FB

November 3, 2021 | 8:32

Studim / Ndikimi i sjelljes prindërore në aspektin zhvillimor të fëmijës, rrëfimi i përvojave nga specialistë të fushës

Rrëfimi i përvojave të specialistëve të fushës në mbrojtjen e të drejtave për fëmijët si subjekte të hipervigjilencës prindërore, qëndrime dhe perceptime të opinionit publik mbi çrregullimin neuro-zhvillimor A.D.H.D në Shqipëri.

 

Nga episode dhune të mëparshme të trajtuara edhe në hapësirat televizive, por edhe nga aktualiteti i kronikave të zeza të edicioneve informative për opinionin publik, gratë dhe fëmijët vazhdojnë sërish të jenë subjekte të këtyre historive me karakter dramatik për shoqërinë e sotme. Ekziston ende mentaliteti i një autoritarizmi prindëror, i cili ushtrohet në formën e një dhune verbale dhe jo verbale në përditshmërinë e një fëmije. Histori të tilla kanë nxitur shumë organizma shtetërore, si dhe organizata të shoqërisë civile për të vendosur gratë dhe fëmijët në qendër të shërbimeve psikosociale të financuara nga partnerët ndërkombëtarë.

3

Sigurisht që kjo ka qenë njëra anë e luftës së vazhdueshme për të përmbysur këto parime të vjetra të “paternalizmit social” ku prindërit përdorin metoda shkatërruese të edukimit të fëmijës. Mirëpo kohët moderne kanë gjeneruar situata krejtësisht të reja, ku fëmijët janë subjekt i një hipervigjilence prindërore (fenomeni i ri që i referohet një ndjeshmërie maksimale shqisore ndaj mjedisit). Nga ekstremi i dhunshëm i figurës prindërore dhe autoritariste me teknika kushtëzuese të zhvillimit normal të fëmijës, vërejmë se koha na ka prezantuar me një fenomen edhe më kushtëzues ndaj fëmijës por jo formë fizike të dhunshme. Kjo i përket ekstremit tjetër, atij të frikërave, pasigurive dhe paranojës prindërore për t’i paraprirë çdo kërcënimi të mundshëm të mjedisit ndaj fëmijës. Sociologu i mirënjohur shqiptar Dr.Gëzim Tushi (2017) arsyeton se: “Është një situatë e vështirë në familjen shqiptare, në të cilën zhvillohen marrëdhënie edukative që në pamje dhe në thelbin e tyre duken ca paradoksale.

Të gjithë pyesim të tronditur njëri-tjetrin: çfarë po ndodh me fëmijët tanë?, çfarë duhet të bëjmë, si të ndërtojmë marrëdhëniet edukative, si mund të ndikojmë në mirërritjen, edukimin dhe komunikimin pozitiv me ta në familje? Pa dyshim që sot ky problem është bërë shumë i vështirë për t’u zgjidhur, sepse është vërtetë shqetësim i madh social, edukativ dhe psikologjik.

Nëse shikojmë angazhimin edukativ të prindërve në familje, sipas mendimit tim duken dy “prerje sociale”, ose më saktë dy kategori prindërish. Nga njëra anë janë prindërit (për fat janë shumica e tyre) që vërtet, me shpirt edukativ dhe sinqerisht përpiqen të punojnë me fëmijët, por që janë shumë të shqetësuar dhe të frikësuar për rezultatet e ulëta të kësaj pune. Nga ana tjetër më duket se po rritet numri i prindërve që jo vetëm nuk dinë “të prindërojnë”, por as që nuk duan të mbajnë përgjegjësi edukative për edukimin e fëmijëve të tyre. Të obliguar pas punëve, halleve ekonomike, bizneseve dhe kënaqësive të vogla të ditës, shumë prindër kanë hequr dorë nga ky mision themelor edukativ i familjes, duke menduar se edukimi është një proces i lirë, spontan, i natyrshëm që mund të realizohet vetvetiu në kohë”.

Nisur nga pyetja që dëshmon frikën dhe pasigurinë e çdo prindi e sidomos të atij lloji hipervigjilentësh: “Ҫfarë po ndodh me fëmijët tanë?” studiuesi përcaktoi si qëllimin kryesor të kërkimit zbardhjen e historive, ngjarjeve dhe përvojave të rrëfyera nga specialistë që profesionin e tyre e kanë të lidhur ngushtë me zhvillimin e fëmijës në aspektin e shëndetit psikologjik, fizik dhe emocional.

