FB

July 13, 2023 | 8:08

Suksesi në jetë, një ekuacion?

Në epokën e sotme, epokë e një globalizimi marramendës, ndër librat më të shitur duket se renditen edhe ata që japin receta lidhur me suksesin që gjithësecili ëndërron dhe përpiqet të ketë në jetë; në librari shohim botime që përmbajnë udhëzime ose këshilla sesi të kemi sukses, për shembull, në sferën profesionale, në sferën sentimentale, d.m.th. në dashuri e miqësi ndër të tjera, në sporte, veprimtari e ndërmarrje të ndryshme. Kur lexon libra të tillë, madje edhe kur thjesht i shfleton ata, të krijohet përshtypja se suksesi në jetë është diçka që mund të shtrohet si ekuacion i tipit “Vepro kështu dhe do të arrish patjetër atje ku duhet!”

Nga Edmond Tupja

Sigurisht duhet pranuar që ka njerëz të cilët ia arrijnë qëllimit të tyre, por jo të paktë janë ata që dështojnë deri diku apo të tjerë që pandehin se vërtet janë të suksesshëm në aktivitetin që kanë zgjedhur pasi kanë ndjekur udhëzimet apo këshillat në fjalë, por që, me kalimin e kohës, ndërgjegjësohen se suksesi i arritur nuk është i kënaqshëm. Ky ndërgjegjësim është fort i dukshëm veçanërisht në lëmin e arteve: Në shumë vende, përfshirë sidomos edhe tonin, ka njerëz të cilët mendojnë se mjafton të kesh vesh për muzikë dhe të stërvitesh për t’i rënë një vegle muzikore që të bëhesh këngëtar/e ose kërcimtar/e, se mjafton të jesh i/e aftë të dallosh ngjyrat nga njëratjetra dhe të dish të mbash një penel që të bëhesh piktor/e, madje edhe të hapësh një ekspozitë, se mjafton të kesh zë të bukur për t’u bërë folës/e në radio ose në një kanal televiziv, se mjafton të dish shkrim e këndim që të shkruash e të botosh artikuj, analiza e sprova nga më të ndryshmet, vëllime poetike, pse jo edhe romane, gjë që, para disa vitesh, e shtyu një intelektual të mirënjohur të thoshte se aktualisht nuk duhet folur për popull shqiptar, por për popull shkrimtar.

Nga ana tjetër, prej disa dekadash në vendet e zhvilluara vërehet gjithashtu, tek artistët tashmë me emër, prirja për t’u bërë të njohur edhe në gjini të tjera artistike: për shembull, aksh aktor filmash merret me pikturë, aksh shkrimtar regjistron këngë, aksh këngëtar merret me aktrim dhe secili syresh e quan veten thjesht artist. Me shumë gjasë, kjo prirje duhet të ekzistojë tashmë edhe në vendin tonë, sidomos tani, në epokën e internetit, e Fejsbukut, ku gjithçka që shkruhet quhet “e botuar”, pra botërisht e përhapur, gati-gati njësoj si letërsia e mirëfilltë. Prirja në fjalë tregon, gjithsesi, se artet dhe letërsia artistike në shkallë botërore po liberalizohen, çka do të thotë që, në emër të suksesit aq shumë të lakmuar, talenti artistik po pushon së qeni një vlerë, një kriter që dallon njeriun e zakonshëm nga artisti.

Sidoqoftë, meqë një fjalë e urtë thotë se “jo çdo e keqe, vjen për të keqe”, le ta pranojmë që sa të merremi me drogë, grabitje, vrasje e krime të tjera, më mirë të gjithë ne le të merremi me letërsi, pikturë, skulpturë, kinematografi, teatër, gazetari, këngë e valle, pavarësisht se mund të na mungojë talenti i nevojshëm në këto fusha. Në këtë këndvështrim, le ta konsiderojmë, pra, suksesin, sado modest (apo mjeran?) qoftë ai, si një ekuacion të mundshëm deri diku shpëtimtar.

 

 

 

 

 

Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.181, muaji Korrik

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top