FB

November 8, 2021 | 8:17

Studimi mbi fenomenin e autizmit virtual në Shqipëri / Sa ka ndikuar pandemia tek fëmijët në përdorimin e pajisjeve teknologjike?

*Ky raport u realizua nga M.A. Enxhi Nasto dhe MSc. Migena Kurushi

 

Terapistja familjare Wedge (2017) thekson se studimet e reja klinike kanë zbuluar se shumë fëmijë të vegjël që shpenzojnë shumë kohë para ekranit në TV, video games, tableta dhe kompjutera, kanë simptoma të quajtur “autizëm”. Kur prindërit ua heqin ekranet për disa muaj, simptomat e fëmijës zhduken. Termi për këtë fenomen është “autizmi virtual” dhe u krijua nga psikologu klinik rumun Dr. Marius Zamfir. Përdorimi masiv i pajisjeve elektronike ndikon në rritjen e vetmisë dhe asocialitetit të tij.

54c367197b6db7126471986bd156d0bb

Shoqërizimi me një ekran të ngurtë që nuk të përcjell emocione të një përqafimi të ngrohtë, me të cilin nuk shkëmben mendime të vërteta dhe të sinqerta, kjo bën që fëmija të fillojë të jetojë brënda një objekti të ngurtë duke humbur kontaktet me botën reale. Në këtë kuadër, nevojiten disa mekanizma modifikues të sjelljes së fëmijës duke i prezantuar modelet e gabuara që kanë ardhur si rezultat i përdorimit të tepërt të ekraneve elektronike në mënyrë që edhe ai të kuptojë rëndësinë e limitit kohor. A janë të gatshëm prindërit të sfidojnë elektronikën sot?! Në këtë rast studimor kërkuesi është përqëndruar në analizimin e rastit duke e studiuar në nivel përshkrimor, eksplorues dhe krahasues në dy mjedise të ndryshme fizike në të cilën subjekti njerëzor (fëmija dhe prindi i tij) ka qëndruar me hulumtuesin.

I.1.Parashtrimi i problemit referuar ndikimit të zhvillimit teknologjik në rritjen e fëmijëve

 “Ia bleva se e kërkoi”, kjo është fraza e zakonshme me të cilën individi në rolin e tij prindëror tregon se sapo ka dështuar në betejën e rradhës përball lotëve të fëmijës që në momentin kur ai ka shprehur dëshirën e rradhës për të patur asete teknologjike në dhomën e tij. Shprehja e tillë e një prindi se gjërat blehen atëhere kur kërkohen, pavarësisht mënyrës dhe arsyes për të cilën kërkohen, tregon se ky prind ka dështuar që në fazën fillestare të prindërimit. Mungesa e përballjes në mendime me fëmijën tënd për të ndarë sjelljen e drejtë nga e gabuara, gjeneron një sërë pasojash që vështirë se mund të rregullohen në një të ardhme të afërm kur ky fëmijë të fitojë autonominë e tij. Duhet kuptuar se fraza “ia bleva se e kërkoi” përçon mesazhe dhe sinjale të gabuara, duke e edukuar me mendimin se dëshirat realizohen vetëm atëhere kur ti bërtet, ti qan dhe ti zemërohesh.

Brezi i sotëm ka një të tashme të projektuar vetëm tek ekranet elektronike. Lojërat elektronike kanë zëvëndësuar dëshirën për të vendosur në lëvizje gjymtyrët e trupit, imagjinatën dhe kreativitetin e fëmijëve; kanë rritur nivelin e përqëndrimit të syve në drejtimin majtas dhe djathtas për të mposhtur në lojë kundërshtarin e tyre, kur në fakt po mësojnë në mënyrë fiktive se si fitohet.

Konkurrenca dhe gara e vërtetë në jetë është një kontratë me të ngjashmin; që do të thotë të sfidosh më të mirin për të kuptuar aftësinë tënde. Në të njëjtën gjatësi vale mendimi shprehet edhe në këtë në artikullin e mirënjohur të Karl Popper (cit. nga Zhapaj, 2014) thuhet se: “kompjuteri është një hajdut i kohës: fëmijëve u grabit orë të çmuara, thelbësore për të mësuar diçka në lidhje me botën dhe vendin që secili zë”. Kompjuteri, me pushtimin e tij, ka vjedhur kohën e nevojshme të lojërave tradicionale të fëmijëve lojrave të imagjinatës, garave në qiell të hapur; dhe këtë e ndien dhe e pasqyron më mirë aktiviteti tipik fantastik dhe krijues i fëmijës, i nxitur nga përdorimi i videogames duke e ndryshuar kështu natyrën e vërtetë të lojës së tij, që karakterizohet nga autonomia dhe spontaniteti, duke e ngurtësuar në brendësi të modeleve heteronomous që i imponojnë përdoruesit të saj të bëhet dëgjues-ekzekutues nga shpikjet e të tjerëve”.

