Suplementet e vitaminës D me të vërtetë parandalojnë njerëzit që të zhvillojnë një sëmundje autoimune, të paktën për ata mbi 50 vjeç, në një studim që ofron provat e para të një lidhjeje shkakësore midis të dyjave.
Studimet e mëparshme mbi efektin e vitaminës D në problemet autoimune kanë shqyrtuar nivelet e vitaminës D tek ata me një sëmundje autoimune ose tek ata që vazhdojnë të zhvillojnë një të tillë. Studime të tjera kanë lënë të kuptohet për efektet e dobishme të suplementit në sistemin imunitar.
“Ne e dimë se vitamina D bën të gjitha llojet e gjërave të mrekullueshme për sistemin imunitar në studimet e kafshëve,” thotë Karen Costenbader në Spitalin Brigham dhe Ëomen’s në Boston. “Por ne kurrë nuk kemi provuar se dhënia e vitaminës D mund të parandalojë sëmundjet autoimune”.
Costenbader dhe kolegët e saj ndanë në dy grupe rreth 26,000 njerëz në SHBA, të cilët ishin 50 vjeç e lart, duke u dhënë atyre ose suplemente të vitaminës D ose një placebo.
“Gjëja më e mirë në lidhje me provat e rastësishme është se ato i përgjigjen me të vërtetë pyetjes së shkakësisë”, thotë Costenbader. Ekipi gjurmoi pjesëmarrësit për rreth pesë vjet për të matur zhvillimin e sëmundjeve autoimune, duke përfshirë artritin reumatoid, sëmundjen autoimune të tiroides dhe psoriasis.
Kjo zbuloi se një dozë prej 2000 njësive ndërkombëtare (IU) të vitaminës D në ditë reduktoi zhvillimin e sëmundjes autoimune me 22%, krahasuar me placebo. Kjo është një dozë më e madhe se 400 IU standarde e rekomanduar nga organizatat shëndetësore si Departamenti i Shëndetësisë dhe Kujdesit Social në Mbretërinë e Bashkuar.
Është e paqartë se si vitamina D parandalon sëmundjet autoimune, por ne e dimë se ajo përpunohet në trup për të prodhuar një formë aktive që mund të ndryshojë sjelljen e qelizave imune.
“Ka mijëra mekanizma të mundshëm”, thotë Costenbader. “Mund të jetë që vitamina D ndihmon sistemin imunitar të dallojë midis vetvetes [indit normal të trupit] dhe jovetes [si mikrobet që shkaktojnë sëmundje], ose që ndihmon në uljen e përgjigjeve inflamatore ndaj vetvetes”.
Costenbader i këshillon pacientët e saj që të marrin 2000 IU vitaminë D në ditë, nëse janë në moshën e duhur dhe është e sigurt për ta që ta bëjnë këtë. Megjithatë, ajo nuk e rekomandon këtë për të gjithë. “Duhet të konsultoheni me mjekun tuaj para se të filloni një suplement”, thotë ajo. “Mund të ketë arsye që ju nuk duhet t’i merrni ato”.
Studiuesit tani po zgjasin studimin për të parë se sa do të zgjasin përfitimet dhe shpresojnë të fillojnë një testim të ri tek të rinjtë. “Jam shumë e emocionuar dhe me të vërtetë mjaft e kënaqur nga këto rezultate”, thotë Costenbader.
Burimi / https://www.newscientist.com/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.