Specialistët e përzgjedhur në këtë studim për të qenë pjesë e tryezës së diskutimit, janë vajza dhe gra që vijnë me një eksperiencë disavjeçare në fushën e zhvillimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijës, që janë aktive si pjesë e trupës mësimore pranë institucioneve parashkollore, e Linjës Kombëtare të Këshillimit për Fëmijët dhe jo vetëm. Ato dëshmojnë disa raste të veçanta të hipervigjilencës ku nëna e ushqen fëmijën 4 vjeç me ushqime të bluara në mikser, duke i mohuar fëmijës në mënyrë të pandërgjegjshme ushtrimin e aparatit të të folurit dhe duke shkaktuar tek ai sindromën e belbëzimit; ku nëna i ofron iPhone për ta përdorur me një kohëzgjatje të madhe, sepse i druhet lotëve të fëmijës dhe mendon se duke qarë do të pësojë dëmtim në sistemin nervor, ndërkohë që ai fëmijë fiton instinkte të kufizuara të autizmit virtual. Këto janë episode nga jeta reale e këtyre prindërve, të cilët kanë ndarë emocionet, ndjesitë, frikërat dhe pasiguritë e tyre shumë të theksuara me këta profesionistë. Prindërimi hipervigjilent është një metodë e hershme, e cila gjendej edhe në sistemin e atëhershëm ku fëmijët ishin më pranë natyrës dhe shumë më larg pajisjeve elektronike. Shumë fenomene të kohëve moderne kane ekzistuar edhe më parë, thjesht popullata e atij sistemi nuk është prezantuar me terminologjitë e duhura. Në shumë sekuenca filmike të kinematografisë shqiptare të realizmit socialist, janë shfaqur sjellje hipervigjilente të prindërve kundrejt fëmijëve të tyre në rol. Një pasazh i shkëputur nga filmi shqiptar “Beni ecën vetë” gjendet i zbardhur si më poshtë:

-Beni, sa herë të kam thënë të mos rrish në dysheme, apo do të marrësh prapë të ftohtë?, – shprehet nëna.

-Mami më lër të dalë pak jashtë se u mërzita, – thotë i biri.

-Jo xhan, se fryn erë, – përgjigjet nëna.

-Po për ata nuk fryn erë moj mami?

-Fryn, fryn, por ata nuk i gjen gjë!

-Po pse mua do të më gjejë gjë?

-Po edhe ty nuk të gjen gjë, por grykët…

-Grykët, grykët, mikrobet, njëmijë herë më ke thënë, – përgjigjet furishëm Beni.

-Mos vrapo, se do djersitesh!

Në këtë film shfaqet edhe një fenomen që ekzistonte edhe në atë periudhë, që tani e ka një emërtim, i quajtur bullizëm. Shprehja “djalë mamaje” e shoqëron personazhin kryesor gjatë gjithë pjesës së filmit, për shkak se ai është rritur nën efektin e një kufizueshmërie të lirisë së tij për t’u djersitur, për t’u lënduar pak, për të luajtur në natyrë. Kur në fakt duhet kuptuar se shoqërizimi është procesi me anë të cilit fëmija i pambrojtur bëhet gradualisht i vetëdijshëm, i ditur, i aftë për llojin e kulturës në të cilin ai ka lindur. Shoqërizimi nuk është ndonjë lloj ‘programimi kulturor’ nga i cili fëmija merr kontakt dhe ndikohet në mënyrë pasive.

Edhe foshnja e sapolindur ka nevoja ose kërkesa që ndikojnë në sjelljen e atyre që përgjigjen për kujdes ndaj saj: foshnja është që në fillim një qenie aktive. Shoqërizimi lidh brezat e ndryshëm me njëri-tjetrin (Turnbull, 1984; cit. nga Giddens, 1986). Lindja e një fëmije ndryshon jetën e atyre që përgjigjen për rritjen e tij, prandaj edhe u nënshtrohen përvojave të reja të të mësuarit (Giddens, 1986, fq.69). Dhe hulumtuesi ndërton tri pyetje kërkimore që udhëheq gjithë procesin kërkimor të tematikës në fjalë:

1-A është hipervigjilenca prindërore një faktor i brendshëm që nxit bullizimin e fëmijës nga mjedisi i jashtëm?