 

I.2.Syri drejt një ekrani elektronik

Terapistja familjare Wedge (2017) thekson se studimet e reja klinike kanë zbuluar se shumë fëmijë të vegjël që shpenzojnë shumë kohë para ekranit në TV, videogames, tableta dhe kompjutera, kanë simptoma të quajtur “autizëm”. Kur prindërit ua heqin ekranet për disa muaj, simptomat e fëmijës zhduken. Termi për këtë fenomen është “autizmi virtual” dhe u krijua nga psikologu klinik rumun Dr. Marius Zamfir. Ndërkohë referuar Dr. Ducanda (cit. nga Wedge, 2017) vë në dukje se programet televizive të fëmijëve mësojnë fëmijën të përsërisin fjalët pa e ditur se çfarë kuptimi realisht kane ato fjalë. Një fëmijë mund të llogarisë, por fëmija nuk e di se çfarë do të thonë numrat. Për shembull, fëmija mund të përsërisë numrin tre. Por nëse i kerkoni fëmijës: “Më jepni tre lapsa”, fëmija nuk mund ta bëjë këtë. Kur tregohet një fotografi dhe e pyetni një pyetje si: “Çfarë është duke bere vajza e vogël?” Fëmija thjesht i degjon si jehonë fjalët “Çfarë është duke bërë vajza e vogël?” në vend që të përgjigjet në pyetjen…Drita dhe zhurma nga ekranet elektronike kapin vëmendjen e një fëmije, por ato nuk të çojnë drejt një zhvillimi të një truri të shëndoshë.

Kompjuteri është një strehë që të shtyn drejt vetmisë (Zhapaj, 2014). Përdorimi masiv i pajisjeve elektronike ndikon në rritjen e vetmisë dhe asocialitetit të tij. Shoqërizimi me një ekran të ngurtë që nuk të përcjell emocione të një përqafimi të ngrohtë, me të cilin nuk shkëmben mendime të vërteta dhe të sinqerta, kjo bën që fëmija të fillojë të jetojë brënda një objekti të ngurtë duke humbur kontaktet me botën reale. Në këtë kuadër, nevojiten disa mekanizma modifikues të sjelljes së fëmijës duke i prezantuar modelet e gabuara që kanë ardhur si rezultat i përdorimit të tepërt të ekraneve elektronike në mënyrë që edhe ai të kuptojë rëndësinë e limitit kohor. A janë të gatshëm prindërit të sfidojnë elektronikën sot?!

f27aa9e5d5c336180c5cf775e74a28cb

I.3.Fëmijëria dhe elektronika në kushtet e pandemisë

 Në raportin kërkimor të UNICEF-it “COVID-19 dhe ndikimet e tij në mbrojtjen e fëmijëve online” në Prill 2020, ku ishim në fazat e para të pandemisë globale. Në këtë raport të publikuar është diskutuar shumë mbi bullizmin kibernetik si një nga faktorët shqetësues në kohën e pandemisë, ku fëmijët janë në kontakt të vazhdueshëm me tableta dhe laptop, diktuar kjo edhe nga një komunikim i vazhdueshëm online. Është fakt se shkollat 9-vjeçare po vazhdojnë të sfidojnë

kushtet e vështira të pandemisë dhe po vazhdohet ende të zhvillohet mësimi nëpër klasa brënda një orari të limituar dhe kjo për pasojë sjell që vijueshmëria e konsulencave me nxënësit nga trupa mësimore të jetë edhe në versionin online. Mirëpo në kontekstin e formave të komunikimit online, fëmijët mund të jenë subjekte të fenomenit të njohur tashmë “bullizmi kibernetik”, pra ata mund të bullizojnë, por edhe të bullizohen. Në raportin e 2020 është paraqitur argumenti se: “Pandemia e COVID-19 ka sjellë edhe përdorimin e mesazheve direkte, lojërave online dhe shërbimeve të komunikimit (chat) për një numër të madh të fëmijëve të vegjël, të cilët mund të kenë pak përvojë online dhe mund të jenë më pak rezilientë ndaj sjelljes së dëmshme.

Vajzat, fëmijët me aftësi të kufizuara dhe ata që konsiderohen të ndryshëm dhe në rrezik më të madh për t’u infektuar ose për të përhapur COVID-19 mund të jenë më shumë të rrezikuar për sa i përket bullizmit dhe diskriminimit online”. Diçka është shumë e qartë. Ky argument vazhdon t’i rezistojë kohës që po jetojmë në mes të një pandemie sfiduese të normalitetit njerëzor.

