Nga Lindita Biraçi Kërçyku, psikologe zhvillimi
Hapi i parë dhe shumë i rëndësishëm është vendosja paraprakisht e caqeve dhe kufijve të arsyeshëm. Fëmijës i bëhet i ditur çfarë është dhe çfarë nuk është sjellje e pranueshme (para se ai të bëhet përgjegjës për sjelljen). Nëse ju si prindër nuk e keni përcaktuar më parë, atëherë mos e kërkoni si detyrim.
*Kur fëmija kupton pritshmëritë që priten prej tij, atëherë ai ndjehet përgjegjës për sjelljen e tij.
Megjithatë, në shumë raste fëmijët konfrontohen me autoritetin prindëror, duke e sfiduar atë me kokëfortësi në “beteja” të vogla të situatave në përditshmëri.
Pikërisht ky është momenti kur ju si të rritur duhet të fitoni qartë dhe të sigurtë këto “beteja”.
Nëse ju si prindër lejoni të humbisni këto beteja për arsye si (dhembshuria, të qarat, të bërtiturat apo gjykimi nga të tjerët) atëherë fëmija sheh tek ju një dobësi, e cila forcon pak nga pak sjelljet sfiduese kundrejt autoritetit dhe jush.
*Prindërit duhet të bëjnë dallimin mes kokëfortësisë së qëllimshme dhe gabimeve fëminore.
P.sh: Kur një fëmijë harron të ujisë lulen, ushqejë macen apo rregullojë krevatin, duhen kuptuar këto sjellje tipike fëminore.
Me butësi dhe si strategji të mirë, u duhet mësuar si të veprojnë më mirë dhe me përgjegjshmëri.
Nëse fëmija nuk reagon pozitivisht, atëherë i jepen disa detyra qartazi: Të punojë për të “paguar” apo të privohet nga një aktivitet apo artikull i dëshiruar për një periudhë të caktuar.
*Inkurajim dhe mësim pas konfrontimit, ky është hapi i radhës.
Përqafojë butësisht, foli me ëmbëlsi dhe qartësu pse ai u ndëshkua dhe tregoji se si mund ta shmangë atë herë tjetër.
Ky është momenti i artë ku komunikimi ndërton marrëdhënien prind-fëmijë plot dashuri dhe besim ndaj njëri-tjetrit.
*Shmangia e kërkesave të parealizueshme.
Duhet bërë kujdes në atë çfarë u kërkohet fëmijëve. P.sh: Kur ai nuk tregon aftësi për një aktivitet të caktuar apo mos realizimi i mnjë objektivi në kundërshti me moshën apo fizikun e tij.
Kërkesat e parealizueshme e vendosin fëmijën në një konflikt emocional të dëmshëm për të.
*Rruga e duhur për çdo arritje vjen nëpërmjet dashurisë.
Lëreni dashurinë të jetë karakteristikë e marrëdhënies me fëmijët dhe kështu do të vijë e shëndetshme, pavarësish disa gabimeve prindërore të pashmangshme.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.