FB

June 28, 2022 | 10:00

Suksesshmëria arrihet në një shoqëri kur njerëzit binden dhe angazhohen për të bërë më të mirën e mundshme në interes të të përgjithshmes

 

Etika duhet të integrohet në traditën kulturore të çdo qytetari. Sot jetojmë në epokën e shkencës e cila ka arritur maja të larta dhe po vihet në shërbim të njeriut. Kuptohet, dijet janë pa kufi, por ajo çka është esenciale duhet kuptuar se dijet pasurohen dhe përsosen vazhdimisht. Ndaj në këtë aspekt shkollat, si dhe institucionet në tërësi, duhet ta përqendrojnë vëmendjen në të vërtetat universale, sepse këto të vërteta, s’duhet të harrohen në aspektin e përgatitjes shpirtërore.

Nga Prof.Assoc.proc.Doc.Dr.Ilia S.Larti

Nuk duhet toleruar (keqkuptimi: i hapjes dhe i të drejtave pa kufi), që të zhvillohet morali i nxënësve, kursantëve dhe studentëve në tym. Një program filozofikisht i orientuar, do të jetë në gjendje të përgatisë nxënës, kursantë dhe studentë të mirë  me formimdije sa më të qëndrueshme teorike dhe shprehi praktike të vetëdijshme. Madje dhe me aftësi të mira drejtuese dhe organizuese, për të qenë i dobishëm për veten, familjen dhe shoqërinë. Ndaj shumë filozofë, psikologë, sociologë, studiues e të tjerë, duke parë prioritetet dhe vlerat etike për njeriun si individ dhe pjesëtar i integruar i shoqërisë, kërkojnë me forcë, që të ketë: vullnet, angazhim, përkushtim etje…që ta kthejnë këtë shkencë, në një “Lëvizje të Gjerë” gjithëpërfshirëse, për fusha dhe profesione të ndryshme, në shkallë kombëtare, rajonale dhe deri globale.

Gjithsesi, kjo është një përpjekje nga ana ime, për t`iu bashkuar gjithë atyre zërave të fuqishëm  me vlera intelektuale, që duan ta kthejnë Etkën (Filozofinë Morale), në një “Lëvizje të Gjerë”, me mjaft produktivitet në interes të jetës së njeriut, në aspektin shoqëror, social e të ndërtimit dhe aplikimit të një vije sjelljeje, me norma etike plot qytetari, kulturë dhe dashamirës i të “Mirës”, që do të ketë ndikimet e veta në rritjen e përgjegjësisë për të qenë aktiv në konsolidimin e shtetit, demokratik, shtetit ligjor dhe e shtetit për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, për të gjithë njëlloj…

Thelbi i filozofisë morale (etikës)

E drejta për të qenë njeri, është një e drejtë vetjake, por dhe universale. S’ka shprehje më të fuqishme dhe të kudondodhur  se Etika e cila aplikohet nëpërmjet veprimeve të mësuesit, si një profesionist, nëpërmjet aplikimit të normave, parimeve, vlerave dhe standardeve të saj, të cilin e bëjnë të pranishëm  dhe të besueshëm si person publik në marrëdhëniet me nxënësit, kursantët, studentët, kërkuesit e masterave tej. Është domosdoshmëri jetike, që Etika duhet të integrohet me shpejtësi dhe kudo në traditën  kulturore të shkollës sonë si një nga kultivuese më në zë të kësaj shkence parësore në kryerjen e marrëdhënieve me një nivel të lartë qytetarie.

Ç’është e çfarë studion Etika?

Prejardhja e fjalës Etikë ( Fjala Etikë rrjedh nga fjala e vjetër greke  ethos > sjellje – zakon ose teoria  mbi moralin). Etika është ajo shkencë: që merret me botën shpirtërore të njerëzve, pra ka të bëjë me morinë e  normave që aplikohen në sjelljet njerëzore; pra me të gjykuarit për arritjen e vlerave mbi të “Mirën” dhe te “Keqen”, të “Drejtën” dhe të  “Gabuarën”, të “Dëshirueshmen”, dhe të “Padëshirueshmen” etj; ajo gjithashtu merret me qëndrimet që duhet të marrë një njeri etik, pra për pasojë  një individ me Etikë, qoftë ky dhe mësueses. Është ai që tregon  se ka peshuar me mjaft kujdes të gjitha, sjelljet, vlerat përpara se të marrë një vendim përfundimtar. Pra, në thelb ajo është barazpastërti morale. Me Etikë sipas (Oksford), kuptojmë: “Normat e sjelljes të njohura si të pushtetshme në një profesion të veçantë ose në një fushë të jetës”.