Pandemia po intensifikon përdorimin e platformave virtuale nga fëmijët duke i afruar edhe më shumë këta të fundit me shfaqjen e një autizmi në nivel të moderuar. Duhet kuptuar se edhe kur prindërit për pamundësi ekonomike nuk munden t’i sigurojnë fëmijëve pajisje elektronike për të patur akses tek mësimi i dixhitalizuar, sigurisht që edhe në këto raste këta fëmijë janë subjekte të bullizimit, jo në formatin kibernetik. Pra, po kuptojmë se elektronika i ka turbulluar ujërat për të gjitha palët, si për ata familjarë që gëzojnë financa të qëndrueshme, po ashtu edhe për ata që kanë shtrëngesa buxhetore.

I.4.Qëllimi kërkimor përmes metodës së studimit të rastit për autizmin virtual në kontekstin shqiptar

Në këtë rast studimor kërkuesi është përqëndruar në analizimin e rastit duke e studiuar në nivel përshkrimor, eksplorues dhe krahasues në dy mjedise të ndryshme fizike në të cilën subjekti njerëzor (fëmija dhe prindi i tij) ka qëndruar me hulumtuesin. Ky qëllim në gjithë aktivitetin kërkimor është organizuar në tri objektiva specifike si më poshtë:

-Përshkrimi i sjelljes së fëmijës në një mjedis fizik/ natyror dhe online.

-Eksplorimi i sjelljes së fëmijës përmes pyetjeve të vazhdueshme dhe zbatimit të metodës së vëzhgimit nga ana e hulumtuesit.

-Vendosja e dy situatave të ndryshme në një rrafsh krahasimor midis dy formave të komunikimit online dhe fizik me subjektin.

Plani strategjik kërkimor është hartuar me 4 hapa kryesore konkrete që studiuesi i ka ndjekur me përpikmëri në funksion të objektivave kryesore të kërkimit. Strategjia bazohet në katër hapa si më poshtë:

-Hapi I: I kërkohet nënës që t’i ofrojë djalit një tabletë ose smartphone përgjatë kohës së intervistës.

-Hapi II: Hulumtuesi duhet të vëzhgojë në vazhdimësi fëmijën përgjatë intervistës me nënën e tij nëse ai do të shkëputet një moment nga celulari apo mjeti tjetër teknologjik që i është ofruar me vendosmërinë e tij. Hulumtuesi duhet t’i drejtohet herë pas here fëmijës me ndonjë pyetje për të kuptuar shkathtësinë e tij e të reaguarit dhe të përgjigjurit, në mënyrë që të testohet niveli i përqëndrimit të tij.

-Hapi III: Fëmijës t’i prezantohen përmes opsionit share në platformën ZOOM si dhe rastin tjetër ballë për ballë, disa fotografi të cilat ai duhet t’i interpretojë me mënyrën e tij, si dhe t’i përgjigjet disa pyetjeve të thjeshta. Nëna në intervistë nuk duhet të ndikojë në dhënien e përgjigjeve të fëmijës së saj.

-Hapi IV: Nëna me kujdes i kërkon të lëshojë telefonin fëmijës duke i thënë se për 5 ditë nuk do të luajë me të për një arsyetim të caktuar që ajo do t’ia shpreh sipas perceptimit të saj. Hulumtuesi vëzhgon reagimin e fëmijës.

I.5.Përcaktimi i pyetjeve kërkimore në studimin e rastit

Në këtë studim rasti ka disa pyetje kërkimore rreth të cilave orientohet i gjithë aktiviteti kërkimor i studiuesit. Përqëndrimi i pyetjeve kërkimore drejtohen vetëm tek aspekti i fëmijës, duke qenë se ai është figura kryesore në botën e virtualitetit. Nuk ka qënë në asnjë moment studimi i figurës së prindit në këtë studim rasti, pasi fëmija është pasqyrimi i gjithë procesit të edukimit nga prindi. Duke marrë nën shqyrtim rastin e një individi në moshën 5 vjeçare për të vëzhguar sjelljet dhe reagimet e tij në mjedise e situata të ndryshme, studiuesi arrin të përceptojë mënyrat e edukimit dhe të rritjes së prindit në fjalë. Pyetjet kërkimore renditen si më poshtë:

1.Sa ndikon ekspozimi në kohë të gjatë përball ekraneve elektronike tek niveli i përqëndrimit të fëmijës?

2.Cilat janë perceptimet dhe qëndrimet e fëmijës mbi zhvillimin e procesit mësimor në versionin online?

3.Cilat janë perceptimet e fëmijës për lojërat elektronike?

 

KAPITULLI II

METODOLOGJIA KËRKIMORE

II.Përse metoda e studimit të rastit në fenomenin e autizmit vitual?

