se për të dalë në një përfundim më shkencor duhet një numër më i madh pacientësh.
“Gjetjet tona janë shpresëdhënëse në lidhje me mundësinë e përdorimit të progesteronit për të trajtuar meshkujt me Covid-19, por duhet të kihet parasysh që bëhet fjalë për një studim të kufizuar me një numër të vogël pacientësh”, thotë ajo.
Udhëheqësja e studimit thotë se janë të nevojshme studime të tjera të këtij lloji me numër më të lartë pjesëmarrësish dhe më heterogjenë, duke përfshirë këtu edhe gratë që e kanë kaluar menopauzën. Gjetjet e plota të studimit u publikuan në revistën “Chest”.
Burimi / gazetasi.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.