Në fokus

July 21, 2017 | 9:46

Tani po fillon…

1

A ta kam treguar ndonjëherë historinë e krimbit që u bë flutur?

I ke parasysh flatrat shumëngjyrëshe të fluturave, që na magjepsin sa herë na kalojnë para syve? Kur një flutur lind nuk është aspak ashtu. Një flutur beb quhet larvë dhe ngjan shumë me një krimb. Pikërisht në momentin që një krimb fillon ndjen që po i vjen fundi, nuk vdes, transformohet në një flutur.Transformohet në një qënie me flatra plot ngjyra, që sa herë ‘pulit’ flatrat shikon diçka, shkon diku.

Nga Anisa Zaçe  Psikologe Klinike & Këshillimi

Nga Anisa Zaçe
Psikologe Klinike & Këshillimi

Ama qëndron në pak vende. Qëndron atje ku e ndjen që ja kanë nevojën. Qëndron për të dhënë shpresë. Qëndron për të treguar që ka gjithmonë diçka të bukur tek e cila mund të kthejmë sytë. Qëndron për të kujtuar që pikërisht në një cep të harruar e të parëndësishëm mund të gjejmë një copëz shpirt që nga rrëmuja e të përditshmes harron ku e humb.

Kështu je dhe ti. Nëse po të dhemb e mendon që nuk mundesh më e mendon që nuk do ja dalësh.

Qëndro fort, qëndro dhe pak se po shndërrohesh në flutur me flatra plot ngjyra. E më beso kur të them, që ka kaq shumë njerëz që do kthejnë sytë nga ty për të gjetur pak shpresë, për të gjetur pak dritë, për të gjetur pak shpirt.

Po për lindjen e yjeve mban mend kur të kam folur?
Për të lindur një yll ka diçka që DUHET të ndodhë. Një Nebula e gaztë duhet të pësojë kolaps. Duhet të shembet. Pas kësaj lind një copëz magjie.
Kështu që mos u ngri. Qëndro aty mbledhur kruspull. Bërtit nëse do.
Ama, mos u tremb.
Ky nuk është shkatërrimi yt, nuk është fundi.
Kjo është lindja.
Ky është fillimi.
Që pas këtij momenti do jesh copëza e magjisë që ju bën dritë shumë të tjerëve.

Kështu që, merr kohën që të duhet. Qëndro ashtu kruspull sado gjatë të kesh nevojë. Më lër të ulem aty ngjitur e qëndrojmë sa të duash.

Ngrihu kur të jesh gati.
Se unë jam e bindur që kur të ngrihesh sërish do rrahësh flatrat me forcën e një shqiponje, e do shpërndash të gjithë spektrin e ngjyrave kudo. Do dhurosh dritën e fortë të një ylli të sapolindur.

A e ke parasysh atë muskulin që pompon gjak në kraharorin tënd? Atje qëndron gjithë fuqia, gjithë drita e gjithë magjia që nevojitet për të shkëlqyer. Ti e ke te gjithën.

Merr kohën që të duhet. Mos kërko falje që ndjen nevojën të qëndrosh ulur e të pushosh. Qaj nëse ke nevojë. Bërtit dhe nxirre zhgënjimin. Besoja tingullin e dhimbjes tënde ajrit e dërgoje deri në qiell ulërimën e shpirtit. Është veç fillimi i triumfit.

Asnjëherë fillimi i shkëlqimit nuk është plot dritë. Natyra n’a e ka thënë në mijëra forma. Që nga flutura e ylli e deri tek lindja e diellit. Errësira më e fortë është pikërisht përpara se të lindi dielli.

Të gjithë e dimë, dhe ti mësoje, kur të rinisësh vrapin e fluturimin, gjithë universi do të kthehet ashtu si do e duash ti, gjithë universi do kontribuojë në shkëlqimin tënd.
Gjithmonë ke besuar që qielli ishte fillimi, dhe jo limiti.

Jepi kohë vetes dhe kohës. Shpesh fillimi ngjan si fund. Por asgjë nuk po mbaron, gjithçka po nis.
Është duke u transformuar një flutur.
Është duke lindur një yll.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top