FB

June 26, 2025 | 16:30

Suela Koçibellinj, një emër që frymëzon / Qendra HARE: Mision në mbështetje të komunitetit, për të fuqizuar individin

 

Suela Koçibellinj është një prej atyre figurave që mishërojnë në heshtje fuqinë e transformimit shoqëror përmes pasionit dhe përkushtimit të palëkundur. Prej më shumë se 20 vitesh, ajo është një zë i fuqishëm në fushën e psikologjisë dhe punës sociale në Shqipëri, duke drejtuar me profesionalizëm dhe vizion organizatën Vizion OJF, një model i suksesit dhe i ndikimit konkret në komunitet. Në qendër të punës së saj ka qenë gjithmonë njeriu, me nevojat, sfidat dhe potencialin e tij për t’u zhvilluar në një shoqëri më të drejtë dhe më të përfshirëse.

suela

Sot, përmes nismës më të re, qendrës HARE, një Hapësirë Rekreative në zemër të Yzberishtit, Suela vijon të ndërtojë ura midis brezave, duke krijuar një mjedis të ngrohtë dhe gjithëpërfshirës për fëmijët, të rinjtë dhe prindërit. HARE nuk është thjesht një qendër aktivitetesh, por një filozofi jetese, që synon të sjellë hare, zhvillim personal dhe mbështetje të thellë psikosociale në jetën e përditshme të komunitetit. Nën drejtimin e saj, kjo hapësirë është kthyer në një laborator të mirëqenies dhe krijimtarisë, ku arti, edukimi dhe këshillimi bashkëjetojnë për të fuqizuar individin dhe për të forcuar kohezionin social.

 

Çfarë përfaqëson HARE?

Ashtu si vetë fjala, HARE synon të sjellë hare dhe pozitivitet tek fëmijët dhe të rinjtë. HARE do të thotë “Hapësirë Rekreative”, dhe kjo hapësirë tashmë është funksionale në Yzberisht, duke ofruar mundësi të shumta për zhvillimin e talenteve të reja, përmirësimin dhe fuqizimin e individit. Qendra është një vend socializimi, argëtimi dhe këshillimi në të njëjtën kohë. Ofrojmë kurse për të gjitha moshat, përfshirë: kitarë, piano, kanto, pikturë, skulpturë, dhe shumë më tepër. HARE është gjithashtu një hapësirë edukative ku nxënës dhe studentë mund të kërkojnë mbështetje për lëndët shkollore ose të punojnë në mënyrë të pavarur për detyra e projekte individuale. Dëshiroj të theksoj që HARE është një hapësirë gjithëpërfshirëse, ku fëmijët, të rinjtë dhe prindërit mund të vetëangazhohen sipas interesave të tyre për aktivitete si ora letrare, kinema, diskutime, motivim dhe këshillim.

suela1

Si është e organizuar qendra, cilat janë grupet që përfshini dhe fushat ku ndërveproni?

Qendra është e strukturuar në kënde të dedikuara, duke krijuar një ambient të çlirët dhe të rehatshëm që ndihmon në përshtatjen e shpejtë. Aktivitetet janë të destinuara për fëmijët në moshë shkollore, për të rinjtë dhe gjithashtu për prindërit. Qëllimi ynë është të ndërveprojmë për të rritur mundësitë që njerëzit kërkojnë për zhvillimin personal, nga kurset e aftësimit në art dhe shkencë, deri te seancat këshilluese për prindërit, terapitë individuale apo aktivitetet në grup për fëmijë dhe të rritur.

 

Pse është e rëndësishme gjithëpërfshirja, jo vetëm për fëmijët, por edhe për prindërit?

Ne jemi qenie sociale që lindim brenda një familjeje dhe më pas bëhemi pjesë e grupeve më të gjera shoqërore. Prandaj, gjithëpërfshirja është një qasje thelbësore për secilin prej nesh, për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të qenë të mirëpritur në mjedise të reja. Është e natyrshme që kur flasim për edukim dhe socializim, mendja na shkon te fëmijët, të cilët kanë nevojë për orientim dhe mbështetje në zhvillimin e aftësive. Por sot, edhe prindërit janë më të vetëdijshëm, më ambiciozë dhe kërkojnë të përmirësohen për të qenë në hap me kohën dhe me nevojat edukative të fëmijëve. Raporti prind-fëmijë ndikohet nga shumë faktorë të jashtëm, për këtë arsye, edhe ata kanë nevojë të mësojnë praktika të mira të edukimit, sidomos ato që bazohen në disiplinën pozitive.

suela-ok

Si do të jetë organizimi gjatë verës dhe pse është i rëndësishëm ndërveprimi në mjedise kreative?