Studimet e rastit fokusohen në një njësi të një fenomeni të veçantë me qëllim studimin më të thellë të ngjarjeve, marrëdhënieve, përvojave ose proceseve që shfaqen brënda kësaj njësie të veçantë. Përdorimi i studimit të rastit është bërë shumë i përhapur në shkencat sociale, sidomos në studimet në shkallë të vogël…një studim rasti ndryshe nga metodat e tjera realizon studimin e gjërave në detaje. Kur studiuesi merr vendim cilën strategji/metodë do të përdorë të gjitha përpjekjet e tij/saj shkojnë në studimin e një njësie, që sigurisht ka më shumë mundësi t’i shikojnë gjërat më në detaj dhe të zbulojnë gjëra që nuk mund të ishin shfaqur përmes një metode tjetër studimi më sipërfaqësore (Tahiri&Rama&Sota, 2013). Është përcaktuar si njësi e vetme e kërkimit një fëmijë i moshës 5-vjeçare i cili në prani të nënës së tij u zhvillua intervista e strukturuar, e menduar mirë paraprakisht në strukturimin e pyetjeve nga ana e kërkuesit, në përdorimin e një gjuhe të thjeshtë, të kuptueshme gjithnjë në përputhje me moshën e fëmijës. Në takimet e njëpasnjëshme ky rast studimor është vëzhguar në mënyrë të detajuar që nga teknikat e shikimit, të folurit, të sjellurit, kundërpërgjigjet në marrëdhënie me bashkëbiseduesin, me prindin si dhe në raport me pajisjen elektronike që e shoqëron përgjatë gjithë intervistës me të.

II.1.Qëndrime kundërshtuese ndaj përdorimit të metodës së rastit si qasje kërkimore dhe prezantimi i argumentave pro studimit të rastit për autizmin virtual

Kur vlerësojmë këtë metodë, studiuesi social është i prirur të vendosë përballë skepticizmin rreth gjetjeve, skepticizëm që shfaqet nga dyshimet se sa e përshtatshme është ta përgjithësosh gjetjet nga një rast. Është mëse normale që studiuesi do të përballet me njerëzit që i drejtojnë tri pyetje si më poshtë:

-Sa përfaqësues është rasti?

-A është e mundur që gjetjet, megjithëse interesante, janë unike për rrethana të caktuara të rastit?

-Si mund të arrish të përgjithësosh mbi bazën e një studimi të bazuar vetëm në një njësi?

Kërkuesi ka marrë përsipër t’i përgjigjet me argumenta çdo kritikë konstruktive për të mbrojtur logjikën e ndjekur dhe rezultatet e këtij hulumtimi shkencor. Argumenti i parë: Pavarësisht se rastet kanë disa veçori unike që diferencojnë njëra-tjetrën, sërish rasti i marrë në studim mund të jetë shembull i vetëm i kufinjve të gjërave (Tahiri&Rama&Sota, 2013). Sikurse literatura dhe studiuesit e shkencave sociale na e konfirmojnë këtë, po në këtë kuadër hulumtuesi ka zgjedhur rastin e një fëmije 5 vjeçar i cili ka dëshira dhe prirje të veçanta në njohjen dhe përdorimin e pajisjeve elektronike. Pra, kemi të bëjmë me një rast që përfaqëson gjithë grupmoshën e 5-vjeçare të sotëm, të një brezi që janë shumë të lidhur pas botës virtuale, video games dhe komunikimit online me të tjerët. Përpara se të fillojnë të mësojnë alfabetin, ata kanë arritur të mësojnë përdorimin e tabletës, smartphone dhe laptopit të tyre. Argumenti i dytë: shkalla në të cilën gjetjet nga një studim rasti mund të përgjithësohen, për shembuj të tjerë të të njëjtit lloj, varet nga ngjashmëria e rastit që është marrë në studim me të tjerat e të njëjtit lloj (Tahiri&Rama&Sota, 2013). Në këtë kontekst, ky studim rasti për autizmin virtual gjeneron shumë gjetje kërkimore të ngjashme me rastet e fëmijëve të tjerë 5 vjeçarë ndikuar dhe nga kufizimet e pandemisë, për më tepër edhe vetë të rriturit që janë në marrëdhënie pune janë të prirur drejt smartworking.

Argumenti i tretë: Për lexuesit që duan të bëjnë një gjykim të informuar mund të them se ky raport kërkimor i bazuar në një studim rasti përfshin detaje të mjaftueshme rreth faktit se si ky rast i fëmijës 5-vjeçare krahasohet për ngjashmëritë që ka me gjithë rastet e tjera të së njëjtës grupmoshë. Lexuesit e këtij raporti do t’i prezantohen të gjitha informacionet e nevojshme për të kuptuar vlefshmërinë dhe besueshmërinë e këtij studim rasti.