2-A perceptohet hipervigjilenca prindërore si normalitet kur ajo vjen si rezultat i përvojës së parë të të qenit prind?

3-Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e sjelljes prindërore me natyrë hipervigjilente?

1

I.1.Impakti i hipervigjilencës prindërore në zhvillimin kognitiv të fëmijës.

Qëllimet zhvillimore dhe të mësuarit të fëmijëve janë shumëdimensionale. Ato arrihen kur fëmijët mbijetojnë dhe bëhen të shëndetshëm fizikisht, alertë mendërisht, të sigurtë emocionalisht, të aftë në shoqëri dhe në procesin e të mësuarit, të ndërgjegjshëm kulturalisht dhe shpirtërisht dhe estetikisht krijues. Ata rriten dhe bëhen njerëz të rritur të përgjegjshëm dhe produktivë…Përqasja e zhvillimit tërësor në fëmijëri përmban: zhvillimin kognitiv (njohës), social, fizik, emocional, gjuhësor, shpirtëror, moral etj. nga faza prenatale deri në moshën 8 vjeçare. Për të pasur një zhvillim tërësor nevojiten: shëndet, të ushqye\rit, stimulimi i hershëm, bashkëveprime pozitive sociale dhe emocionale me kujdestarët, loja, mundësitë e të mësuarit, dhe mbrojtja nga dhuna…

Zhvillimi socio-emocional nënkupton marrëdhëniet që zhvillojnë fëmijët derisa janë të vegjël me të rriturit dhe me fëmijët e mjedisit të tyre. Çështje të rëndësishme të kësaj fushe janë: cila është përvoja që e përvetësojnë derisa këmbejnë diçka me mjedisin, si reagojnë ndaj të njohurve dhe të panjohurve, sa të lehtë ose vështirë e kanë të vendosin marrëdhënie të mira me të tjerët, sa ia dalin t’i kontrollojnë ndjenjat e tyre etj. Në këtë periudhë fëmijët mësojnë se si ta njohin dhe si ta kuptojnë atë që ndjejnë ata vetë ose atë që ndjejnë të tjerët, mësohen si të miqësohen me njerëzit dhe fëmijët përreth tyre, si ta shprehin atë që ndjejnë, si ta kontrollojnë sjelljen e tyre, si të kuptohen më lehtë me ambientin që i rrethon.

Zhvillimi i këtyre përvojave dhe shkathtësive i ndihmon fëmijët që të gjenden më lehtë në grupe më të mëdha, të marrin pjesë në aktivitete grupore dhe të kënaqen me mbështetjen që i ofron mjedisi i tyre. Fëmijët e vegjël janë veçmas të ndjeshëm ndaj asaj se si pranohen nga mjedisi i tyre dhe cilat janë qëndrimet e njerëzve të mjedisit që i rrethon ndaj tyre dhe ndaj ideve që shprehin (Tahsini & Duci & Voko, 2014). Mbështetur në këtë manual udhëzues mbi çështjet e prindërimit, vërejmë se theksi vendoset më shumë tek procesi i të mësuarit të fëmijës për të qenë i pavarur në aspektin emocional, psikologjik dhe kreativ.

Nxitja e mendimit kritik tek fëmijët kur ata fillojnë të kuptojnë më mirë ngjarjet në përditshmërinë e tyre si në mjedisin familjar po ashtu edhe përtej saj, është fitorja më e madhe për një prind. Po si mund të arrihet kjo kur një fëmijë i kushtëzuar nga paranojat e prindit nuk mund të njohë botën për të mësuar se nga dallon e mira nga e keqja, egoizmi nga humanizmi, apo shanset nga kërcënimet që vetë jeta ia sjell në fazat e rritjes së tij. Prindërimi është një proces ku individi mëson të njohë vetveten në rolin e udhërrëfyesit dhe sigurisht që kjo mbart një përgjegjësi të madhe, por aftësia e vetëkontrollit për të mos cenuar lirinë e fëmijës është fitore e madhe.

