FB

March 30, 2021 | 8:28

Të edukosh do të thotë: të bëhesh zot i lëvizjeve të fuqishme, të nxitesh që të bëhesh human, i vlefshëm për veten dhe shoqërinë

 

 

Edukata, në të gjitha nivelet, megjithëse në mënyra të ndryshme- nënkupton një horizont të gjerë kulturor. Është e udhës që, nxënësi, kursanti, studenti duhet të pikësynojë gjithnjë e më lart dhe të mos e shohin veten si një lodër të dëshirës dhe pasionit fëminor, apo rinor, por si një përpjekje, për tu bërë një profesionist i mirëfilltë, i zellshëm, i pjekur dhe i suksesshëm. Nxënësi, kursanti, student duhet të  vlerësojë kurdoherë e më shumë, ecurinë për të qenë një qytetar i ardhshëm sa më i edukuar dhe sa më i aftë për tu bërë sa më i dobishëm për veten, familjen dhe shoqërinë. Kjo realizohet nëpërmjet synimeve të qarta të kapshme dhe të realizueshme  nëpërmjet marrjes së informacionit, formave dhe metodave sa më efektive për t’u edukuar dhe vetë edukuara, si dhe për të përcjellë kulturë dhe qytetari në çdo prezantim të vetvetes.

dr-ilia-larti

Prof.Assoc.proc.Doc.Dr. Ilia S. Larti

 

Edukata (si term rrjedh nga gjuha latine: educatio – edukatë, rritje. Edukata si nocion dhe proces, është veprimtari e organizuar që merr pjesë në zhvillimin e cilësive pozitive të njeriut, duke i harmonizuar marrëdhëniet shoqërore dhe individuale.

Edukata përkufizohet kështu:

Tërësia e vetive a e cilësive shpirtërore, mendore e fizike, e shprehive kulturore etj. (botëkuptimi, vetitë morale, tiparet e karakterit e të vullnetit, zakonet, shijet etj.), që fiton njeriu nën ndikimin sistematik të shkollës, të familjes e të shoqërisë dhe duke mësuar e punuar; formimi i përgjithshëm e i veçantë i njeriut. Edukatë e shëndoshë. Edukatë morale. Edukatë familjare. Edukatë shkollore. Edukatë estetike (muzikore, shëndetësore).

Në Fjalorin e pedagogjisë edukata përkufizohet si: “një nga kategoritë kryesore të pedagogjisë; veprimtari e vetëdijshme dhe e organizuar, përmes së cilës shoqëria dhe vetë i edukuari ndikojnë për zhvillimin e forcave fizike dhe shpirtërore të individit, për ta formuar atë në mënyrë të gjithanshme.”

Koncepti edukatë është kategori parësore e teorisë pedagogjike e cila përfshin në vetvete edhe konceptet: arsim dhe mësim.

b/1.Çdo të thotë të edukosh?

Të edukosh do të thotë që: të nxjerrësh njeriun nga barbaria primitive, ta mësosh atë të njohë mundësitë e tij për tu qeverisur vetë dhe të mos besojë asgjë pa pasur prova. Ky është qëllimi kryesor dhe mjaft urgjent, sepse barbaria kërcënon nën petkun e kulturës. Gjithashtu, do të thotë që: të bëhesh zot i lëvizjeve të fuqishme, të nxitesh që të bëhesh human, me kulturë, i ngrohtë, i arsyeshëm, i vlefshëm për vete dhe për shoqërinë e të tej., ku të gjitha këto, shfaqin vërtetësish e të qenit njeri. “Një njeri i tillë, arrin fitore në çdo çast të jetës së tij”, kjo është krejt ndryshe nga zotësia, sepse është një fitore ndaj vetvetes”.

1

Parimet e përgjithshme të edukimit

1.I tërësisë: Ky parim ka tre rregulla.

a.Mos e përcakto kurrë veprimtarinë tënde pedagogjike vetëm për aspirata të veçanta, por kurdoherë sipas përbërjes tërësore të personalitetit në zhvillim e perspektive të nxënësit, kursantit, studentit.

b.Mos shkatërro besimin e nxënësit, kursantit, studentit ndaj vetes së tij dhe ngulmo ta mësosh atë, të kontrollojë me rreptësi mënyrën e veprimit të tij.

c.Njihi vlerat morale dhe intelektuale të nxënësit, kursantit, studentit, sepse ato kanë të bëjnë me personalitetin e tyre dhe kërko më tej tek ata deri dhe vlera absolute, sepse ky rregull quhet objektivitet shoqëror.