Ç’janë vlerat etike?

Vlerat etike për një mësues, janë si një “barometër” që mund të marrë sigurinë dhe besimin si një njeri i virtytshëm. Vlerat Etike (Morale), janë ato standarde, të  cilat duhet të përshkruajnë gjithë jetën dhe veprimtarinë e mësuesit për të qenë i suksesshëm në të mësuarit, formimin dhe edukimin e nxënësve, kursantëve, studentëve, nëpërmjet, aplikimit të normave të sjelljes që kanë në qendër edukatën, kulturën, qytetarinë etj., shoqërisë demokratike, si dhe marrjes së qëndrimeve për shkallën e nxënësisë, në mënyrën  sa më të drejtë, të paanshme, korrekte e tej. Praktika morale është njëra ndër format e para të manifestimit të jetës shoqërore të njeriut si qenie shoqërore. Me të dalë nga bota e kafshëve, njeriu filloi të përcaktojë disa sjellje të vetat dhe të tjerëve-diçka që duhet e janë në rregull dhe diçka që nuk duhet nuk janë në rregull.
Nëse Hegeli ka të drejtë kur thotë se forma më elementare e mendimit filozofik u shpreh në sentencat morale, atëherë del se çështja morale (etike) bashkë me ontologjinë janë problemet më të vjetra në filozofi. Edhe filozofët e vjetër grek krahas çështjeve që u morën me kozmosin, substancën etj., ata u morën edhe me çështjen etike – e mira, e keqja, e drejta, e padrejta etj. Andaj është e lidhur ngushtë njohja dhe vlerësimi, e këtej edhe vlerësimi moral, sepse njeriu nuk ka nevojë vetëm të njohë gjërat, por edhe synon ta vlerësojë atë që e dinë.

Etika ose Filozofia Morale, është pikërisht kjo shkencë e duhur që na nevojitet si qytetarë dhe anëtarë të shoqërisë sonë, për të na ndihmuar në angazhimet tona emancipuese në të gjitha fushat dhe sidomos në fushë e arsimit, për konsolidimin e demokracisë dhe realizimin me standarde sa më të larta, detyrat institucionale të shtetit. Me synimin, për një integrimin shpirtëror dhe kulturor të nxënësve, kursantëve, kërkuesve të masterave si persona nesër publikë, për të përftuar kulturë, dije dhe qytetërim bashkëkohor perëndimor, që të integrohemi sa më shpejt, me dinjitet e në mënyrë të barabartë, në familjen e madhe Europiane.

Disa mendime dhe thirrje dhe angazhime për të vlerësuar dhe aplikuar Etikën 

Veprat, sjelljet, qëllimet, kriteret dhe vlerat morale u bënë objekt i analizës sistematike filozofike. Megjithëse shumë filozof para Aristotelit u morën dhe kontribuuan në çështjet morale (etike) prapëseprapë Njohin thelbin e filozofisë morale (etikës), themelues i Etikës si doktrinë filozofike llogaritet Aristoteli. Etika si disiplinë merret me studimin e çështjes së burimit, esencës dhe të funksionit të moralit. Ç’është morali, e mira dhe e keqja, e drejta dhe e padrejta, e lejueshmja dhe e palejueshmja, detyra morale, vlera etj., të gjitha këto janë çështje me të cilat merret Etika. Të gjitha pikëpamjet etike mund t’i ndajmë në pikëpamje etike autonome dhe heteronome. Pikëpamja etike heteronome, burimin e çdo sjellje e gjen jo në njeriun por si subjekt i moralit diku jashtë dhe pavarësisht nga njeriu. Në etikën e këtillë është etika religjioze, kozmologjike e Heraklitit, Pitagorës, Akuinit etj. Etika autonome, përkundrazi konsideron se burimi i çdo morali dhe veprimi moral gjendet në vetë njeriun. Përfaqësues më të njohur janë Sokrati, Stoikët, Kanti, Fihte etj. Stoikët thonë se për të qenë i lumtur njeriu, mjafton të heqë dorë nga interesat dhe ta ruaj autonominë e mendjes.

