Një studim i ri zbulon se disa çrregullime psikiatrike ndajnë faktorë të përbashkët gjenetikë me infektimin dhe ashpërsinë e COVID-19.
Duke përdorur të dhëna gjenetike në shkallë të gjerë, studiuesit gjetën përputhje në rrugët biologjike – veçanërisht ato që lidhen me funksionimin e sistemit imunitar – mes çrregullimeve si depresioni, çrregullimi i mungesës së vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD), dhe çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD), dhe rrezikut për infektim dhe shtrim në spital nga COVID-19. Këto gjetje sugjerojnë se lidhja mes sëmundjeve mendore dhe ndjeshmërisë ndaj COVID-19 mund të mos burojnë vetëm nga faktorë mjedisorë apo sjellorë, por edhe nga baza të përbashkëta gjenetike.
Pandemia e COVID-19 ka pasur një ndikim të thellë në shëndetin mendor në mbarë botën. Por shumë përpara se virusi të ndryshonte jetën e përditshme, studiuesit e dinin se personat me çrregullime psikiatrike në përgjithësi kanë më shumë gjasa të përjetojnë pasoja më të rënda në shëndetin fizik. Gjatë pandemisë, disa studime konfirmuan se individët me çrregullime psikiatrike të mëparshme kishin më shumë gjasa të infektoheshin, të përjetonin simptoma më të rënda dhe të përballeshin me norma më të larta vdekshmërie.
Kjo ngre pyetjen: A është lidhja mes çrregullimeve psikiatrike dhe pasojave nga COVID-19 vetëm për shkak të faktorëve mjedisorë apo të stilit të jetesës, si kushtet e jetesës, medikamentet apo sjelljet shëndetësore – apo ka edhe baza të përbashkëta biologjike? Për ta shqyrtuar këtë mundësi, një ekip studiuesish nga institucione në Spanjë dhe Australi kreu një analizë të thelluar duke përdorur të dhëna nga studimet më të mëdha ekzistuese të asociimit gjenomik në shkallë të gjerë (GWAS). Këto studime identifikojnë variante të zakonshme gjenetike që shfaqen më shpesh te individët me veçori apo gjendje të caktuara. Ekipi u përqendrua në shtatë çrregullime psikiatrike: depresioni, çrregullimi bipolar, skizofrenia, ADHD, ankthi, çrregullimi i spektrit të autizmit dhe PTSD. Ata gjithashtu përfshinë edhe një tregues të përgjithshëm të quajtur “faktori P”, që përfaqëson një predispozitë të përbashkët gjenetike për çrregullime të shëndetit mendor.
Këto të dhëna u krahasuan me dy rezultate të lidhura me COVID-19: infektimi i konfirmuar dhe shtrimi në spital. Është me rëndësi të theksohet se studiuesit nuk u ndalën vetëm në zbulimin e ndërlidhjes mes çrregullimeve dhe COVID-19 – ata testuan nëse kishte variante gjenetike të përbashkëta dhe nëse këto variante mund të luanin rol shkaktar në rritjen e ndjeshmërisë.
Analizat e tyre zbuluan korelacion të rëndësishëm gjenetik mes depresionit, ADHD-së, PTSD-së dhe faktorit P me infektimin dhe shtrimin në spital për shkak të COVID-19. Ankthi gjithashtu tregoi një korelacion pozitiv me shtrimet në spital, por jo me infektimin. Në kontrast, çrregullimi bipolar, skizofrenia dhe çrregullimi i spektrit të autizmit nuk treguan ndërlidhje domethënëse në shkallë gjenomike me pasojat e COVID-19, ndonëse u zbuluan përputhje lokale në zona të caktuara të gjenomit. Studimi u publikua në Molecular Psychiatry.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.