II.2 Hartimi i intervistës së strukturuar

Udhëzuesi i intervistës përmban 10 pyetje shtjelluese të bisedës me prindin dhe fëmijën në një mjedis në natyrë ku kërkuesi ka krijuar atmosferën e një pikniku ku fëmija të qëndronte ulur në tokë midis ajrit dhe diellit në një gjëndje qetësie dhe paqe për të qënë plotësisht i përqëndruar në kthimin e përgjigjeve. Udhëzuesi paraprihet nga një album fotografik ku prindi i ka vendosur në dispozicion hulumtuesit këto të dhëna dokumentuese ku fëmija është fotografuar në situata të ndryshme. Mbi bazën e këtyre fotografive janë formuluar 4 pyetje kushtuar fëmijës për të bërë një interpretim të thjeshtë prezencës së tij në mjedise të ndryshme. Për të qënë korrekt me proçedurat kërkimore, hulumtuesi e ka pilotuar më parë udhëzuesin e intervistës me 2 raste të mëparshme, ku u pa e arsyeshme rishikimi i disa pyetjeve për të qënë lehtësisht të kuptueshme nga fëmijët. Referuar zbardhjes së katër pyetjeve drejtuar 5 vjeçarit, ua paraqesim si më poshtë:

-Është më e pëlqyeshme për ty mësimi në klasë duke shkuar në shkollë, apo mësimi në kompjuter?

-Është më mirë dhe më bukur të luash në një park lojërash në natyrë apo me video game?

-Të pëlqen t’i takosh shokët nga afër dhe të luash me ta apo preferon të komunikosh me ta përmes ekranit të kompjuterit/tabletës?

-Preferon më shumë të bashkëbisedosh me mamin, të luash me smartphone apo të lexosh shkronjat e alfabetit?

Kërkuesi e ka menduar të arsyeshme të zbatojë strategjinë e tij të hulumtimit duke e realizuar intervistën me fëmijën 2 herë. Intervista e parë me të njëjtin rast është zhvilluar në një mjedis në natyrë si dhe intervista e dytë përmes ekranit elektronik. Kjo ishte një strategji kërkimore e hulumtuesit sepse këtu kuptohet nëse fëmija e ka më të lartë nivelin e përqëndrimit në komunikimin ballë për ballë apo përmes formës online të takimit në platformën Zoom.

II.3. Konsideratat etike në studimin e rastit

Aksesi i negocimit në mjedisin e studimit të rastit mund të jetë një pjesë e vështirë në procesin e studimit. Në studimin e rastit, aksesi në njerëz, dokumente, mjedise mund të prodhojë probleme etike, sikurse është konfidencialiteti (Tahiri&Rama&Sota, 2013). Në rastin konkret studimor është respektuar dhe zbatuar me përpikmëri nga ana e kërkuesit, ruajtja e konfidencialitetit pasi nuk është publikuar asnjë e dhënë personale e pjesëmarrësit, nuk është publikuar asnjë fotografi e tij personale që cënon në mënyrë direkte anonimatin. Pyetjet janë formuluar duke u mbështetur në kodin etik të komunikimit, duke marrë parasysh edhe moshën e pjesëmarrësit. Është shmangur efekti i vrojtuesit, sepse fëmijët janë të spikatur për sjelljet e tyre të natyrshëm, pikërisht për këtë arsye prezenca e studiuesit në procesin e vëzhgimit nuk ka ndikuar aspak në modifikimin e sjelljes së fëmijës. Intervista është zhvilluar në prezencën e një të rrituri, në rastin konkret prindi i tij, për të qenë edhe ai në dijeni të bashkëbisedës së zhvilluar.

03KAPITULLI III

GJETJET KËRKIMORE

Në këtë kapitull prezantohen të gjitha gjetjet kërkimore nga intervista e zhvilluar në dy mjedise të ndryshme me të njëjtin fëmijë i shoqëruar nga prindi i tij. Ky kapitull prezanton me vërtetësi gjithçka të zbardhur nga përgjigjet e dhëna natyrshëm të fëmijës pa një sistem filtrimi. Përgjigjet e dhëna prej tij ngjasojnë me çdo fëmijë tjetër të moshës së tij, pasi këto gjetje kërkimore në raportin që ka krijuar me pajisjet elektronike janë përgjithësuese, sepse fëmijëria e kohëve të sotme është e lidhur ngushtë me zhvillimin teknologjik. Njësia qëndrore e trurit të fëmijës i përngjason njësisë qëndrore të një kompjuteri, ku ata janë të aftësuar në përdorimin e tij në jetën e përditshme në funksion të dëshirave dhe nevojave të tyre.

III.1.Është më e pëlqyeshme për ty mësimi në klasë duke shkuar në shkollë, apo mësimi në kompjuter?