Përfaqësues tipik i etikës autonome është Kanti. Ai thotë se askund në botë për më tepër, as jashtë saj, nuk mund të merret me mend asgjë që pa kurrfarë kufizimesh mund të konsiderohet e mirë, krahas vullnetit të mirë. Vullneti i mirë është vullneti racional që mbështetet në mendjen praktike. Filozofia e Kantit është edhe sot e kësaj dite një racionalitet i kulluar i plazmuar në skenarin e mendimit bashkëkohor, sepse filozofia e tij mbetet një “Kontinent i vizituar nga miliona njerëz, por i pabanuar nga askush”. Ja kjo është thirrja sfidë e politikës botërore, që dikton dhe përcjell mesazhe për këtë filozof të madh të moralit. Pas Luftës së Dytë Botërore, pjesa më e madhe e filozofëve i kanë hedhur sytë dhe mendjen nga Etika (Filozofia Morale) dhe në mënyrë të tërthortë ose të drejtpërdrejtë  janë mbështetur dhe mbështeten te filozofia morale e Kantit.

Sot në botë, mbizotërojnë dy teori në fushën e filozofisë morale (Etikës), “Etika e Komunikimit” (formuluar nga mendimtari i madh gjerman, Karl Otto Apel dhe “Etika e diskursit”, (ligjërimit) (formuluar nga filozofi dhe sociologu i madh modern, Jurgen Habermas. Ndërsa, në fillim të këtij shekulli gjigandi i sociologjisë, Max Ëember promovoi “Etikën e Bindjes”. Po kështu, mendimtari i madh i filozofisë moderne, Hans Joanas përcjell parimet e tij nëpërmjet “Etikës së Përgjegjshmërisë”, (në gjuhën moderne europjane, “Përgjegjshmëri” do të thotë thelbësisht, “Të përgjigjesh”). Pra, të dy teoritë e para kanë në themel të tyre, vizionin se njëra thërret dhe tjetra përgjigjet. Por ndodh, që dikush thërret dhe dikush përgjigjet, sikurse mund të thërrasë dikush e nuk i përgjigjet askush. Në këtë sens shfaqet interesi personal dhe pastaj ai për të tjerët. Nga ky këndvështrim, çdo veprim i yni dhe çdo sjellje e jona, është njëherësh një akt maksimalisht i përgjegjshëm me një drejtim dhe “Qëndrim Etik”. Ndaj mund të thuhet se, nuk mund të mbetet i papërgjegjshëm në mënyrë “Absolute”, por vetëm në lidhje me një zë specifik në krahasim me zërat e tjera që ngelen kësisoj të pa dëgjur. Ja ky është thelbi i Etikës moderne të përgjegjshmërisë.

Për të gjitha këto arsye shtrohet me urgjencë, ringjallja e thirrjes kah shëndrimemeve të Etikës në një ethos botëror, aq shumë e përhapur dhe e vlerësuar në jetën dhe veprimtarinë e shoqërive perendimore. Kjo duhet t`i shërbejë medoemos edhe shoqërisë sonë të re demokratike, si një këmbanë buçitëse për krijimin e një horizonti sa më të pastër mendor dhe për një nivel sa më të lartër kulturor, për të fitura betejën ndaj kërkesve të demokracisë. “Etika është fjala e Perëndimit” – shkruan, Paul Ricour (Filozofi më i madh, bashkëkohor frances). Vitet 80-të, janë quajtur zhvillimet e ndjeshme botërore të ekologjisë. Vitet 90-të, janë quajtur të problemeve të biologjisë Ndërsa ky fillim shekulli, po tregohet i ndjeshëm ndaj Etikës, sipas profesioneve dhe fushave.

