Sipas një studimi të fundit, ushqimi i shtëpisë shërben kundër diabetit e kilogramëve të tepërt…
Që gatimi për shumë njerëz është një aktivitet qetësues, nuk është vënë asnjëherë në pikëpyetje. Por tashmë vjen dhe konfirmimi nga shkenca: është zbuluar se ky aktivitet bën mirë për shëndetin, pasi ushqimi i shtëpisë mban nën kontroll kilogramët e tepërt dhe në këtë mënyrë parandalon si diabetin e tipit 2, ashtu dhe sëmundjet kardiovaskulare. Ky është përfundimi i një studimi amerikan, i prezantuar në Florida nga “American Heart Association”. Studiuesit kanë bashkuar në punën e tyre të dhëna relative me mbi 58 mijë infermiere dhe me mbi 41 mijë punonjës sanitarë meshkuj, të cilët i kanë mbajtur nën shqyrtim për një periudhë 36-vjeçare. Autorët kanë zbuluar se ata njerëz që në drekë e darkë konsumojnë ushqime të gatuara në shtëpi, edhe pse janë në punë e jashtë shtëpisë, kanë një rrezik më të ulët për të zhvilluar sëmundje të diabetit dhe komplikimet që vijnë nga kjo sëmundje, si dhe nga rreziku i sëmundjes së zemrës. Këshilla e ekspertëve të “Harvard T.H. Chan School of Public Health” është se secili prej nesh duhet të konsumojë të paktën nga 11- 14 vakte ushqim shtëpie në javë. Kjo është një gjë shumë e mirë si për të ruajtur trupin në formë, ashtu dhe për të mbajtur nën kontroll tensionin e lartë, edhe pse me ritmin e përditshmërisë është paksa e bezdisshme të dalësh nga shtëpia me tasat ushqim me vete. Pas një studimi të dytë, autorët arritën në përfundimin se duke u ushqyer shëndetshëm mundësitë për të qenë mbipeshë ulen me 44%, rreziku nga diabeti ulet me 34%, ndërsa tensioni i lartë reduktohet me 27%. Studimi bazohet në përgjigjet e pothuajse 6000 vullnetarëve të moshës nga 49-54 vjeç, të intervistuar në vitin 2012. Gjithashtu, studiuesit sugjerojnë se dhe aktiviteti fizik është i rëndësishëm. Të paktën 20 minuta në ditë aktivitet fizik, duke shkuar në punë më këmbë apo me biçikletë, janë të mjaftueshme për të mbajtur trupin në formë. Gjithsesi, kjo është një pjesë e papërfunduar e studimit, pasi duhet të merren në konsideratë zakonet dhe ushqyerja edhe në vende të tjera. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara, ushqimet kanë më shumë yndyrë dhe transporti publik është pothuajse te dera e shtëpisë, ndaj aktiviteti i pakët fizik që amerikanët bëjnë nuk është i mjaftueshëm. Ky studim duhet thelluar edhe më, por e rëndësishme është që ushqimi i shtëpisë, i gatuar me fruta e perime të stinës, është hapi i parë për të parandaluar sëmundje, të cilat në ditët e sotme po shtohen gjithnjë e më shumë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.