Të dhënat e një studimi paraprak në Shtetet e Bashkuara tregojnë për një rrezik më të ulët të shtrimit në spitale dhe vdekjes nga varianti Omicron i koronavirusit.
Studimi është kryer duke analizuar 70,000 persona që rezultuan pozitivë për sëmundjen COVID-19. Analizat janë bërë nga të dhënat e marra nga sistemi shëndetësor në Kaliforni në periudhën ndërmjet 30 nëntorit dhe 1 janarit, ku dy variantet e koronavirusit, Delta dhe Omicron qarkullonin gjerësisht.
Studimi gjeti se personat e infektuar me Omicron kishin 50% më pak gjasa që të hospitalizoheshin, rreth 75% kishin më pak gjasa për kujdes intensiv dhe rreth 90% kishin më pak gjasa të vdisnin në krahasim me personat e infektuar me variantin Delta.
Nga afro 52,000 persona të infektuar me Omicron, asnjëri prej tyre nuk pati nevojë për intubim, krahasuar me 11 persona nga pothuajse 17,000 të infektuar me variantin Delta. Këto gjetje i bashkohen edhe hulumtimeve të kryera në shtetet e tjera, përfshirë Afrikën e Jugut dhe Britaninë. Studimet zbuluan po ashtu se infeksionet me Omicron janë më pak të rënda dhe kanë më pak gjasa që të shkaktojnë vdekje.
Rezultatet e këtyre studimeve sugjerojnë se Omicroni është “më pak i rëndë” se Delta dhe ulja e gjasave për zhvillimin e një sëmundje të rëndë nuk është vetëm rezultat i vaksinimit apo infektimit të mëhershëm, tha studimi. Megjithatë, ky studim ende nuk është shqyrtuar nga shkencëtarë të tjerë, prandaj Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) tha se të dhënat nuk duhet të merren si të mirëqena.
Drejtoresha e CDC-së, Rochelle Walensky u tha gazetarëve se transmetueshmëria e Omicronit është duke e rënduar sistemin shëndetësor amerikan. SHBA-ja aktualisht po regjistron mesatarisht 750,000 raste të reja në ditë dhe ka rreth 150,000 hospitalizime nga COVID-19. Ky shtet po ashtu po regjistron në baza ditore mbi 1,600 viktima.
Burimi / REL
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.