2.I aktualitetit: Organizo veprimtarinë pedagogjike në mënyrë që të kënaqësh sistemin e mundshëm të së ardhmes, sepse: “Mënyra më e mirë për të përgatitur kursantët dhe studentët për të ardhmen, është që të punosh për të kënaqur nevojat e zhvillimit të tyre të tashme dhe të perspektives”.

3.I autoritetit: Ky parim ndërtohet mbi tri rregulla themelore.

Interesohu të mbështetësh veprimin tënd pedagogjik, mbi bazën e bindjeve të pa varura.

Zhvillo ndjenjën e autoritetit duke kultivuar ndjenjën e respektit.

Përqendroje sa më shumë që të jetë e mundur kursantin dhe studentin drejt vlerave për zhvillimin e ndjenjës së tij të autoritetit.

4. I lirisë: Lëre nxënësin, kursantin dhe studentin sa të jetë e mundur, që të vendosë për sjelljen e vet dhe të bëjë zgjedhje për vazhdimësinë e jetës së tij, duke ndjekur përparimin drejt rrugës së pavarësisë.

5. I aktivitetit: Rregulli i artë i këtij parimi është: “Bëj kujdes në të gjithë punën që i beson veprimtarisë së lirë të nxënësit, kursantit dhe studentit, duke pasur parasysh strukturën e tij shpirtërore, që ai jo vetëm të ndjekë ecurinë e punës së vet, por dhe të kryerjes së saj në mënyrë sa më të plotë, se kështu ai do të jetë në gjendje t’i nënshtrohet një shqyrtimi të vëmendshëm dhe vetë analizimi për atë që ka realizuar”.

6. I shoqërueshmërisë: Ky parim, vlen veç të tjerave, në mënyrë parësore për edukimin si: “Trego vëmendjen dhe angazhim që nxënësi, kursanti dhe studenti, të fitojë një pavarësi morale vetjake, si dhe të ndihmohet gjithashtu në veprimtarinë e vet të pa varur, për të realizuar përparimin moral.

7.Individualitetit: Duhet të kini një përputhje të strukturës shpirtërore tërësore, pra midis qenies që formohet dhe nivelit kulturor në zhvillim, në mënyrë që kjo e fundit t`i shërbejë me të vërtet marrjes se njohurive, formimit dhe edukimit individual, të nxënësit, kursantit dhe studentit.

 

II.Përgjegjësitë dhe detyrimet e mësimdhënësit për edukimin e adoleshentëve dhe të rinjve.

“Arsimi është faktori më i fuqishëm që mund të përdoret për të ndryshuar gjithçka, përfshi këtu dhe botën.” Nelson Mandela

A.Të edukosh në rolin e mësimdhënësit do të thotë që: Nxënësit, kursantët apo studentët, duhet t`i njohësh mirë, t`i duash ngrohtësisht dhe t`i ndihmosh me shpirt e zemër. Gjithsesi, në substancë duhet t’i, mësosh me kujdes dhe durim, t`i përgatitësh me ndjesinë për të ardhmen duke i piketuar rrugën drejt të së vërtetë dhe të ndershmes.

Vetëm në këtë mënyrë, formohet te ta vetvetja dhe personaliteti i tyre i lirë dhe i disiplinuar. Pra, në formën më thelbësore këto shprehin dhe përbëjnë qenien e morale të formuar.

Për formimin dhe konsolidimin e edukatës, për ta bërë atë të vetëdijshme, veç durimit, përkushtimit dhe pasionit. Duhet me patjetër që ajo, duhet të bëhet apo realizohet sa më e plotë, në vazhdimësi dhe në mënyrë të barabartë për të gjithë nxënësit, kursantët apo studentët dhe pa tjetër duhet të bëhet e diferencuar për mendjet e ngadalshme.

Kjo pikërisht përbën punën më të rëndësishme edukative të mësimdhënësit. Këtë sigurisht e realizon një mësimdhënës që iu rezervon këtyre njerëzve, reagime të ngadalta, nëpërmjet punës së diferencuar, të shumëllojtë si nga pikëpamja teknike, metodike, pedagogjike dhe praktike. Pra, të vepruarit ndryshe do të thotë që, të mos harrosh njeriun, pra t`i privosh këta njerëz (me reagime të ngadalta), që  të ecin njëlloj si gjithë të tjerët, që dhe kjo kategori njerëzish t`i shërbejnë vetes, familjes dhe shoqërisë.

