Marrëdhënie

March 28, 2016 | 8:06

Të gjesh burrë është art, ta mbash profesion më vete

6Femrat e pamartuara janë ndier të dështuara, të paafta dhe pa fat. Vetë kultura jonë na ka bërë të kemi problem dhe si defekt idenë se të mbetesh beqare të bën dështake…

Përkufizimi im ka marrë fillesën nga puna e përditshme me këshillimin e grave, natyrisht, për sakrificat dhe strategjitë e tyre në martesë. Normat e shoqërisë, moralet e theksuara nga familja kanë rezultuar se femra ka një sjellje prej “arti”, si të gjejë një burrë. Duke u nisur këtu, nga sjellja e mirë, e bindur, me një delikatesë fine, elegancë e transparencë, ajo përpiqet të tërheqë vëmendjen e mashkullit të përzgjedhur nga vetë ajo. Sigurisht që dilemat e shumta në këtë pikë janë të tilla: kush përzgjedh, mashkulli femrën apo femra mashkullin?! Mendoj se dhe te njerëzit ndodh e njëjta gjë, si në botën e kafshëve. Femra e gjen atë që dëshiron më në fund. Ajo zgjedh vetë se kë të pranojë më në fund. Vetëm se te njerëzit, strategjia është më e thellë, derisa ajo ta çojë atë drejt altarit. “Gjetja e fatit”, kjo ka qenë me shumë rëndësi, duke u nisur nga urimet herët të vajzave, “hajde në dasmë tani se u rrite”. Sigurisht që tanimë ky urim nuk qëndron kaq shumë në masë, pasi shkollimi i vajzave e ka modifikuar urimin, duke e zbutur atë në thënien, se dy janë gjërat kryesore në jetë: burri dhe shkolla. Ato janë vetë jeta e njeriut. Femrat e pamartuara janë ndier të dështuara, të paafta dhe pa fat. Vetë kultura jonë na ka bërë të kemi problem dhe si defekt idenë se të mbetesh beqare të bën dështake. E, duke u nisur nga kjo psikozë kulturore, arrijmë në një tjetër koncept siç është: “Ky ishte fati yt”… e kush është ajo femër shqiptare që nuk e ka dëgjuar këtë shprehje gjatë jetës së saj, e për shumë kohë janë vetëbindur se kanë merituar atë çka ju ofrua në një çast të caktuar të jetës. Përballja e parë jo motivuese për të ngritur kokë qëndron tek opinioni moralist i shoqërisë. Nënat e kultivojnë më shumë kultin e martesës, e shpesh u thonë vajzave të tyre: “mos u anko pasi ky ishte fati i jetës tënde”. Ndaj dhe divorci nuk është parë asnjëherë me sy të mirë në Shqipëri dhe një mendim konservator kundrejt këtij fenomeni ende vazhdon. Varësia e gruas ndaj burrit ka ardhur dhe si pasojë e gjendjes ekonomike, mospërkrahja psiko-sociale e saj nga ana e strukturave institucionale e kjo e bën atë pjesë të fatit të saj, dorëzimin. Duhet të jesh e zonja ta bësh burrin për vete, e gjithë përgjegjësia i takon femrës ta bëjë martesën e saj të ecë përpara. Strategjitë dhe zgjuarsia e saj bën një profesion më vete sesi ta mbajë lidhjen në çift në gjallëri e familjen të bashkuar. Mënyrat e femrës janë përfolur gjithnjë për të përdorur “armët” e saja për mosdështimin e fatit të saj. Secila anekdotë, barsoletë, histori reale dhe trashëgimia e kulturës sonë ka sjellë mesazhin se femra është çelësi i suksesit për të mbajtur gjithçka. Kultivimi me finesë, mirëkuptim, urtësi dhe përkushtimi i saj pa kushte, “ta vrasësh” tët shoq me të mira, do të zbusë gjërat e marra flakë për momentin. Ta njohësh humorin e tij që kur ai merr frymë, një intuitive e mirë e burrit të saj. Nëse nuk i bën këto, atëherë mund të konsiderohesh e pazonja për të mbajtur një burrë. “Për hir të fëmijëve”, bazat me themele të forta të këtyre përkufizimeve sigurisht janë arsyet ekonomike, faktorët psiko-kulturorë, modelet me sintezën e të shkuarës, të cilat bëjnë që ne të bashkëjetojmë fort me këtë tipar. Femra shpejt konvertohet në nënë, ku përgjegjësia e saj shtohet dhe ndjenjat janë në majën e ajsbergut. Primare për të qëndrojnë gjithnjë fëmijët, një dashuri që i tejkalon të gjitha dashuritë e tjera. Kompromise për vazhdimin e profesionit si të mbash një burrë, gjithnjë vazhdon. Shpesh është gruaja ajo që e mëson burrin të prindërojë me fëmijët e tij, si të tregojë qetësi dhe të ndërtojë urë komunikimi me to. Dhe, për hir të tyre, në rastet më të mëdha nuk bën as ndarjen e as kërkon divorcin. Sa është i vërtetë ky përkufizim për të gjitha gratë e munduara në statusin e një martese, aq dhe metaforë? Në çdo artikull, në çdo rast dhe histori janë specifikat përkatëse, por ajo që i mbetet gjithnjë kohës është se femra edukohet herët në vegjëli si të sillet me një mashkull nisur nga babai, vëllai dhe më pas nga burri i jetës.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top