2

I.2. Strategjia e reduktimit të hipervigjilencës tek prindërit

Bashkëpunimi prind-mësues është një kusht i domosdoshëm gjatë procesit të rritjes dhe edukimit të fëmijëve. Disa prej tyre po i ndajmë në këtë material shkencor studimor. Së pari, prindërit kanë nevojë të ndiejnë mbështetjen e mësueseve; ata duhet të informohen mbi gjithçka që lidhet me fëmijën; Së dyti, mësueset duhet t’u përgjigjen nevojave të prindërve për të qenë të informuar lidhur me çdo gjë që ka të bëjë me fëmijën e tyre; Së treti, prania dhe pjesëmarrja e prindërve në aktivitetet mësimore duhet nxitur dhe inkurajuar; Së katërti, prindërit, në ditë të caktuara, mund të vijnë më herët në kopsht për të parë se si fëmijët e tyre përfshihen në aktivitete, se si ata zbatojnë rregullat, se si luajnë dhe përfshihen në aktivitete; Së pesti, prindërit nuk duhet të jenë shumë kërkues, qortues e korrigjues ndaj fëmijëve (Tahsini & Duci & Voko, 2014). Nisur nga këto pika të radhitura arrijmë të kuptojmë se kontakti i afërt me stafin e institucioneve parashkollore mund të jetë një mënyrë shumë e mirë për t’i paraprirë hipervigjilencës së prindërve. 

Informacioni që ata mund të marrin mbi përditshmërinë e fëmijës mund t’i sigurojë ata për të qenë më të qetë, më të sigurtë në mjedisin e përditshëm që frekuenton fëmija e tyre.

1.Përzgjedhja e metodës kërkimore në realizimin e këtij studimi. 

Metoda kërkimore e zgjedhur për realizimin e këtij hulumtimi shkencor është cilësore, me instrument fokus grupin për të proceduar me mbledhjen e të dhënave. Literatura shpjegon se fokus grupet janë të përbëra nga pjesëmarrës që janë të ngjashëm me njëri-tjetrin në funksion të qëllimit të fokus grupit. Kjo e përbashkët përbën karakteristikën mbi bazën e së cilës bëhet rekrutimi dhe pjesëmarrësit informohen për këtë gjë që në fillim të diskutimit (Tahiri & Rama & Sota, 2013). Pjesëmarrësit në këtë fokus grup kanë dy karakteristika të përbashkëta, së pari është puna e përditshme që lidhet me çështjet e zhvillimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve dhe së dyti, është aspekti gjinor pasi të gjitha janë vajza dhe gra profesioniste me eksperiencë disa vjeçare.

Në këtë diskutim të fokusuar tek tematika e studiuesit, ato kanë patur një ndërveprim shumë të mirë në komunikim dhe kanë rezultuar shumë gjetje kërkimore që i përgjigjen në mënyrë të drejtpërdrejtë tri pyetjeve kërkimore. Fokus grupi është realizuar në platformën online (Zoom), në respekt të masave anti-Covid. Kjo mënyrë e organizimit të grupit në kohë jo reale ka përparësi në sensin që lejon një grup akoma më të madh njerëzish që të marrin pjesë në grup. Kjo lejon dhe komunikimin midis personave që jetojnë në shtete të ndryshme ku dhe ora nuk është e njëjtë. Në fokus grupet online, si në kohën reale ashtu edhe në kohë joreale, duhet pasur gjithmonë parasysh çështja e mbajtjes së sekreteve apo privatësia e atyre që thuhen gjatë diskutimit. Kërkuesi duhet të parandalojë ekspozimin jashtë grupit të informacioneve personale të pjesëtarëve të grupit (Tahiri & Rama & Sota, 2013).

