Muzika shton kreativitetin, prek emocionet dhe i ndihmon njerëzit të kuptojnë më mirë veten. Ajo ka një fuqi të jashtëzakonshme për të na mbajtur mendërisht të shëndetshëm.
Përfitimet terapeutike të muzikës dhe arteve janë konsideruar një teori e pabazë, deri para pak kohësh. Dr. Robert Myers, asistent profesor i psikiatrisë dhe sjelljes humane në Universitetin e Kalifornisë, thotë: “Të kesh pak muzikë në jetën tënde çdo ditë mund të jetë diçka e mirë për të reduktuar stresin dhe ankthin. Kërkimet dhe përvoja kanë treguar se muzika qetësuese mund të ofrojë lehtësim të stresit dhe ankthit për fëmijët dhe të rriturit.”
Susan Hallam, Profesore Emeritus e Psikologjisë së Edukimit dhe Muzikës në Kolegjin Universitar në Londër, është në radhët e akademikëve dhe kërkuesve që kanë publikuar artikuj mbi impaktin e muzikës mbi zhvillimin intelektual, social dhe personal të fëmijëve, duke treguar se ekspozimi ndaj muzikës rrit aftësitë e tyre perceptuese, të gjuhës dhe njohjes së fjalëve.
Të gjithë e dimë se muzika na ngre humorin dhe na bën të ndjehemi mirë, por muzika është edhe një mjet terapeutik që arrin thellë brenda nesh dhe na transformon jetën. “Kur fjalët dështojnë, mund të flasin tingujt”, ka shkruar Hans Kristian Andersen në një nga përrallat e tij. Kjo është një e vërtetë e thjeshtë, por me impakt të madh. Muzika na ndihmon të lidhemi me njëri-tjetrin dhe të shërohemi, kur format e tjera të komunikimit nuk mund ta bëjnë – kjo është baza e etosit të terapisë së muzikës.
Muzika, me të gjitha aspektet e saj: fizike, emocionale, mendore, sociale, estetike dhe shpirtërore, i ndihmon klientët të përmirësojnë shëndetin e tyre fizik dhe mendor. Shkencëtarët kanë gjetur se muzika çliron një përbërës të vogël “magjik” në trurin tonë, që quhet dopaminë. Kur fillojmë të luajmë një pjesë muzikor, dopamina fillon të na mbushë me ndjenja kënaqësie, motivimi dhe shpërblimi.
Burimi / http://psikologjia-shqiptare.com
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.