Rruga drejt famës nuk është gjithmonë e lehtë. Shpeshherë duhet të kaloni shumë vështirësi për të arritur atje ku dëshironi. Ata që ne sot i shohim si ‘idhuj’, në të vërtetë nuk e kanë patur aq të lehtë rrugëtimin e tyre. Ja disa histori të personazheve të famshëm, të cilët u bënë të njohur në mbarë botën vetëm falë talentit dhe ambicies së tyre.
Joanne Rowling
Shkrimtarja me famë botërore dhe autore e serisë së librave “Harry Potter” tregon se për të nuk ka qenë e lehtë aspak të jetë këtu ku është sot. Ajo tregon se ka pasur një fëmijëri të trazuar, marrëdhënie të tensionuara me babanë e saj dhe një nënë që sëmurej shpesh. Pas diplomimit në universitet, Joanne u përpoq të gjente vendin e saj në karrierë dhe ndërroi punë disa herë. Më në fund, në vitin 1990, ndërsa ishte në tren nga Mançesteri në Londër, asaj i lindi ideja për të shkruar një libër për magjistarët. Megjithatë, jeta i hodhi gjithnjë e më shumë sprova, dhe ajo arriti ta përfundonte librin e saj vetëm pesë vjet më vonë. Romani u shtyp në vitin 1997, dhe megjithëse botimi ishte i vogël, ai u emërua libri më i mirë i vitit për fëmijë.
Jim Carrey
Jim është detyruar të punojë që në fëmijëri për të mbajtur familjen dhe prindërit e tij. Debutimi i tij i parë si komedian dështoi. Ishte 15 vjeç kur provoi fatin e tij në skenën e një klubi humori. Megjithatë, u përpoq përsëri dy vjet më vonë – dhe po, ia arriti. Jim vendosi të shfaqej në ekranin e LA ku shfrytëzoi çdo mundësi për të xhiruar. Së shpejti ai mori rolin kryesor në Ace Ventura, një komedi me kosto të ulët. Fakti interesant këtu është se shumë aktorë të famshëm e refuzuan këtë rol të veçantë, por ishte ky personazh që e bëri Jim Carrey një yll të kinematografisë botërore.
Jennifer Lopez
Jennifer Lopez tregon vështirësitë e saj në rrugën drejt suksesit. Prindërit e Jennifer nuk ishin të pasur, por ata u përpoqën t’u jepnin fëmijëve të tyre gjithçka që mund të kishin nevojë. Që në fëmijëri, ajo pëlqente të kërcente dhe të këndonte, gjë që dha frytet e saj përfundimisht. Pasi mori arsimin e mesëm, ajo filloi të punonte në një studio ligjore, por shpejt e braktisi atë dhe filloi kurse kërcimi në një shkollë të njohur. Prindërit e Jennifer nuk i miratuan interesat e vajzës së tyre, kështu që ajo u largua nga shtëpia e saj. Lopez u bë një kërcimtare rezervë për yjet botërorë, më pas mori disa role të vogla në filma dhe talenti i saj nuk kaloi pa u vënë re – përfundimisht, ajo u bë një këngëtare dhe aktore e njohur.
Tom Cruise
Tom lindi në një familje të vogël që nuk kishte asnjë njohje të fuqishme. Në vitet e fëmijërisë, Tomit iu desh të punonte pas shkollës për të ndihmuar nënën e tij. Kur ishte 18 vjeç, ai vendosi të bëhej aktor dhe shkoi në Nju Jork në ndjekje të kësaj ëndrre. Pa asnjë qindarkë, Tom kërkoi në mënyrë aktive punë në kinematografi, por për shkak të shtatit të tij të ulët, ai gjithmonë humbi nga rivalët e tij më të gjatë. Sidoqoftë, brenda disa vitesh ai mori një rol në “Business të rrezikshëm”, i cili i dha atij një fillim të ri në kinematografinë botërore.
Oprah Winfrey
Oprah u rrit në një familje të varfër dhe thotë se nuk kishte madje as lodra si fëmijët e tjerë. Sidoqoftë, pavarësisht rrethanave, ajo e dinte se çfarë donte nga jeta e saj. Në moshën 17-vjeçare, ajo fitoi një konkurs të të folurit publik dhe mori një bursë për të studiuar në universitet. Më pas ajo punoi si bashkëprezantuese në një program lajmesh dhe kur ishte 29 vjeç, iu ofrua një punë si spikere e një programi mëngjesi me vlerësim jashtëzakonisht të ulët. Oprah i dha një jetë të re, dhe në vetëm një muaj vlerësimet e saj u rritën aq shumë sa mposhtën talk-show-n më të njohur të kohës. Së shpejti programi u riemërua në The Oprah Winfrey Show.
Përgatiti K.I / Burimi brightside.me
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.