Të dashurosh do të thotë të mos idealizosh partnerin. Do të thotë të lëmë mënjanë dhimbjen që të tjerët na kanë shkaktuar të kuptojmë se jemi këtu dhe tani, përballë dikujt që meriton më të mirën prej nesh. Boshllëqet e së djeshmes nuk mund të projektohen në të tashmen.
Të duash është të japësh atë që nuk ke. Do të thotë ta shohësh tjetrin si unik, të ri dhe të jashtëzakonshëm, i cili meriton më të mirën prej nesh dhe të mos projektosh mbi të modele të vjetra, të pasakta nga e kaluara.
Ne duhet të duam në një mënyrë autentike, të lirë dhe të pjekur pa pretenduar se kjo dashuri na çon në forma të dashurisë që kemi përjetuar dhe njohur tashmë që na kanë bërë të vuajmë. Të japim atë që nuk kemi është të përqafojmë këtu dhe tani për t’i dhënë vlerë tjetrit.
Psikanalisti francez Jaques Lacan arriti të transmetojë teoritë, deklaratat dhe njohuritë e tij me një dialektikë të rëndësishme. Për shkak të kësaj, ne e njohim rëndësinë dhe kompetencën e tij për të na nxitur të reflektojmë për çështje vendimtare si dashuria.
Aforizmi i Lacan-it “ të duash është të japësh atë që nuk e ka, dikujt që nuk është” përbën një oksimoron që luan edhe një herë me zhargonin psikoanalitik. Synimi i Lacan-it ishte që lexuesi të reflektonte mbi prirjen për të krijuar marrëdhënie mbi bazën e mungesës: në moshën madhore ne kërkojmë dashurinë që nuk e kemi marrë në fëmijëri. Ne e kërkojmë dashurinë tek partneri i ri që na ka privuar i mëparshmi. Ne gjithmonë përqafojmë dashurinë, për të cilën kemi një vizion ideal. Heqja dorë nga ky ideal do të na lejojë të çlirohemi nga e kaluara për t’i dhënë partnerit tonë atë që nuk kemi marrë, domethënë dashurinë autentike.
Pse “të duash është të japësh atë që nuk ke”?
Aforizmi “të duash është të japësh atë që nuk ke” gjen justifikim në kompleksitetin e lidhjeve midis qenieve njerëzore. Jacques Lacan foli për këtë gjatë seminarit të tij të VIII “Transferta” duke iu referuar Banketit të Platonit. Lacan nënvizoi se dashuria shpesh shfaqet në figurën e një të dashuruari të plagosur nga mungesa. Kjo na bën të mendojmë se ajo që na mungon fshihet tek tjetri dhe se ai është i detyruar të na e japë. Sigmund Freud gjithashtu trajtoi këtë çështje: gjatë terapisë psikoanalitike pacienti tenton të transferojë mangësi dhe zbrazëtira të shumta të shkaktuara nga mungesa e dashurisë, veçanërisht gjatë fëmijërisë. Ne e projektojmë këtë transferim, pra duke thënë se “diçka mungon”, pothuajse në të gjitha marrëdhëniet.
Ne përsërisim marrëdhëniet e kaluara
Jacques Lacan dhe Frojdi pajtohen se pavetëdija jonë na ndikon më shumë sesa mendojmë. Deri në atë pikë sa të bojkotojmë mënyrën se si ndërveprojmë me botën, pra marrëdhëniet tona. Ne kemi nevojë dhe kërkojmë dashuri, miratim mbi të gjitha. Fraza “të duash është të japësh atë që nuk ke” prandaj aludon në një fakt konkret të rrënjosur në pavetëdijen tonë: parajsën e humbur të fëmijërisë. Një pjesë e jona tërheq zvarrë hijen e një të shkuare të papërfunduar.
Mangësitë e prindërve tanë, të cilët ndoshta nuk ushqenin të gjitha nevojat tona, nuk përqafuan frikën tonë ose nuk na ofruan një lidhje të sigurt dhe përmbushëse.
Sipas Lacan-it, ndërsa rritemi dëshirojmë ta shërojmë atë parajsë të humbur (atë të fëmijërisë). Kjo nevojë bën që shumë marrëdhënie emocionale të dështojnë dhe kjo krijon më shumë boshllëqe, më shumë dëshira, më shumë ankthe të pakënaqur. Në çdo marrëdhënie, ne përsërisim të njëjtin model derisa dashuria të bëhet një përsëritje zhgënjyese që vjen si pasojë e pakënaqësisë dhe keqkuptimit.
Të duash është t’i japësh atë që nuk e ke, dikujt që nuk e ka
Sipas psikoanalizës, ekziston një mënyrë e pashmangshme për të arritur kënaqësinë dhe pjekurinë në marrëdhëniet tona. Është përmes dorëheqjes dhe pranimit. Duhet të heqim dorë nga dashuria që nuk kemi marrë në fëmijëri sepse ajo kohë ka kaluar, sepse dashuria prindërore nuk është ajo që mund të marrim nga partneri. Ne gjithashtu duhet t’i dorëzohemi atij fiksimi për të kërkuar dashuri të reja për të marrë dashurinë që të tjerët nuk kanë mundur të na japin. Sepse ata njerëz që na lëndojnë janë të tjerët dhe kush na zë zemrat sot është dikush tjetër. Të kërkosh që dikush të rregullojë atë që na kanë shkaktuar të tjerët nuk është logjike, nuk është e pjekur.
Ne duhet të fillojmë nga e para dhe të pranojmë atë që nuk kemi marrë në të kaluarën (dashurinë). Më pas do të ndihemi më të lirë të japim e të marrim, të njohim tjetrin pa kërkuar, të lëmë mënjanë të shkuarën dhe të përqafojmë të tashmen.
Të duash është t’i japësh atë që nuk ke dikujt që nuk është, sepse ai person është dikush tjetër (i ndryshëm nga ata që të kanë lënduar në të kaluarën).
Të duash këtu dhe tani duke lënë pas atë që nuk është më atje
Vuajtja e një fëmijërie apo e kaluare traumatike vazhdon, është e vërtetë. Efektet e një partneri që na ka tradhtuar ose që ka shkelur parimet themelore të respektit dhe përkushtimit zgjasin me kalimin e kohës, nuk ka dyshim. Megjithatë, asgjë nuk është aq e domosdoshme sa hapja ndaj marrëdhënieve të reja duke filluar nga e tashmja, nga këtu dhe tani, duke lënë pas atë që nuk është më atje, atë që nuk ekziston më. Kjo kërkon kohë.
Për të kapërcyer këtë prag dhe për të na lejuar të krijojmë marrëdhënie më të lumtura, duhet të punojmë në vetëvlerësimin tonë, të pranojmë të kaluarën, ta shërojmë atë dhe të forcojmë vetëdijen. Vetëm në këtë mënyrë do të jetë e mundur të ndërtohet një e ardhme më solide.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.