Këtë verë do të organizojmë “Eksperiencën HARE”, si në ambientet tona, ashtu edhe në natyrë, në formën e pushimeve aktive. Tashmë kemi planifikuar dy paketa për fëmijët nga 9 deri në 16 vjeç:

  • HARE me yjet – një kamp 5-ditor në Voskopojë, që do të zhvillohet në gusht, ku fëmijët do të mund të kenë një eksperiencë të lidhur ngushtë me natyrën dhe kafshët, eksplorimin e të panjohurave si edhe punët e përditshme në fshat, në një mjedis ndërveprues në skuadër.
  • HARE jam unë – katër javë energjizuese me aktivitete të shumta në Tiranë dhe ambientet e qendrës sonë, të planifikuara për periudhën qershor – korrik. Çdo javë do të ketë një program të veçantë, duke ofruar përvoja të reja dhe motivuese.

 

Na tregoni për organizatën që drejtoni, Vizion OJF. Cili ka qenë angazhimi ndër vite?

Për mua është një kënaqësi dhe krenari e madhe të flas për Vizion OJF, një organizatë që lindi në vitin 2008 dhe që sot ka mbi 17 vite punë intensive në terren. Fillimisht kemi punuar në zonat rurale të Shqipërisë së Veriut, dhe më pas kemi shtrirë aktivitetin edhe në jug. Fokusi kryesor ka qenë arsimi: nga përmirësimi i kushteve fizike në shkolla, kopshte, biblioteka dhe qendra kulturore, deri te organizimi i aktiviteteve sociale dhe këshilluese për fëmijët, prindërit dhe stafet mësimore. Organizata sot ofron edhe shërbime për fëmijët me aftësi të kufizuara në disa bashki. Bashkëpunimi në nivel lokal është një vlerë që ne e kemi ngritur tashmë në disa bashki, duke i asistuar ato në zhvillim lokal përmes projekteve të financuara nga BE si edhe duke advokuar për zhvillimin e politikave sociale për fëmijët dhe familjet në nevojë. Një pjesë e konsiderueshme e punës sonë bazohet në angazhimin vullnetar, shpeshherë me mbështetje edhe nga vullnetarë ndërkombëtarë, përfshirë nga Gjermania.

 

Sa e vështirë, por edhe sa e bukur është të udhëheqësh një nismë që e perceptoni si mision?

Padyshim që HARE për mua mbetet mbi të gjitha një mision. Edhe pse është strukturuar si një sipërmarrje, në thelb është një sipërmarrje sociale, që synon të ketë ndikim të thellë në komunitet, përpara se të ketë përfitim ekonomik. Kjo qasje përputhet plotësisht me filozofinë e Vizion OJF, të jemi “bashkë për zhvillim”. Sot, kuadri ligjor në Shqipëri e ka rregulluar këtë formë sipërmarrjeje, që ka ende sfidat e veta. Në një realitet ku mungojnë hapësira zhvillimi për të rinjtë, iniciativat si HARE janë të domosdoshme për këdo që synon rritje personale e shoqërore.

 

A ka vlejtur sakrifica? Cilat janë arritjet më domethënëse?

Unë besoj se puna është vetëpërmbushje. Ajo përfaqëson rolin e individit në shoqëri dhe si i tillë ti ke mundësinë të japësh nga vetja jote, duke e formësuar këtë rrugëtim me vlerat personale dhe të ekipit.

Patjetër që puna ka shumë momente sakrifice, sidomos që prej momentit që jam bërë nënë e dy vajzave. Balancimi mes punës dhe familjes është një sfidë, por motivimi i brendshëm ndihmon në krijimin e një harmonie. Me Vizion OJF kemi arritur të sjellim ndryshime të prekshme në komunitete – kemi ndërtuar shkolla, hapur biblioteka, kemi përmirësuar jetën e familjeve në nevojë, kemi mbështetur të rinj në ngritjen e bizneseve të tyre dhe kemi qenë pranë institucioneve vendore në zhvillimin e politikave sociale. Është lumturi kur bën realiteti një shkollë të dhe shikon gëzimin e fëmijëve e prindërve. Patjetër që është kënaqësi kur marrim mirënjohjen e institucioneve lokale. Këto janë arritje që na japin frymëzim për të ecur më tej.

 

Cila është ambicia juaj e radhës?

Pas 20 vitesh eksperiencë pune, 17 prej tyre në shoqërinë civile si menaxhere dhe drejtuese e Vizion OJF, në ndihmë të zhvillimit lokal, rural e urban, kam dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në zhvillimin e kohezionit social, kriter ky i domosdoshëm për vendin tonë në këtë fazë të zhvillimit për të qenë pjesë e BE-së. Ndërkohë kam realizuar edhe studimet pasuniversitare të nivelit Master në Studime Evropiane (në Austri) dhe Menaxhim Biznesi (në Shqipëri), dhe aktualisht jam e regjistruar për studimet e doktoratës në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ku kam qenë edhe pedagoge e jashtme. Ambicia ime e radhës është të ndikoj më thellë në përmirësimin e kohezionit social në Shqipëri, përmes një angazhimi më të madh në vendimmarrjen publike duke kontribuar në ndërtimin e politikave dhe strukturave që mundësojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.

Adresa: Për kampin në Voskopojë regjistrohu në www.starkampers.al

Cel: +355 0672055077

Instagram qendra_hare

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top