“Mua më pëlqen shumë të mësoj me kompjuter se sa të shkoj tek kopshti. I kam gjetur shkronjat edhe në kompjuter dhe aty mësoj me mamin që të gjitha shkronjat e alfabetit” (Shënim: lëviz sërish, sytë nuk i kthen nga vëzhguesi/studiuesi por vazhdon t’i mbajë tek smartphone ndërsa bashkëbisedon me studiuesin). Fëmija në moshën 5-vjeçare kishte një frekuentim të rregull në institucionin parashkollor, por pasditeve i kalonte në kohëzgjatjen 4-5 orë me përdorimin e tabletit duke luajtur në video games. Nëna u shpreh se është përpjekur t’ia limitojë, por fillon dhe mërzitet shumë shpejt nëse nuk e përdor shpesh tabletën me lojëra. Fëmija ka ofruar këtë përgjigje si në momentin kur pyetja i është drejtuar në natyrë, por ashtu edhe në komunikimin online në Zoom. 2 Fotografitë i janë treguar edhe së afërmi dhe përmes share screen në Zoom. Fotografia e parë tregonte momentin kur ai luante me fëmijët e tjerë në kopsht ku festonte ditëlindjen e tij dhe fotografia e dytë tregonte ku ai përdorte laptopin dhe shikonte video me shkronjat e alfabetit. Vlen të theksohet se smartphone është mbajtur nga duart e fëmijës në të dyja mjediset ku është zhvilluar intervista me të. Kjo dëshmonte qartazi se pajisja elektronike ishte një instrument i pandashëm edhe gjatë momenteve të diskutimit me të.

III.2. Është më mirë dhe më bukur të luash në një park lojërash në natyrë apo me video game?

Fëmijës i janë prezantuar dy fotografi të rradhës, ku në të parën tregohej një fotografi familjare në një park lojërash dhe ndërkohë tek e dyta fëmija shikonte veten e tij të fotografuar me tabletë në duar. Dhe ai përgjigjet në këtë mënyrë si më poshtë: “Tek të dyja më pëlqen shumë të luaj me shokët dhe shoqet e kopshtit, me kushurinjtë e mi, por dua të kem edhe një vëlla të luajë me të me gara me makina”. Gara me makina nënkupton lojën elektronike shumë të preferuar për çdo fëmijë që e luan në përditshmërinë e tij, por në rastin konkret fëmija shprehu dëshirën e të pasurit edhe një vëlla, por jo të shijojë natyrën në një park lojërash mes diellit dhe ajrit, por të qëndronte me të përball një ekrani elektronik për të luajtur lojën e tij me të preferuar. I mungonte “rivali” në lojë, por jo në jetë.

III.3. Të pëlqen t’i takosh shokët nga afër dhe të luash me ta apo preferon të komunikosh me ta përmes ekranit të kompjuterit/tabletës?

Në këtë pyetje të rradhës fëmija ishte i pavendosur, sepse preferonte edhe të luante dhe t’i takonte ata nga afër, po ashtu edhe të komunikonte përmes kompjuterit në facetime. Duhet përmendur se fëmija i njihte si emërtime facebook, instagram, whatsApp e ndonëse është vetëm 5 vjeç. Ai nuk dispononte llogari personale në asnjërën prej tyre, pavarësisht faktit se i njihte si aplikacione dhe përse përdoreshin. “Më pëlqen të shoh facebook-un se shoh fotot e mamit dhe të babit. Shoh foto të tjera. Më pëlqen të shoh Youtube me Cukur-in…shoh edhe video të tjera për fëmijë”. Sikurse shikohet edhe nga përgjigja, fëmija është ndjerë i lirë duke përmendur edhe emërtime serialesh, rrjetesh sociale, se i ndjek në vazhdimësi gjatë kohës së tij të lirë. Sigurisht, kjo ka një domethënie për studiuesin për menaxhimin e kohës që prindi ia sugjeron dhe ia lejon fëmijës së tij. A është kjo e duhura?! Sigurisht që gjetjet shërbejnë për formulimin e përfundimeve në kapitullin pasardhës.

III.4. Preferon më shumë të bashkëbisedosh me mamin, të luash me smartphone apo të lexosh shkronjat e alfabetit?

“Më pëlqen më shumë të luajë me smartphone dhe të lexojë alfabetin. Mami është tek puna vjen shumë vonë. Rri tek nëna dhe më gatuan gjëra shumë të mira”. Mungesa e afrimitetit të fëmijës me prindin ndodh për shumë faktorë të jashtëm. Qëndrimi në punë me kohëzgjatje të madhe, ngarkesa e problematikave në jetën bashkëshortore, apo probleme të natyrës shëndetësore dhe jo vetëm, ndërhyjnë në rritjen dhe edukimin e fëmijës. Ky fëmijë e gjente strehën tek kompjuterat dhe serialet, tek video games dhe tek çdo format tjetër elektronik. Frazat e fëmijës janë relativisht të shkurtra, për aq vëmëndje sa arriti t’i kushtonte studiuesit. Kohëzgjatja e intervistës ishte e barabartë për të dyja llojet e takimeve me fëmijën. 2 orë ishin mëse të mjaftueshme për të kuptuar marrëdhënien e tij të afërt me pajisjet elektronike.