Sot Bota Perëndimore njeh: Bankën Etike, tregtinë e komunikimit Etik, tatimet Etike, politikën dhe financën Etike. Ja, kjo duhet të jetë korniza e aksionit kah të cilit duhet të drejtohemi. Por për të përkthyer praktikisht këtë thirrje. Etika dhe përse shërben ajo? Për të formuluar projekte praktike të zbatimit të saj, në fushën e ekonomisë, medias, politikës, etj. Përgjithësisht, me Etikë shoqërizohen terma të tillë si: I drejtë, korrekt, i ekuilibruar, i barabartë, besnik, i ndershëm etj. Ndërkohë që nga ana filozofike, ajo përcaktohet si “Derivat i drejtësisë”, si një busull që tregon drejtimin korrekt që duhet të ndiqet. Drejtim ky i cili shkon përtej një respektimi të thjeshtë të ligjeve për tu projektuar në dimensionin e një “Jetese ambientale” e me lidhje të ndershme me ato që krijojnë vlera shoqërore. Nga ky aspekt, Etika shfaqet si një tërësi normash të sjelljes individuale dhe publike, që lipsen të aplikohen nga një person apo nga një komunitet personash. Më tej Etika, është personale, përpara se të jetë universale e cila propozon modele sociale të pranueshme për çdo periudhë historike të çfarëdo qytetërimi. (Etika arrin të transformohet në raport të ngushtë me përparimin e qytetërimit dhe sistemeve shoqërore).

“T’i rikthehemi Etikës, të kapemi pas saj, sipas një trari në mes të një deti të stuhishëm, sepse ajo është “Arka” jonë e re e Nojes” (Jean Guitto, filozof i madh gati një 100 vjeçar).

Në librin me titull: ”Libri i mençurisë dhe virtyteve të ringjallura”, të autorëve Jeon Gutton dhe Papa Paulit të VI, cilësohet se: “Ne e bëmë këtë libër me dëshirën e fortë të ringjalljes shpirtërore kah mençurisë, pa të cilën nuk mund ketë as lumturi dhe as ekzistencë. Në rrugën e këtij rizgjimi, çelen ca dritare të vogla shpirtërore, të cilat na bëjnë të aftë të mos heqim dorë nga dashuria, miqësia, kurajo, ëmbëlsia, barazia, thjeshtësia, bindja etj. Sigurisht dhe bashkë me to edhe: Optimizmi, patriotizmi, këmbëngulja dhe durimi, maturia, respekti, qëndrueshmëria, toleranca, pleqërimi, turpi etj. Këto krijojnë harmoni midis njerëzve, por dhe kërcënohen nga veprime negative si: Pabarazia, papunësia, urrejtja, dhuna, këshillimi i keq, cinizmi, ambicioziteti i sëmurë etj., të cilat thonë se, këta njerëz, që manifestojnë këto veprime, nuk janë udhëhequr nga të qenit Etik dhe krijojnë situata që dëmtojnë jetën dhe veprimtarinë e njerëzve, deri në sensin e jetës dhe të natyrës njerëzore.

Ja pra, këto situata e bëjnë më se të nevojshme Etikën si një nga disiplinat më fisnike të shkencës së Filozofisë. Sot zërat më të shquar të mendimit perëndimor kanë hedhur tezën: “E ekzistencës së një “ure” për Etikën në shkallë botërore’’. Amertya Sen (mendimtar i madh i filozofisë të sferës së ekonomisë- fitues i çmimit Nobel), cilëson se: “Ekonomia botërore është varfëruar shumë, si pasojë e divorcit të saj me Etikën”. Duhet të kemi mjaft kujdes, kur trajtojmë thelbin e asaj se për çfarë shërben Etika, sepse ajo në vetvete është fibra e vetme e gjithë ekzistencës sonë, si disiplinë reflektive, apo kategori filozofike që ka të bëjë me dimensionin publik, sepse Etika zhvillon dhe lubrifikon marrëdhëniet midis njerëzve. Pavarësisht nga progresi impresionues i teknologjisë, ne ndodhemi që të gjithë në një Titanik Planetar, sepse na mungon pikërisht,  vizioni i qartë Etik që të udhëheqë procesin e emancipimit (Edgan Morin- filozof frances).