Gjithsesi në këtë këndvështrim, të gathë kërkojnë dhe dëshirojnë të edukohen pavarësisht nga intelekti apo zgjuarsia, sepse duan dije, kulturë, për të qeverisur veten. Pra, ai që e bën këtë realitet në pjesën më të madhe, është puna fisnike e mësimdhënësit.

Pikësynimi i edukimit që përbën majën më të lartë në të gjithë performancën e njeriut. Ndërsa njerëzit më anakronikë dhe mediokrit vetëm, paragjykojnë e bëjnë vlerësimin duke u nisur nga pika më e ultë. Kuptohet se, nga pika më e lartë njeriu duket mirë dhe  shumë shpejt si një: “Kafshë politike, krenare dhe e vështirë”.

Ndaj edukimi si një akt, që i krijon mundësinë njeriut që ai të kapërcejë veten dhe të ngrihet më lart se vetja, duke arritur në mënyrë të vazhdueshme shkëputjen nga qenia e tij e djeshme.

Edukimi në tërësinë e vet, merret me rregullat njerëzore korrekte, që lidhet me mirësjelljen dhe kulturën, të cilat zënë vend po thuajse në gjithçka për edukimin dhe instruktimin e njeriut. Prej këtej rrjedh mendimi se, njeriu që nuk do ose nënvleftëson edukimin e tij të vazhdueshëm dhe sa më të plotë.

Në këtë rast njeriu nuk bën gjë tjetër veçse, vështirëson njohjen e vetvetes dhe nuk realizon dot vetëqeverisjen si duhet, si dhe nuk shfrytëzon dot, natyrën e vet në mënyrë efektive dhe tërësore.

Sipas Alenit (1862-1951): “Është më e rëndësishme ta fiksojmë mendjen, sesa ta instruktojmë atë… Për këtë arsye unë mendoj se kultura është diçka me shumë rëndësi dhe serioze e cila na pajis me forma dhe shije të bukura…, përreth të cilave duhet reflektuar mirë…duke i hapur rrugën vetes… do të kalojmë nga mendimi në mendim, për të qenë sa më reflektues…”

Pra, një mësimdhënës në punën e tij të vazhdueshme, sa formuese dhe edukuese për nxënësit, kursantët apo studentët, nëpërmjet rezultateve faktike, vërteton në praktikë dijet, përvojën dhe vlerat e tij si, metodist dhe si njeri, që ka zgjedhur një profesion sa  të vështirë dhe fisnik.

2

B.Pedagogjia e re për profesionin e mësimdhënësit si një formë e shërbimit publik, ka dhe statusin e vet, i cili përcaktohet nga 10 dimensione si:

Niveli intelektual

Prestigji profesional

Autoriteti dhe personaliteti i vlerësuar

Figura e pastër morale

“Etaloni”, i sjelljes sa humane dhe sociale

Aplikues i dijeve dhe shprehive sa më bashkëkohore

Përkrahës dhe mbështetës i mendimit kritik dhe ndryshe

Vlerësues objektiv i shkallës së nxënësisë së nxënësve, studentëve

Sjellje dhe qëndrime etike

Pasqyrë e shijeve estetike

C.Mësuesi/pedagogu dhe pozicionimi i tij në rolin si mësimdhënës dhe edukator

Në fakt, në shoqërinë tonë mësuesinë e vlerësojmë si profesion të vështirë, por nga ana tjetër sa të bukur dhe fisnik. Një vlerësim i tillë merr shkas nga fakti se mësuesia ka për objekt të punës së saj pajisjen me dije dhe edukimin e qenies njerëzore, e cila në vetvete, është mjaft e ndërlikuar dhe tepër delikate. Veç të tjerave, edukimi i qenies njerëzore nga ana e mësimdhënësit kërkon mund, përpjekje dhe investim të vazhdueshëm si:

Të punosh me qenien njerëzore, si mësimdhënës do të thotë të pozicionohesh drejt në këtë rol, pasi ky lidhet me një status tepër të përcaktuar social.

Ta luash rolin e edukatorit, si mësimdhënës do të thotë që:

-ta përjetosh thellë atë,

-të emocionohesh,

-të përshtatesh,

-të reagosh në mënyrë të përshtatshme,

-të dish të vlerësosh dhe të parashikosh,

-të jesh në kërkim të rrugëve, formave, metodave më të përshtatshme edukative ,

-të përqafosh dhe aplikosh vazhdimisht përvoja të reja,

-tu vish në ndihmë nxënësve, studentëve me probleme,

-të sakrifikosh kohën dhe energjitë duke u pozicionuar si edukator,

-sikurse dhe të punosh me pasion e përkushtim për të realizuar misionin.