Në kontekstin e konsideratave etike, hulumtuesi është kujdesur që karakteristikat demografike të pjesëmarrësit t’i marrë në mënyrë konfidenciale. Gjatë minutave të para të fokus grupit, studiuesi ka bërë vetëm një prezantim të vetes dhe organizatës përpara pjesëmarrësve pa u ndalur tek të dhënat e tyre personale përball njëri-tjetrit. Në fokus grupe mund të ndodh që të përfshihen edhe figura publike që mund të jenë të njohura për pjesën tjetër të pjesëmarrësve, por edhe në këtë rast, studiuesi është përpjekur që të shmang detajet personale të secilës prej tyre, por të përqendrohet vetëm tek çështja e marrë nën shqyrtim. Specialistët vijnë nga fusha e psikologjisë klinike, sociologjisë, logopedisë, terapisë zhvillimore për fëmijët. Ato vijnë edhe si drejtuese ekzekutive të qendrave dhe institucioneve parashkollore. Të gjitha kanë shprehur një interes të përbashkët për trajtimin e kësaj tematike, të cilën e kanë konsideruar të rëndësishme dhe janë ndjerë të vlerësuara që janë ftuar në fokus grup. Pjesëmarrësve iu është prezantuar edhe ai dialogu i shkëputur nga filmi “Beni ecën vetë” dhe e kanë zbërthyer rolin e nënës duke e cilësuar me natyrë hipervigjilente.

4

II.1. Pasqyrimi i perceptimeve dhe qëndrimeve të specialistëve për stilin hipervigjilent të prindërimit

“Më vjen shumë mirë që jam pjesë e fokus grupit tuaj dhe uroj që tema të tilla të shtjellohen sa më shumë, pasi është shumë e nevojshme ngritja e vetëdijes në shumë fusha e sidomos tek hipervigjilenca si temë që keni zgjedhur. Kjo temë nuk është se diskutohet shpesh. Ka shumë nëna që duan t’i mbajnë nën ombrellën e tyre. Në përditshmëri e shikojmë këtë dukuri tek prindërit, por jo vetëm, edhe tek gjyshërit. Gjithmonë me atë idenë që të rriturit dinë më shumë se sa fëmijët, duke cenuar padashur edhe shprehjen e emocioneve të tyre se çfarë këta fëmijë ndjejnë. Ky si diskutim duhet në një farë mënyre të institucionalizohet, sepse është diçka që e shikojmë konstant” (Anëtare e fokus grupit nr.3). “Si fillim dua t’iu përgëzojmë për temën, sepse as mua vetë nuk më kishte shkuar në mëndje që hipervigjilenca e një prindi mund të bëjë problem për zhvillimin e fëmijës, sepse në përgjithësi nuk e shohim me këtë sy, e shikojmë me syrin e mirë gjithmonë që përkujdeset ndaj fëmijës. Po mendoja pak për veten, sepse edhe unë jam vetë fëmija i parë dhe në përgjithësi ne fëmijët e parë e vuajmë këtë hipervigjilencën e prindit. Po reflektoja nga vetja në shumë aspekte që unë e kam parë hipervigjilencën sidomos tek mamaja. Për të mbrojtur fëmijën, prindi e fut në një flluskë fëmijën, kanë frikë se mos ti vritesh jashtë, se ti mos vritesh nga topi, se dikush mund të të ngacmojë etj., ndërkohë prindi nuk e kupton se fëmijën e ka bërë deri diku të pazotin” (Anëtare e fokus grupit nr.4).

“Shpeshherë, për specialistët, duke patur atë vigjilencën klinike, është shumë e rëndësishme për ne të kuptojmë se një fëmijë është duke vuajtur, një fëmijë është duke u bulluar, një fëmijë është duke u keqtrajtuar, dhe ne gjithmonë duke qenë vigjilentë në mënyrën se si i drejtojmë pyetjet, se si ata arrijnë të kenë kontakte me sy, se si komunikojnë me profesionistët ose me të rriturit ose edhe me njëri-tjetrin, ne kuptojmë se si këto fëmijë trajtohen dhe mund të ndihmojmë shumë në këtë pjesë. Gjithashtu, një nga trajnerët më të njohura të prindërimit në botë që është Elein Peiler Clau, ajo merret me trajnimin prindëror lidhur me hipervigjilencën.