Si disiplinë reflektive apo si kategori filozofike, Etika ka të bëjë me dimensionin publik, pra ajo, përcjell raportet me të tjerët dhe zgjidh dilemat midis tyre. Ajo paracakton, të eksplorojë rrugët e ndryshme të kritikës morale. Në këtë kuptim, detyra kryesore e Etikës është ajo: E rindërtimit të modaliteteve të kritikës ose e shtytjes dhe nxitjes së institucioneve, për të rekomanduar ndryshime të caktuara që kanë të bëjnë me përmirësimin karakterial të individëve. Gjithsesi, ky është vetëm kuptimi filozofik i këtij termi i cili shtron domosdoshmërish  kërkesën, që të kontribuojnë që të gjithë. Kjo Lëvizje Etike, duhet të hedhë mendimin, të ndezë diskutimet dhe debatet, për të përcaktuar drejtimet, temat, ritmet dhe modalitetet, si dhe të tregojë zgjidhjet për zbatimin e saj në praktikë. Ky mund të jetë një fillim, për të vendosur “gurë kilometrikë” në udhën e gjatë të promovimit dhe zbatimit të “Lëvizjes për Etikën”, me synimin:Nëpërmjet krijimit të bindjeve për të qëndërzuar gjithë vëmendjen dhe kontributin e të gjithëve, pra, për të gjithë komunitetin. Kjo do të bëjë realitet atë, që qytetarë, intelektualët, brezat e rinj, të priren dhe të kontribuojë në kahun e fuqizimit dhe rrënjosjes së demokracisë, të socialitetit si dhe të përparimit ekonomik, mbi baza Etike. Pra, për të farkëtuar një shoqëri dhe shtet të sigurtë, të angazhuar totalisht në aspektin social, ligjor dhe të së drejtës, gjithmonë dhe në dinamizëm në interes të qytetarëve.

Kjo “Lëvizje Etike”, që të jetë e suksesshme dhe e realizueshme, kërkon  pa tjetër dhe domosdoshmërish: Përpjekjet dhe angazhimin e intelektualëve të kësaj fushe, duke iu përbri vë në angazhimi serioz si dhe krijimi i hapësirës së mjaftueshme nga ana e institucionit, për të formatuar angazhime sistematike dhe afatgjata në fushën e Etikës, që të shndërrohet kjo, me të vërtet në një Lëvizje, drejt vlerave dhe standardeve të kohës, për të stimuluar përgjegjshmërinë, sa profesionale dhe atë ndaj detyrës, të çdo punonjësi policie, në interes të mbarë shoqërisë dhe për çdo qytetar në vençati. Kjo pra, konkretizon dhe bën më të dukshme edhe Etikën e solidaritetit. “Lëvizja mbi Etikën”, duhet të konsistojë: Në vlera të caktuara të cilat lindin si pasojë e raportit midis Etikës dhe Profesionit. Ndaj këto raporte duhet të përfshihen aktivisht në analizat e sfidave Etike, në kurrikulat e formimit të dijeve të fushës profesionale. Në këtë aspekt ka ardhur koha, si dhe në shumë shkolla të tjera në Perëndim, që prej dekadash kanë “Katedra të Etikës”, kur te ne, shkojnë drejt shkurtimit të orëve mësimore, madje e kanë hequr si lëndë.