04III.5. Pyetje dhe përgjigje në kuadër të kontrollit për efektivitetin e metodës së studim rastit në përputhje me gjetjet kërkimore

Formati i pyetjeve është marrë si referencë nga libri i Metodave Kërkimore të Shkencave Sociale. Studiuesi i përgjigjet secilës prej tyre për të garantuar se metoda e studim rastit ka qenë funksionale dhe rezultative në përputhje me qëllimin e këtij studimi.

1.A bazohet studimi në një situatë të shfaqur natyralisht?

Fëmija është produkt i natyralitetit dhe metoda e studim rastit i qëndronte si duhej këtij subjekti kërkimor për ta vëzhguar në mënyrë të detajuar. Fëmija mes një natyraliteti, lëvizte shumë shpejt gjymtyrët e sipërme duke ushtruar një presion fizik tek prindi për marrjen e tabletës ndërkohë që prindi mundohej t’ia largonte. Qëndronte shumë pak i ulur, sepse dëshironte të lëvizte herë pas here edhe pse përqëndrimi ishte tek ekrani i tabletës. I ngjasonte një hiperaktivi me A.D.H.D., por këtë detaj kërkuesi e ruante në shënimet e tij, duke mos ia evidentuar prindit. Studiuesi është kujdesur që të gjitha detajet e vëzhguara të mos ia përcillte edhe prindit të fëmijës, kjo për të respektuar statusin e tij dhe për të mos ndikuar negativisht në gjëndjen emocionale të prindit. Duhet kuptuar që kërkuesi nuk është terapist zhvillimi, psikolog social apo sociolog për të shpjeguar diagnozën e fëmijës. Kërkuesi është strateg në kërkim të gjetjeve.

2.A është përshkruar dhe justifikuar kriteri i përzgjedhjes së rastit?

Rasti përzgjidhej mbi bazën e dy kritereve të rëndësishme: Së pari, njësia e vetme kërkimore të ishte individ dhe së dyti, t’i përkiste grupmoshës 5-8 vjeç për të kuptuar që në fazën e hershme sa i lidhur është individi me pajisjet teknologjike. Ky kriter është plotësuar dhe mbi bazën e tij u ngrit i gjithë procesi i grumbullimit të materialit.

3.A është identifikuar rasti si një risi e veçantë e një lloji të fenomenit social?

Rasti qëlloi që fëmija të shfaqte simptoma të Hiperaktivitetit A.D.H.D., dhe normalisht rasti i përkiste një fenomeni social, dhe risia e veçantë në këtë kontekst është se gjejmë një fëmijë të përqëndruar pas ekraneve elektronike, por që herë pas here lëvizte nga një vënd në tjetrin. Përgjigjet jepeshin, por të shkurtra. Prevalonte dëshira për të luajtur mbi komunikimin.

4.A janë përshkruar veçoritë domethënëse të rastit, dhe a janë krahasuar ato me rastet e tjera të ngjashme?

Studiuesi ka rastisur më parë edhe me fëmijë të tjerë, përgjatë procesit të pilotimit të intervistës, që shfaqnin të njëjtën dëshirë për të përdorur pajisjen elektronike që mbanin në dorë. Nuk shfaqnin veçori të hiperaktivitetit, por ishin mjaftueshëm të përqëndruar pas ekranit. Qeshnin, argëtoheshin, komentonin vetë lojën përpara objektit të ngurtë që nuk i kthente normalisht përgjigje, dhe gjithë këtë ata e shijonin në atë pavarësinë e tyre.

5.A janë përshkruar dhe marrë në konsideratë kufijtë e rastit?

Fëmija e marrë si rast studimor përfaqëson të gjithë grupmoshën e tij dhe kufiri moshor ishte i përcaktuar që në fillim të planit kërkimor. Nëse studimi i rastit nuk do të kishte një limit moshor, normalisht 5 vjeçari nuk mund të përfaqësojë grupmoshën 10-15 vjeç, pasi stadi i zhvillimit të tyre është krejtësisht tjetër.

6.A është studimi i përshtatshëm për të përdorur këtë metodë dhe këtë burim të dhënash?

Rasti i përzgjedhur ishte përfaqësues dhe të dhënat e gjeneruara prej tij të mundësojnë që të ndërtosh disa përfundime përgjithësuese. Kjo metodë studimi është e përshtatshme për këtë qëllim kërkimor dhe ky studim mund të shërbejë si kontribut shkencor për çdo studim të mëtejshëm që do të diskutohet mbi autizmin virtual. Risia qëndronte që në tematikën e hulumtuar, e cila ka nevojë të studiohet edhe më gjërë.

