Një studim ndërkombëtar nga Universiteti i Kembrixhit dhe Universiteti Fudan tregoi se zakonet e dobëta të gjumit tek adoleshentët, veçanërisht fjetja vonë dhe gjumi i pamjaftueshëm, ndikojnë negativisht në zhvillimin e trurit. Studimi, i kryer me mbi 3,200 të rinj që mbanin pajisje Fitbit, tregoi se këto zakone lidhen me vëllime më të vogla truri, lidhje më të dobëta mes zonave kyçe të tij, dhe performancë më të dobët njohëse.
Shkaktar kryesor për këtë situatë është higjiena e dobët e gjumit, shpesh e lidhur me hiperlidhjen në mediat sociale, sidomos në mbrëmje. Kjo prirje jo vetëm që dëmton gjumin, por edhe shëndetin mendor. Sipas një sondazhi të Pew Research Center, gjysma e adoleshentëve janë të vetëdijshëm për ndikimin negativ të rrjeteve sociale në mirëqenien mendore të bashkëmoshatarëve.
Këto çështje u trajtuan në konferencën e përbashkët të shoqërive italiane të neuropsikofarmakologjisë dhe neuropsikiatrisë së fëmijëve, ku u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërdisiplinor për përmirësimin e ndërhyrjes klinike në adoleshencë – një periudhë ku fillojnë shumica e çrregullimeve mendore.
Studiuesit theksuan se efektet negative të mungesës së gjumit nuk janë të përkohshme, por mund të ndikojnë përgjatë gjithë zhvillimit adoleshent. Prandaj, rekomandohet adoptimi i zakoneve të shëndetshme të gjumit që në moshë të re. Ndër masat parandaluese të theksuara është shmangia e përdorimit të telefonave dhe tabletëve në mbrëmje, për të reduktuar ekspozimin ndaj mediave sociale dhe për të mbrojtur zhvillimin e trurit.
Gjithashtu, higjiena e dobët e gjumit shpesh lidhet me stile të tjera të pashëndetshme jetese (si aktivitet i ulët fizik, dieta e keqe dhe përdorimi i substancave), duke shtuar rrezikun për probleme të shëndetit mendor si ankthi, depresioni apo sjelljet vetëvrasëse.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.