Dhe ajo thotë që: “Unë kam patur shumë prindër të cilët vinin me një ankth të shtuar, të tmerruar, se çfarë po ndodhte me fëmijët e tyre, që donin që fëmijët e tyre t’i kishin pas vetes se ndiheshin të sigurt dhe mua më është dashur që t’iu shpjegoj që pjesa më e vështirë e prindërimit është që t’i lëshosh fëmijët dhe t’i lejosh ata që të mësojnë nga gabimet e tyre”. Prindërit këtë e kanë shumë të vështirë, sepse nuk i lejojnë të gabojnë, sepse nëse ata gabojnë do të ndodh gjëma dhe kushedi se çfarë…përkundrazi të gabosh është njerëzore, sigurisht duke i qëndruar pranë fëmijës duke i shpjeguar çdo gjë që ndodh. Dhe kjo nuk e bën prindin të mirë apo të keq, sepse nuk i ndajmë dot. Kështu që, shpesh në punën tonë ne jemi mësuar të shohim prindër që kanë hipervigjilencë, pastaj ka edhe që janë për herë të parë prindër, ata e kanë edhe më të shtuar vigjilencën sepse i ndjekin frikëra më të mëdha. Kjo ka të bëjë me moshën e prindërve, pra kur ata bëhen prindër për herë të parë, sepse sigurisht që kjo është një qasje tjetër pastaj. Kur ti bëhesh prind në moshën 22 vjeç p.sh., sigurisht që ti nuk je dot e aftë për të përballuar prindërimin, dhe kështu vështirësitë rriten (Anëtare e fokus grupit nr. 1).

 “Hipervigjilenca ndikohet shumë nga rrethi në të cilën jetojmë dhe veprojmë. Ndikohet nga mënyra e edukatës dhe e kulturës që përfaqësojmë. Nga praktika profesionale që kam bërë jashtë shtetit, ka një qasje që 90 minuta fëmija duhet të dalë jashtë dhe të marr ajër të pastër, gjë që nuk mund ta realizosh faktikisht në Kosovë, sepse tek ne, nëse bie shi është rrezik, nëse bie borë është rrezik, nuk e kemi qasjen e njëjtë që t’i lëmë fëmijët të ballafaqohen me ambjentin. Pra janë shumë faktorë që ndikojnë, nuk është vetëm mosha. Tani nëse flasim edhe për Kosovën dhe për Shqipërinë, normalisht që ndikon edhe mosha. Prindërimi në moshë të hershme ka edhe anë pozitive dhe negative. Ekziston një vullnet, dëshirë dhe një qasje që prindër të rinj marrin nga të tjerët, mbase i ndihmon edhe teknologjia që lexojnë edhe më shumë, sepse nuk është në ditët e sotme një informatë që nuk mund ta gjesh. Mirëpo, në anën tjetër prindërimi i hershëm jo çdokush është përgatitur për të marrë përgjegjësi dhe obligime që i kërkon një fëmijë, por edhe një prindërim në moshë më të vonë, më të vjetër dallon nga të rinjtë nga entuziazmi dhe forma e trajtimit (Anëtare e fokus grupit nr.4). “Nga eksperienca ime në kopsht kam takuar target grup prindërish të mëdhenj në moshë dhe që ishin më të vërtetë hipervigjilentë dhe dukeshin qartë që nga mënyra se si e linin në kopsht, nga reagimet…

Ishte një prind që unë nuk e kisha takuar, pasi unë ndodhesha me pushime në fakt dhe fëmija kishte një javë që kishte vazhduar kopshtin. Kur u riktheva më thotë edukatorja që është shumë i frikësuar, futet në një qoshe dhe nuk do të bashkëveprojë. Kjo është nëse normale që kur një fëmijë fillon kopshtin ato ditët e para nuk socializohet, ngaqë nuk njeh as ambientin dhe e lejojmë edhe prindin të qëndrojë pak me të që t’i krijojë një siguri në ambientin ku ndodhet. Nëna në fjalë, kishte kërkuar që të rrinte gjatë gjithë kohës aty me të. Kur asaj i duhej të largohej ajo qante dhe fëmija bënte të njëjtën gjë kur shikonte edhe nënën e tij dhe ajo i transmetonte kështu atë pjesën e ankthit që përjetonte tek fëmija i saj dhe kjo gjë vazhdoi për më shumë se një muaj.

Dhe ishte prindi që merrte në telefon më pas çdo 5 minuta: “më thuaj tani!”; “çfarë po bën ai, po qan? Është i frikësuar?”. Dhe më është dashur një punë me nënën, për ta bërë të kuptojë që fëmija ndihet kështu nga ti si pasojë e mënyrës se si ti i shpreh emocionet e tua. Ajo u shpreh se e bënte kudo këtë gjë, nuk e linte as në park, dhe kur shkonte në parkun e lojërave nuk e linte asnjë minutë vetëm. Ajo ishte shumë e vetëdijshme për këtë problem që kishte dhe kërkonte ndihmë që të mos merakosej kaq shumë për të. Unë e referova që duhet të kërkojë një ndihmë tek një profesionist dhe ajo e zgjodhi vetë specialistin.

