Tashmë, është një studim që e konfirmon: në vitet me mot më të nxehtë se normalja, nxënësit nuk dalin mirë në provime. Raporti i disa universiteteve amerikane, përfshirë atë të Harvard tregon se ka një lidhje domethënëse mes temperaturave të larta dhe rezultateve më të dobëta në shkollë.
Testimet e kryera mbi 10 milionë gjimnaziste amerikanë përgjatë 13 vitesh dëshmuan qartë se moti i nxehtë ka ndikim negativ tek rezultatet shkollore. Një përgjigje praktike ndaj kësaj situate mund të jetë sipas ekspertëve përdorimi i ajrit të freskët të kondicionuar.
Studentët që jepnin provime në verë janë ankuar me kohë se i nxehti i madh nuk i lejonte të përqendroheshin siç duhet. Por kjo është hera e parë që provohet në mënyrë shkencore një lidhje e tillë.
Studimi i publikuar nga Byroja Federale Amerikane e Kërkimeve Ekonomike lë të kuptohet se nxënësit kishin rezultate më të dobëta në vitet e nxehtë dhe më të mira në vitet më të ftohtë.
Kërkuesit kanë llogaritur se për çdo rritje të temperaturës mesatare me 0.55 gradë ka 1% rënie të aftësisë për të mësuar. Kjo e fundit dallohej që kur temperatura rritej mbi 32 gradë Celsius e pastaj vihej re edhe më tepër kur kapërcente 38 gradët.
Burimi/ TopChannel
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.