A është e mundur që dobësimi, mirëqenia dhe forma fizike të varet edhe nga humori ynë? Të qenit pozitivë dhe produktivë ju ndihmon të keni edhe një formë më të mirë fizike dhe një marrëdhënie më të mirë me trupin tuaj. Argëtimi është një mënyrë që të ndiheni më mirë fizikisht. Është çelësi që ju ndihmon të dobësoheni, mund t’ju shtyjë të humbisni përfundimisht kilogramët e tepërt, duke përmirësuar sjelljen kundrejt ushqimit dhe trupit tuaj.
Metabolizmi përmirësohet kur truri argëtohet
Kur truri angazhohet në punë apo interesa të kënaqshme çliron substanca që bllokojnë urinë dhe aktivizojnë metabolizmin. Njerëzit që mendojnë dhe rimendojnë për jetën e tyre, ata që mërziten, nuk kanë interesa, shëndoshen pa e kuptuar pse. Nëse dëshironi të dobësoheni, duhet të merreni me gjëra që ju bëjnë të ndiheni të gjallë. Kjo gjendje “zjarri i brendshëm” ndez motorët e hormoneve dhe neurotransmetuesve, të cilat stimulojnë ndryshimin e sjelljes mendore. Në këtë gjendje mendore, uria kalon, rikthehet dëshira për t’u kujdesur për trupin dhe është më e thjeshtë të dobësoheni pa u sforcuar shumë.
- Jetoni momentin
Hapi i parë dhe më i rëndësishëm i këtyre tre ndihmave për t’u dobësuar i përket konflikteve me të kaluarën, e vjetër apo e re qoftë. Të jetoni momentin nuk do të thotë të kapni çastin ose të jetoni të tashmen, por në mënyrë më specifike: mos u gërryeni duke menduar gabimet tuaja dhe të të tjerëve. Mos mendoni për dështimet e së kaluarës. Vlerësoni veten, dilni me miqtë, mësoni të jeni tërheqës kështu siç jeni, duke u mbështetur në pikat tuaja më të forta, gjeni aktivitete argëtuese si kërcimi, janë të gjitha mënyra të shkëlqyera për të ulur stresin dhe për të favorizuar dobësimin.
- Mos arsyetoni në mënyrë kushtëzuese
Është ndihma e dytë për t’u dobësuar. Të mësoni të mendoni pozitivisht mund të jetë e mundimshme, ndërkohë që jetoni në frikë dhe mbi bazën e asaj që keni qenë është mënyra më e mirë për të jetuar në mënyrë të limituar dhe kushtëzuese. Është njësoj si të mbylleni në kafaz. Mjaft thatë “nuk do të jem asnjëherë e dobët”, “as kësaj here nuk do t’ia dal mbanë”, “kam diçka që s’shkon”. Edhe nëse është e mundimshme, fillimisht, mendoni të kundërtën. “Do të dobësohem”, “do t’ia dal mbanë”, “nuk kam asnjë problem”, janë të gjitha mendime që ju ndihmojnë të ndiheni më të fuqishëm, më pak armiq të vetes.
- Dilni nga logjika e dietave
Mos u stresoni nga një dietë e re. Mjaft menduat një radhë të gjatë dietash dhe thyejeni këtë zinxhir kushtëzues që tani. Në vend të dietës, mësoni të keni një përqasje më të shëndetshme, normale dhe instinktive me ushqimin. Mundohuni të hani në mënyrë të shëndetshme në 80% të dietës suaj. Pastaj zgjidhni aktivitete dhe mundohuni ta jetoni jetën në harmoni. Mendoni “këtë gjë që bëra tani, dikur e konsideroja të pamundur. Ndihem sikur kam hequr peshën e rëndë të dietave nga koka, thjesht duke mos menduar më për to”. Liria për të ngrënë atë që dëshironi, rifitimi i një metabolizmi të shëndetshëm dhe një trup fizikisht më tërheqës nuk ka çmim. Dhe këtë gjë mund ta arrini në çdo moshë.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 164
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.