E kam ndjekur rrjedhshmërinë e këtij rasti, ajo pas një viti kishte përmirësim të dukshëm. Ishte babai që e sillte më shpesh fëmijën, nuk telefononte më shpesh (Anëtare e fokus grupit nr.3).  “Unë problemet që lidhen me çrregullimet zhvillimore të fëmijës i shoh tek prindërit. Kur bëjmë vlerësime psikologjike për të parë deri ku është situata zhvillimore e tyre, se në çfarë fushash ata kanë probleme, unë shikoj që prindërit i lënë gjithë ditën me telefon, para ekranit të televizorit dhe nuk iu flasin fare. Kur mbaroj këtë pjesën e vlerësimit unë u them gjithmonë që duhet ta konsideroni veten si aktorë me fëmijët, duhet vetëm të flisni, edhe kur ato nuk e kanë vëmendjen tek ju, sepse diçka tek veshi i tyre do ngelet.

Çdo veprim që bëni lidheni me fjalën, p.sh., jam duke gatuar ose jam duke hekurosur dhe hekuri është i nxehtë. Prindërit më thotë shpesh: “Po ja nuk i flasim se nuk na degjojnë merren veç me telefonin”. Prindërit kështu janë rehat dhe nuk po lodhen (Anëtare e fokus grupit nr.1). “Edhe tek filmi “Beni ecën vetë” tek dialogu që po shqyrtojmë aty thuhet se: “Sa herë të kam thënë të mos rrish në dysheme”. Pra, një fëmijë e ka të nevojshme që t’i thuhet disa herë e njëjta gjë, sidomos një fëmijë me aftësi të kufizuar si autizmi” (Anëtare e fokus grupit nr.4).

5“Stilet e prindërimit janë të ndryshme, por meqë jemi duke folur për prindër që janë hipervigjilentë mund të themi se kjo i dëmton fëmijët në rritje dhe zhvillim, sepse i deformon, i bën tejet alert përballë çdo gjëje që i rrethon, pra ata nuk arrijnë të kenë fëmijëri dhe ta gëzojnë atë, sepse gjithnjë do të jenë të tërhequr nga vëmendja e prindit. Kjo i pengon për t’u rritur dhe formuar” (Anëtare e fokus grupit nr.1).  “Doja të ndaja një përvojë personale meqë jam vetë nënë dhe tani që merrem edhe me fëmijët mund të bëjë atë dallimin dhe mënyrën se si realisht i kam trajtuar gjërat. Në fakt, kam filluar të përdor shumë herët internetin që në vitin ’99 ku isha pjesë e Kombeve të Bashkuara, por në fakt jam nëna e vetme që e kam mbijetuar atë sfidën që të mos i lejoj fëmijët të përdorin teknologji. Djali im ka filluar të përdor telefon të mënçur që në moshën 15 vjeçare dhe në fakt isha personi më i kritikuar në gjithë vëndin. Jam injoruar dhe persekutuar në forma të ndryshme duke thënë: “Si ka mundësi që nuk i lejoja përdorim të teknologjisë?”.

Ndoshta edhe unë isha më shumë seç duhet vigjilente, por si e rritur e dija që çdo gjë që përdorej me masë, normalisht që është e rregullt, por kur teprohet dhe pastaj kur ti humb kontrollin, punon në orare të zgjatura dhe nuk di se çfarë ndodh…Dhe i them gjithmonë fëmijëve të mi, kjo është puna ime që të bëj dallimin midis asaj që themi dhe bëjmë, sepse në fakt fëmijët bëjnë çfarë bëjmë ne, na imitojnë ne, nuk bëjnë çfarë themi ne. Kjo është ajo që i mungon qasjes së prindit, që të jemi sa më produktiv që të jemi ne ata që i udhëzojmë. Unë vazhdoj t’iu them fëmijëve të mi, është në rregull që të gabosh, por mos i përsërit gabimet dhe mos gabo në atë masë që të devijosh nga e drejta” (Anëtare e fokus grupit nr.2).