7.A siguron studimi një perspektivë “holistike” përmes vëmendjes ndaj marrëdhënieve dhe proceseve?

Studimi e garanton këtë perspektivë, sepse një fëmijë në moshën 5 vjeçare që ka shumë kureshtje për të ditur e për të njohur më shumë ndaj proceseve të jetës, ndaj marrëdhënieve prindërore, por që faktikisht vëmëndja ndaj elektronikës prevalon mbi dy të parat. Kjo do të thotë se autizmi virtual ka një perspektivë për t’u avancuar edhe më shumë në vëndin tonë. Komunikimi është çelësi për t’i marrë vëmëndjen fëmijës dhe për të ndryshuar kështu këtë perspektivë të zymtë për fëmijët e këtij brezi. Kur prindi nuk i ofron komunikimin, fëmija do ta sigurojë në një formë tjetër tek një vend tjetër pranë një objekti tjetër.

02

KAPITULLI IV

PËRFUNDIMET & REKOMANDIMET

Në këtë kapitull prezantohen konkludimet dhe rekomandimet për mënyrën se si duhet marrë e mirëqënë njohja e problemit të autizmit virtual. Mungesa e njohjes së problemit është problem më vete. Në këtë kuadër, parashtrohen disa pika të rëndësishme si më poshtë:

IV.1. Përfundimet e studimit

1.Nga të dhënat e përftuara në hulumtimin e këtij rasti rezulton se në marrëdhënien prindfëmijë ka mungesa të theksuara në komunikimin e përditshëm për shkak të faktorëve të brëndshëm dhe të jashtëm.

2.Fëmija kishte një nivel të lartë të përqëndrimit përball ekranit elektronik dhe shumë pak i interesuar për të ofruar më shumë përgjigje në raport me pyetjet e studiuesit.

3.Fëmija nuk u ndikua aspak nga efekti i vrojtuesit (studiuesit). Ai pati sjellje dhe reagime të njëjta sikurse ishte në shtëpinë e tij, po ashtu edhe në një mjedis tjetër më afër natyrës, ajrit dhe diellit.

4.Prindi i fëmijës ishte shumë i rezervuar për t’u shprehur në disa raste, për të qënë plotësues i fjalive të mbetura përgjysëm të fëmijës. Ky fakt u lexua si një ndrojtje emocionale nga ana e prindit.

5.Fëmija insistonte në përdorimin e vazhdueshëm të tabletës dhe smartphone në një kohëzgjatje të madhe 4-5 orë në ditë. Kjo kohëzgjatje ndikon tek organizimi i një pasdite ndryshe nga e zakonshmja. Serialet, video në youtube, navigimi në rrjete sociale ndiqeshin në mënyrë të vazhdueshme nga raste në fjalë.

IV.2. Rekomandimet e studimit

1.Sugjerohet për kategorinë e prindërve të reduktojnë në nivele maksimale kohën e përdorimit të pajisjeve elektronike nga fëmijët e tyre, në përjashtim të rasteve kur nevojitet në funksion të mësimit online në varësi të zhvillimeve prej pandemisë.

2.Institucionet e arsimit parashkollor duhet të organizojnë sa më shumë fokus-grupe me fëmijët dhe të nxisin kreativitetin e tyre duke shmangur kategorikisht përdorimin e mjeteve teknologjike.

3.Koha e pasdites për fëmijët nuk duhet të shpenzohet përpara ekranit të televizorit, por t’i kushtohet koha e leximit të librit për të zgjeruar spektrin e dijes dhe informacionit.

4.Programet e trajnimit për nxitjen e aktivitetit duhet të jenë pjesë e axhendave ditore të organizatave të shoqërisë civile që targetojnë grupe fëmijësh me probleme të spektrit autik dhe hiperaktiv.

5.Organizatat e shoqërisë civile duhet të mundësojnë grupe trajnimi për prindër të rinj të cilët duhet të informohen për autizmin virtual, mbi disavantazhet që reflektohen tek aspekti neuro-zhvillimor i fëmijës.

 

BIBLIOGRAFIA

Raporti UNICEF për COVID-19 dhe ndikimet e tij në mbrojtjen e fëmijëve online. Prill, 2020.

Tahiri, F. &Rama, R. &Sota, M. (2013). Metodat kërkimore në shkencat sociale. Tiranë: West

Print.

Zhapaj, A. (2014). Varësia nga interneti dhe impakti i saj në performancën shkollore të nxënësve.

Disertacion i mbrojtur në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës.

https://www.madinamerica.com/2017/08/virtual-autism-explain-rising-asd-diagnoses/

 

*Kjo punë kërkimore është mbështetur nga Fondacioni Hiperactivity Albania si dhe u ofrua si material për lexuesin e revistës Psikologjia.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top