Në këtë aspekt, shkollat, mësimdhënësit dhe specialistët e kësaj fushe, duhet të jenë në pararojë, për të sensibilizuar opinionin sipas fushave dhe profesioneve për një pjesëmarrje sa më të gjerë në “Lëvizjen mbi Etikën”, për të bërë ekzistencë impaktin e domosdoshëm të “Etikës profesionale”, për një periudhë të gjatë kohore me një shtrirje, mbarë kombëtare dhe për t`iu bashkuar si gjithë të tjerët edhe ne “Lëvizjes mbi Etikën”,  sa rajonale e deri globale. Duke parë se shoqëria edhe se emancipohet çdo ditë drejt një kulture demokratike, kërkohet që “Etika e Solidaritetit”, të zërë një vend më të gjerë dhe më e dukshme në të gjitha shtrirjet e shoqërisë. Duke analizuar situatat sociologjiko-kulturore, njerëzit e aftë dhe  të ditur, duhet të përballen me mjaft detyra, për të emancipuar më tej shoqërinë e cila fokusohet në tre drejtime:

Atë të Etikës

Politikës

Dhe të drejtave të njeriut

Pra, këto drejtime për të qenë të realizueshme dhe  të suksesshme, kërkojnë përpjekjet, dhe angazhimin e të gjitha  pjesëve promovuese të shoqërisë për:

a-Për njohjen dhe aplikimin e normave Etike e cila krijon horizontin kulturor drejt vizioneve për  të ardhmen,  me standarde shoqërore dhe sociale të larta, për “Lulëzimin e Mirësisë”, si një  nga  faktorët  më thelbësorë  për të bërë transformimin e shoqërisë.

b-Shoqëria  demokratike ka në sensin e saj, që të mos lëvizë secili   individ në trajektoren e vet, por në trajektoren e përbashkët  të demokracisë.

c-Lirinë, secili  duhet ta  kuptojë, në sensin e raportit me të tjerët, për të qënë vetvetja në jetën shoqërore, pra një njeri-qytetar, i lirë dhe i kulturuar.

Përfundime

Në procesin e reformimit të shkollës nga këndvështrimi etik, kompetencat psiko-pedagogjike dhe aftësitë profesionale të mësuesit; autoriteti dhe profesionalizmi i lartë i fituar vetëm me punë; sigurimi i një mjedisi bashkëveprues me nxënësit e studentet; sigurimi një mjedisi mundësues për zhvillimin intelektual të nxënësve e studenteve; njohja dhe shmangia e konfliktit te interesave me nxënësit e studentet; respekti i thelle për kolegët; vlerësimi objektiv për arritjet dhe performancën e nxënësve dhe te studenteve, etj, janë konsideruar e konsiderohen nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve si shtyllat bazë për suksesin e reformave që janë ndërmarrë. Ndër parimet më të rëndësishme të etikës, te cilat është synuar të promovohen gjatë dekadës së fundit në sistemin arsimor shqiptar janë: integriteti personal i edukatorëve, mësuesve e pedagogëve; ndërmarrja e objektivave të qartë e të matshëm; përcaktimi i rrethit të përgjegjësive dhe rritja e llogari-dhënies për zbatimin e detyrave të ngarkuara; shkëmbimin e sinqertë dhe të lirë të ideve dhe opinionet në mesin e trupës pedagogjike në të gjitha nivelet; respektimi i diversitetit me sfond të ndryshëm kulturor, etnik, fetar apo edukativ, etj. Ndër parimet më të rëndësishme të etikës, te cilat është synuar të promovohen gjatë dekadës së fundit në sistemin arsimor shqiptar janë: integriteti personal i edukatorëve, mësuesve e pedagogëve; ndërmarrja e objektivave të qartë e të matshëm; përcaktimi i rrethit të përgjegjësive dhe rritja e llogari-dhënies për zbatimin e detyrave të ngarkuara; shkëmbimin e sinqertë dhe të lirë të ideve dhe opinionet në mesin e trupës pedagogjike në të gjitha nivelet; respektimi i diversitetit me sfond të ndryshëm kulturor, etnik, fetar apo edukativ, etj. Por sa ia kemi arritur qëllimeve të sipërcituara dhe çfarë problemesh shfaqen në sistemin arsimor shqiptar sa i takon etikës dhe sjelljeve joetike? Përgjigjen e kësaj pyetjeje, në një terren shumë profesional të analizës mbi bazën e evidencës së grumbulluar gjatë një punë njëvjeçare dhe konkluzioneve të dobishme për ndërhyrjet eventuale të menjëhershme, afatmesme dhe afatgjatë në fushën e Etikes në Sistemin Arsimor.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top