“Avantazh i hipervigjilencës për mendimin tim, është që ne mund të marrim një informacion për fëmijën, nëse ai është duke u bulluar në mjedisin jashtë, pra nëse kemi një vigjilencë të shtuar ndaj fëmijëve tanë, ne mund ta kuptojmë këtë gjë. Normalja dhe anormalja është e ndarë me një fije aq të padukshme sa ti nuk kupton dot që je në normalitet apo në anormalitet. Dhe pikërisht kjo është ajo pjesa që duhet të mendojmë sa është masa për të qenë vigjilentë dhe të kuptuarit të mesit të artë është si thembra e Akilit, pra është një mrekulli që prindi të arrijë të kuptojë masën. Ndërsa në këndvështrimin tjetër, hipervigjilenca i bën fëmijët jo të realizuar, jo vetvetja, kanë ato problemet e tyre në qasjen ndaj fëmijëve të tjerë. Ndërsa për prindërit hipervigjilenca shkon deri në ankth, depresion dhe përfundon në paranojë pastaj. Dhe kjo futet në probleme të shëndetit mendor që duhet trajtuar. Iu ikën gjumi, janë gjithë kohës të shqetësuar, kanë një lloj aritmie, kanë mungesë të frymëmarrjes duke qenë tërë kohës në ankth e panik. Në periudhën e karantinës patëm atë Linjën e Gjelbër, ku patëm shumë prindër që kërkonin ndihmë psikologjike pikërisht për këtë arsye, sepse pyesnin çfarë do iu ndodhte fëmijëve tanë, do na sëmuren, do na vdesin, si do e përballojmë gjithë këtë situatë” (Anëtare e fokus grupit nr.1).

6III. Renditja e përfundimeve të studimit

1.Mosha është një faktor biologjik që ndikon në rritjen e kurbës së hipervigjilencës prindërore. Prindër të rinj në moshë kanë një vigjilencë të shtuar ndaj kujdesit të fëmijëve.

2.Hipervigjilenca prindërore ndikon në rritjen e bullizimit të këtyre fëmijëve nga mjedisi i jashtëm. Ata janë subjekte të presioneve psikologjike të jashtme për shkak se janë të varësuar nga vëmendja dhe kujdesi i tepruar prindëror.

3.Hipervigjilenca është vetëm një hap larg ndaj paranojës ku prindi manifeston simptoma të ankthit, stresit post-traumatik dhe pasiguri të shumta gjatë fazave të rritjes së fëmijës.

4.Hipervigjilenca ka një avantazh që i referohet gjenerimit të informacionit të saktë mbi gjëndjen aktuale të fëmijës.

5.Hipervigjilenca ka një disavantazh që krijon paaftësi të fëmijës për të qënë i lirë, i pavarur në socializim.

IV.Rekomandimet e studimit

1.Përmes këtij raporti studimor, Fondacioni Hiperactivity Albania i bën thirrje organizatave të tjera të shoqërisë civile për mobilizim dhe partneritet në krijimin e klasave të prindërimit, manualeve udhëzuese, që i shërben çdokujt për procesin e prindërimit. Klasat mund të organizohen në platforma online në respekt të masave Anti-Covid.

2.Media duhet t’i kushtojë më shumë hapësirë televizive ngjarjeve dhe situatave konfliktuale dhe problematike në lidhje me figurën e prindit. Zhvillimi i seancave konsultative ndikon në rritjen e aftësisë komunikative për mënyrën se si ata duhet t’i qasen fëmijëve të tyre.

3.Prindërit rekomandohen që të jenë më aktiv në lexim dhe në dëgjimin e përvojave të të tjerëve. Të jenë pjesëmarrës në seancat e trajnimeve prindërore.

 

BIBLIOGRAFIA

Giddens,A. (2004). Sociologjia. Tiranë: Botimet Çabej.

Tahsini, I. & Duci, V. & Voko, K. (2014). Roli i institucioneve dhe i mësuesve për të krijuar partneritet në mbështetje të prindërve në

zhvillimin tërësor të fëmijëve. Save the children.

Tushi, G. (2017). Edukimi në familje dhe në shkollë. Tiranë: Botimet Toena.

*Raporti Studimor u sigurua nga Fondacioni Hiperactivity Albania. Ideuar nga MSc.Migena Kurushi dhe realizuar nga M.A. Enxhi Nasto.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top