Të pozicionohesh në rolin e mësimdhënësit, do të thotë që:

-të ushtrohen aftësitë profesionale, duke i përsosur e pasuruar ato në mënyrë të vazhdueshëm,

-sikurse duhet që të ngulmohet për njohjen më mirë të vetvetes, si dhe aftësitë   individuale.

Në këtë vështrim, figura e mësuesit dhe roli i tij, bëhet gjithnjë e më kompleks, që sa hedh hapat për t’u futur në ambientet shkollore. Në këtë kontekst pyetja që shtrohet sot është: A pozicionohen drejt të gjithë mësimdhënësit në rolin e tyre? Sigurisht, që ka, por vihet re se ka dhe mjaft shpërpjesëtime, pra jo të gjithë e lozin sa dhe si duhet rolin e një mësimdhënësi siç e kërkon detyra dhe misioni. Në aspektin motivacional, mund të themi se si dhe sa është i  pozicionuarit në rolin e tij si edukator, dhe a luan mirë atë rol duke iu referuar rezultateve, pra formimit të nxënësve, studentëve, sa i motivuar është për të qenë i suksesshëm në karrierën profesionale, duke vënë në lëvizje aftësitë personale, cili është niveli i kërkesave ndaj vetes dhe ndaj nxënësve, apo studentëve, si komunikon dhe si aplikohen normat etike, si i vlerëson dhe motivon nxënësit, apo studentët për të arritur rezultate të larta e të tjera, e të tjera.

Pozicionimi i mësuesit me rolin e tij si edukator me figurë të pastër morale dhe status sa human dhe social, sipas hulumtimeve del se ka raste që ato janë zbehur. Kjo për vetë faktin sepse shfaqen nga ndikimi i mjaft rrethanave dhe faktorëve jo të favorshëm, ku si rezultat një pjesë e mirë e mësuesve nuk janë mirë të motivuar për t’u angazhuar sa dhe si duhet për kryerjen e përgjegjësive të tyre si mësimdhënës dhe edukatorë. Duke filluar që nga karriera e tyre profesionale, në përgjithësi mësuesia, nuk mund të sigurojë një jetesë normale, për sa i përket nevojat më të domosdoshme jetike. Për rrjedhojë, ky profesion braktiset, sidomos nga mësimdhënësit e rinj, pasi e gjejnë veten më mirë në një punë tjetër. Le të shpresojmë se ky është dhe do të mbetet një problem i përkohshëm dhe se mund të kapërcehet me një qëndrim me të kujdesshëm të shoqërisë dhe institucioneve përkatëse të saj.

D.Aplikimi i etikës humaniste nga mësimdhënësi ndikon së tepërmi në edukimin e nxënësve dhe studentëve.

Etika humaniste duke u aplikuar nga mësimdhënësit, ka mundësinë dhe përparësitë, që të ndikojë në mënyrë të dukshme, në arritjen e rezultateve pozitive, në procesin e mësimor, për përfitimin e dijeve, formimin e kulturës dhe edukatës qytetare, si për ata që japin dijet dhe për ata që realizojnë të nxënit, pra në këtë rast kënaqen të dyja palët si, mësimdhënësit dhe nxënësit, kursantët dhe studentët.

Parë në këtë kontekst:

Etika humaniste, ndihmon mësimdhënësit që të përcjellin vlerat e tyre, për të formuar dhe edukuar në mënyrë të efektshme. Po kështu dhe kursantëve (studentëve) iu krijohet hapësira e nevojshme për të shprehur mendimet, sugjerimet e tyre dhe të ndjejnë dhe kuptojnë se janë pjesa kryesore dhe madje qendra më e vlerësuar e procesit mësimor.

Kjo matet dhe vërtetohet me rezultatet bindëse, në krijimin e dijeve teorike të qëndrueshme dhe shprehive praktike të vetëdijshme, të cilat krijojnë te çdo nxënës, kursant, student, standarde të mirëpranuara dhe kompetenca sipas pritshmërive të shkollimit cilësor. Të gjitha këto ndikojnë në marrjen e njohurive bashkëkohore, formimin me vlera qytetarie, dije intelektuale dhe realizimin e një edukimi cilësor. Sigurisht për këtë, do të ndjehen sa të kënaqur por dhe krenarë si, mësimdhënësit dhe institucioni shkollor.

0

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top